Apolonia, një pikëtakim jo vetëm me arkelogjinë dhe kulturën por edhe me letërsinë

September 7, 2023 || views

Ilirjan Gjika – historian

Parku Arkeologjik i Kombëtar i Apolonisë është një nga atraksionet më të pëlqyera të turizmit kulturore në Shqipëri. I vendosur në perëndim të Fierit përgjatë autostradës së jugut ai ka shumë për të ofruar. Përveç monumenteve dhe rrënojave antike që ndodhen në natyrë si agonotetët, odeoni, biblioteka, portiku me nishe, tempulli i Dianës, vilat romake me impluvium dhe mozaikë, fontana monumentale, muret rrethuese, akropoli, etj, vizitorët, mund të ndalen edhe te Muzeu Arkeologjik që ndodhet në godinat e manastirit të dikurshëm mesjetar. Të gjitha këto monumente dhe objekte arkeologjike janë zbuluar gjatë këtyre 100 viteve të fundit. Si piknisje do të shërbente periudha e L. I. Botërore, kur austriaku Prashniker do të ngulte kazmat e para të arkeologëve, ndërsa një epokë e re e këtyre kërkimeve u hap në vitin 1925 me Leon Rein. Arkeologu francez punoi këtu 14 vjet, ku me gërmimet dhe botimet e studimeve të tij e bëri të njohur Apoloninë në fushën e arkeologjisë dhe historisë antike.

Ndërkohë pas L. II. Botërore do të ishte bashkëpuntori i tij, Hasan Ceka, që do të riniste gërmimet së bashku me kolegë të tjerë, duke e shdërruar Apoloninë, në një nga “shkollt” e një pjese të madhe të arkeologëve të mëvonshëm shqiptarë. Ndërkohë që manastiri dhe kisha e tij e Shën Mërisë përfaqësojnë një nga monumentet më të rëndësishme arkitektonike të kultit mesjetar në Shqipëri, i cilësuar nga studjuesit si një prej kryeveprave të trashëgimnisë bizantine. Përveç kësaj kishe, kapelës së Shën Mitrit, trapezerisë së murgjve, këmbanores ‘’hijerëndë’’ dhe mozaikëve paleokristianë të zbuluar së fundmi, në pjesën veriore dhe lindore të manastirit u krijua në vitin 1958 edhe Muzeu Arkeologjik, i cili funksionon sot si një qëndër e rëndësihme kulturore. Në pavijonet dhe galeritë e tij janë ekspozuar me dhjetra objekte muzeale, si shtatore, skulptura, sarkofagë, kapitele, relieve, enë qeramike, monedha, stela varri, mbishkrime, terrakota, vegla pune, armë lufte, etj.

Përveç tyre ai mbetet edhe një qendër shpirtërore dhe fetare jo vetëm për banorët vendas të krahinës së Myzeqesë por edhe më gjerë, nga vendi, rajoni dhe bota. Ai përbën një prej dëshmive më
të rëndësishme të zhvillimit që njohu vendi ynë në fushën e arkitekturës dhe pikturës mesjetare, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse, vazhdim i traditës më të mirë vendase në këto fusha.
Por Apolonia dhe monumentet e saj nuk mbartin vetëm arkeologji dhe histori por edhe ngjarje dhe zhvillime të së kaluarës së afërt. Pikërisht këtu midis tyre kanë ushtruar veprimtarinë edhe një
sërë njerëzish të shquar përgjatë shek. XX, si klerikë, historianë, arkeologë, studjues, etj, vendas dhe të huaj.

Ndërkohë që në ambientet e këtij manastiri shkroi një pjesë të veprave të tij letrare edhe Jakov Xoxa, një prej prozatorëve më të njohur të letërsisë shqipe të shek. XX. Kryevepra e tij “Lumi i vdekur” është vlerësuar nga kritika si një nga monumentet gjuhësore të shqipes. I lindur në Fier në 15 prill 1923, aktiviteti letrar i tij nis herët qysh në vitin 1942, kur botoi poezinë e parë:  ‘’Këngëtari i dëshirës’’. Më pas, Xoxa, vijoi me prozën e shkurtër, gazetarinë, publicistikën dhe letërsinë e teatrit, për të ardhur te vëllimet ‘’Novela I’’ (1949), ‘’Novela II’’ (1958), si dhe dramat ‘’Buçet Osumi’’ (1957) dhe ‘’Zemra’’ (1958). Ndërsa vijon me romanin ‘’Lumi i Vdekur’’ i cili që nga botimi i tij i parë në vitin 1961 do të pasohej nga romanet: ‘’Juga e Bardhë’’ (1971) dhe ‘’Lulja e
Kripës’’ (1980). Në 17 shkurt  1979, Jakov Xoxa do të shkëputej nga jeta, puna dhe veprimtaria në mënyrë të parakohshme, në moshën 56 vjeçare. Ndërkohë vepra dhe trashëgimnia e tij letrare vijoi të ribotohej dhe vlerësohej, pavarësisht qëndrimeve të kritikës letrare e kohës. Për punën në lëmin e gazetarisë, aktivitetin letrar dhe ligjërimin e teorisë së letërsisë në Universitetin e Tiranës,

Jakov Xoxa, është nderuar me çmime, tituj dhe vlerësime të ndryshme, midis tyre spikat urdhri “Nderi i Kombit”. Dhoma në të cilën ai punoi përgjatë viteve 1950-1960 ndodhet ngjitur me trapezerinë dhe është shpallur monument kulture dhe objekt muzeal. E rihapur dhe vënë në dispozicion për vizitorët dhe publikun disa vite më parë ajo është kthyer tashmë në një tjetër atraksion
t u r i s tik. Aty ndodhen të ekspozuara si artefakte mjetet e tij të punes, libra, fotografi dhe sendet e përdorura kur ai jetonte dhe punonte jo vetëm këtu por edhe në shtëpinë e tij në Tiranë.
E ndërsa shkrimtarë të tjerë të njohur i kanë shtëpitë e tyre muze në qëndra të njohura urbane apo në fshatra të ndryshëm, Jakov Xoxa e ka dhomën muze në manstirin e Apolonisë. Pikërisht këtu, ai, shkroi disa prej veprave të tij më të mira apo vendosi disa prej ngjarjeve të subjekteve të tyre. Kështu vizitorët dhe turistët përveç monumenteve të shumta në natyrë të Parkut Arkeologjik,
apo statujave dhe artefakteve të Muzeut Arkeologjik, mund të vizitojnë edhe këtë dhomë muze. Tashmë Apolonia e ofron edhe këtë atraksion për të dëshmuar se ajo nuk i përket vetëm historisë, arkeologjisë, arkitekturës dhe ikonografisë, por edhe letërsisë dhe historisë së saj. Me pak fjalë, kjo është Apolonia, e quajtur dikur si qyteti ‘’i diellit’’ ndërsa sot i kulturës, ku magjia e natyrës gërshëtohet me vlerat e dala përgjatë kohës nga mendja dhe dora e njeriut.