Api tourism – Bletaria si atraksion turistik në Bjeshkët e Sharrit
October 4, 2021 || views
Mislim Zeneli
Industria e turizmit është një degë e rëndësishmime e ekonomisë kombëtare të Maqedonisë së Veriut, këtë e thotë ministri i ekonomisë në ditën ndërkombëtare të turizmit. Kjo industri krijon vende të reja të punës në nivel lokal dhe rajonal. Hulumtimi i plotë mbi ndikimin e industrisë së turizmit në ekonominë e një vendi, jo vetëm ndër ne, tregon një sërë ndikimesh pozitive në fushat tjera siç janë ajo kulturore, arsimore dhe mjedisore. Sot me të drejtë parapëlqehet zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, si alternativë apo antipod i turizmit masiv tradicional. Përmes tij bëhen përpjekje për të parandaluar degradimin e mjedisit të shkaktuar nga turizmi masiv, si dhe për të siguruar përparësi konkurruese edhe në rastin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si destinacion turistik konform kërkesave të turizmit të qëndrueshëm.
Llojet e specializuara të turizmit si atij kulturor, gastronomik, shëndetësor, balnear dhe uellnes, eko, rural dhe të ngjashëm, krijojnë mundësi për të promovuar shërbime të reja turistike specifike dhe tipike për zonat rurale. Këto oferta të reja turistike ofrojnë produkte nga prodhuesit vendas dhe krijojnë vende të reja pune, shi për këtë përfshihen në grupin e të ashtuquajturit turizëm i qëndrueshëm, i cili në thelb kërkon të ruajë burimet natyrore e kulturore duke zhvilluar njëherazi ekonominë vendase. Me fjalë të tjera qëllimi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm në turizëm është krijimi i harmonisë midis mjedisit shoqëror dhe ekologjik dhe atij ekonomik në plan afatgjatë.
API TURIZMI – bletaria si atraksion turistik
Një nga format më të reja të turizmit alternativ, si pjesë e turizmit të qëndrueshëm, është apiturizmi apo turizmi i bletarisë, i cili synon plotësimin e nevojave të veçanta turistike akoma të pa provuara në sferën e kërkesës turistike. Apiturizmi në fakt është formë e re e ofertës turistike e lidhur me bletarinë si profesion tradicional dhe me produktet e bletëve në aspektin ekologjik, ushqimor dhe mjekësor. Aktivitetet që lidhen me api-turizmin përfshijnë vizita të kolonive bletore, muzeve të hapur dhe muzeve të bletarisë ku turistët kanë mundësinë të vëzhgojnë jetën e bletëve më për së afërmi. Për më tepër ai për objektiv ka, jo vetëm njohjen e efekteve shëruese të produkteve të bletëve por, edhe edukimin e turistëve për përkujdesjen për mjedisin. Vizitorët e të ashtuquajturave qendrave api (bletare) kanë mundësinë të njohin botën e bletëve në kolonitë e bletore, atyre u prezantohet teknika e prodhimit të mjaltit. Qëndrimi pranë koshereve të bletëve ka një efekt shërues për shkak të avujve eterikë të mjaltit, propolisit, polenit dhe pergës, të cilat kanë një efekt fisnik te njerëzit, ndërsa zhurma e gumëzhimës së bletëve kontribuon në relaksimin e mendjes dhe trupit. Këta vizitorë përfitojnë në aspekt shëndetësor (mundësi për trajtim me api terapi, masazhe me mjaltë në ajrin e koshereve të bletëve dhe të ngjashme), turne me biçikleta rrugëve panoramike të bletarëve, vizita të muzeve të bletarisë ku shiten produkte nga mjalti (kuleç mjalti, ëmbëlsira nga mjalti dhe api – gatesa lokale tradicionale), kontakte dhe biseda të drejtpërdrejta me bletarë vendas njohje me historinë e kolonive, njohje me mënyrën sesi jetët e njerëzve dhe bletëve ndërthuren në mënyrë të pandashme dhe të ngjashme.
Në shumë vende (Slloveni, Spanjë, Greqi, Turqi etj.) sot api turizmi konsiderohet si lloj premtues për zhvillimin e turizmit andaj këtë trend duhet ndjekur sektori i bletarisë dhe turizmit edhe në Republikën e Maqedonisë Veriore me theks rajoni i Sharrit. Në Malet e Sharrit ka resurse zhvillimore për bletari siç janë kullotat disahektarëshe, ku rriten boronica, gështenja, arra dhe akacie me bollëk, burime këto të pashtershme për bletët që prodhojnë mjaltë me cilësi të lartë dhe para se gjithash ekologjike. Bletaria në rajonin e malit të Sharrit dhe përvoja tradicionale e kultivimit të bletëve duhet të promovohen për të siguruar zhvillimin e këtij lloji të agrobiznesit në këto zona dhe e tërë kjo duhet ndërlidhur me api turizmin si formë të re dhe të mundshme zhvillimore për të ndihmuar punësim alternativ për popullsinë e zonave më pak të zhvilluara rurale. Shikuar nga aspekti i zhvillimit të turizmit Mali Sharr është një zonë e njohur në Ballkan për sportet dimërore, mirëpo fare pak ka njohuri për zonat e tij rurale specifike, florën dhe faunën, klimën e përshtatshme dhe ajrin e pastër, parakushte këto për zhvillimin e bletarisë. Infrastruktura ekzistuese turistike krahas kushteve natyrore ujit dhe ajrit të pastër, biodiversitetit të larmishëm të përshtatshëm për bletarinë në këto zona, ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit të bletarisë si forme më e re e turizmit të qëndrueshëm.
Bletët janë një nga krijesat më të përsosura të natyrës që janë kultivuar nga njeriu që nga kohërat e lashta. Bazuar në rezultatet e “fermave api turistike” në mbarë botën, shumë ferma bletarësh bëjnë përpjekje për të plotësuar aktivitetin primar me shërbime shtesë siç është akomodimi shërbimet restorantore me tendencë të formimit të një oferte komplementare, të re turistike, duke u transformuar në të a.q. ferma të turizmit bletar. Ky lloj i ri i turizmit sot haset tek të gjitha ato vende që prijnë me destinacione të turizmit të qëndrueshëm para se gjithash këtu bëhet fjalë për Slloveninë, Gjermaninë, Spanjën, Çekinë, Poloninë, Qipron, etj. Sllovenia ka dëshmuar se i prin tregut të këtij lloji të turizmit ,andaj shteti është përqendruar të ndihmojë këtë degë të agroturizmit duke trajnuar bletarët drejtë transferimit të njohurive nga brezi në brez. Këtu hasen dhe shembujt më cilësorë të “praktikave të mira” , që vërtetojnë se apiturizmi jep rezultate të shkëlqyera, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, për të cilin Sllovenia është një vend udhëheqës në Evropë dhe më gjerë. Apiturizmi po bëhet gjithnjë e më shumë një segment kyç i ekonomisë së gjelbër gjithandej pasi rrit ndjeshëm ekonominë e bletarisë dhe i përmbahet parimeve të strategjisë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm prandja paraqet një histori joshëse për zhvillimin e degëve të paqena apo në zhvillim, por kërkon një strategji zhvillimi dhe mbështetje financiare të prodhuesve të bletëve.
Në rajonin e Pollogut, i cili përfshin një pjesë të Malit Sharr, ekziston shoqata e bletarëve “Mjalti i Pollogut” me seli në Tetovë, shoqatë kjo që ka për qëllim të mbështet çdo anëtar të vet në ngritjen e biznesit të bletarisë. E njëjta dhe simotrat e saja duhet të promovojnë edhe idetë e apiturizmit si formë e veçantë e të bërit biznes në kushte të një konkurrence të skajshme në fushën e agroturizmit. Specifikimi i api-turizmit në bazë të fermave ekzistuese bletare, mundëson zgjerimin gradual të ofertës por kërkon burime financiare përgatitje e një oferte të veçantë si dhe resurse njerëzore. Edukimi dhe promovimi i një stili jetese të shëndetshme me shprehi pro-mjedisore të bazuara në njohuri dhe respekt për natyrën duket se janë segmente të vlefshme që duhet bërë nga politikbërësit e kësaj sfere.
Bazuar në praktikat e mira në shtetet me turizëm alternativ të zhvilluar në rastin konkret të apiturizmit është më se e nevojshme që edhe tek ne të iniciohen bashkëpunime ndërmjet shoqatave të bletarëve, njësive përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë,organizatave dhe shoqatave turistike e komunitetit të biznesit nga fusha e turizmit për të planifikuar dhe zhvilluar këtë lloj turizmi. Propozimet, këshillimet dhe ndihmesat për zhvillimin e bletarisë dhe të apiturizmit në rajonin e malit të Sharrit , dhe më gjerë, duhet të vijnë nga institucionet dhe organizatat e lartpërmendura dhe të tjera të ngjashme. Ato duhet të përgatisin projekte të përbashkëta për zhvillimin e bletarisë brenda përbrenda turizmit apo anasjelltas. Të gjithë këta aktorë, duhet të organizohen dhe ti bashkërenditin veprimet për ngritjen e kapaciteteve zhvillimore të api turizmit, si një lloj turizmi i specializuar jo-tradicional tërheqës, duke mbështetur fermerët e bletëve drejtë realizimit të praktikave tani të dëshmuara në botë. Agrobiznesi i bletarisë në këto anë mund dhe duhet të përdoret si mundësi për zhvillimin edhe të ap iturizmit përmes të cilit vizitorëve të kësaj kategorie turistësh t’ ju ofrojë atraksione të papara dhe ndjeshmëri të panjohura. Për arritjen e këtij qëllimi bartësit e politikave zhvillimore, krahas mbështetjes financiare, duhet të ofrojnë strategji dhe programe konceptuale, përfshirë këtu dhe, trajnime të nevojshme për të interesuarit madje edhe jashtë vendit.
Njëkohësisht agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë duhet të përpilojnë paketa të gërshetuara turistike të api turizmit në të cilat do të prezantoheshin hollësisht mundësitë që ofron rajoni në këtë drejtim. Kuptohet se, nuk duhet të mungojnë edhe aktivitetet promotive përmes instrumenteve karakteristike, siç janë: broshurat (në disa gjuhë), librat, filmat dokumentarë dhe të ngjashme. Ndërkaq organizimi i panaireve, të veçanta, për turizmin bletar si dhe i kongreseve të bletarisë për speciet autoktone të mjaltit, seminaret dhe takimeve të nivelit lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie duhet të jenë pjesë e pashmangshme e prezantimit të ideve dhe praktikave të zhvillimit të api turizmit. Në këtë drejtim duhet implikuar edhe format e reja të komunikimit online përmes; blogjeve, mediave sociale, motorëve të kërkimit, reklamave etj. për informimin e të gjithë atyre që kanë ndërmend të merren me këtë lloj turizmi me perspektivë. Le të shërbejë dhe ky shkrim si koncept ide për të gjithë ata që kanë ndërmend të merren me zhvillimin e turizmit alternativ ndër ne!
Mislim Zeneli është pedagog në Universitetin e Tetovës