Antigonea – tempulli ende misterioz që mund të shijohet në çdo stinë

August 6, 2019 || views

Nga Kristina Fidhi

Vizitorët e apasionuar pas civilizimeve që po heshtin prej shekujsh, historisë, objekteve nga e kaluara por edhe natyrës, mund ta vizitojnë qytetin antik të Antigonesë në çdo stinë. Antigonea, e vendosur përballë Gjirokastrës, në kodrën e Jermës vijon dhe sot të jetë një ballkon natyral dhe strategjik mbi luginën e lumit Drino. Antigonea prej shekujsh i ka tërhequr vizitorët si magnet. Gërmimet e nisura që prej viteve ’70, vetëm sa kanë gërvishtur të kaluarën e civilizimit, që erdhi në jetë prej mbretit Pirro të Epirit dhe iu kushtua gruas së tij Antigonës, duke nisur prej vitit 295 p.k. Megjithëse në park ende mungojnë teatri, forumi dhe shumë objekte me funksion public, rrënojat dhe gjetjet tregojnë një pjesë të historisë së qytetit, që Plutarku thotë se “u themelua nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja”.

Qyteza me shtrirje spektakolare, me mure masive mbrojtëse, me akropolin, nekropolin, me rrugët, shkallaret, kanalizimet, banesat, agoranë, lagjen e famshme të zejtarëve ku punohej qeramika, pëlhura, druri, guri e metalet, nuk të mban një vizitor pasiv. Antigonea në të 50 hektarët e saj befason me sistemin hipodamik të ndërtimit, me larminë e objekteve, sidomos qeramikës dhe objekteve të përdorimit të përditshëm. Qyteti antik i njohur si më moderni i periudhës kur jetoi, nxit natyrshëm përfytyrimin mbi jetën në antikitet. Vizitorët e kësaj vere, thonë punonjësit e menaxhimit, janë nga e gjithë bota. Edhe mënyrat për ta arritur parkun janë po kaq të larmishme. Çdo kategori mund ta gjejë lehtësisht veten mes rrënojave.
Kalorësit profesionistë janë vizitorë të vazhdueshëm të parkut. Lisa dhe Yaron nga Florida në USA, e vizituan Antigonenë këtë fillim vjeshte me kuaj. Ata dhe miqtë e tyre nga Europa u ndjenë të befasuar me zbulimin. Të dy kanë kalëruar në shumë vende të botës, por thonë se në Antigone qëndrojnë kaq pranë dhe kaq të prekshme shumë pasione, kuajt, antikiteti, bimësia e larmishme dhe habitati natyror i dhjetëra fluturave.
Christiani, një kalorës rezistence nga Franca, që rikthehet në Shqipëri për të kalëruar pas 5 vitesh thotë se, krahasimisht me vizitën e tij të parë pak gjëra kanë ndryshuar në park dhe shpreson që kjo mrekulli të promovohet dhe të zbulohet nga shumë vizitorë. Sidoqoftë, ai u ndje i kënaqur kur ndërsa ngjiste me kalë shpatin jugor të Antigonesë, vuri re praninë e më shumë shpendëve të rrallë që flatronin mbi luginën e Drinos. Kjo luginë është fjetorja më e madhe në Europë e skifterit kthetraverdhë. Megjithëse parku ekziston prej dekadash, Antigonea ende iu përket atyre që duan të evitojnë turmat dhe turizmin masiv.

Si shkohet atje:
1. Nga Gjirokastra, mund të udhëtohet me transport publik deri në fshatin “Asim Zeneli”. Prej andej mund të ndiqet shtegu këmbësor, që përshkon një pjesë të hapësirës rurale që rrethonte qytezën antike. Ngjitja me këmbë e një vështirësie mesatare është rreth 1 orë e 20 minuta. I njëjti shteg dhe mënyrë transporti mund të zgjidhet për kthimin.
2. Nga Gjirokastra, mund të udhëtohet me transport publik deri në fshatin “Asim Zeneli”. Planifikoni që një ditë më parë të prenotoni një ditë udhëtimi me kalë drejt Antigonesë dhe kthim nëse jeni kalorës me eksperiencë.
3. Nga Gjirokastra parku i Antigonesë mund të arrihet edhe me mjet 4×4 që mund të merret me qera në qytet. Edhe kjo mënyrë është një eksperiencë unike. I njëjti itinerar (rruga automobilistike) mund të përshkohet me biçikletë ose motoçikletë.
4. Në Antigone mund të shkohet familjarisht edhe me veturë gjatë fundjavës. Për fëmijët parku është një magji e vërtetë. Një piknik vjeshte në Antigone do të ishte një mundësi e shkëlqyer për t’iu larguar rutinës.

 


Vini re: Mos e dëmtoni trashëgiminë e parkut duke marrë copa qeramike. Mbrojtja e çdo pjese të trashëgimisë materiale, mund t’i shërbente rindërtimit të objekteve.
Vizitorët e të gjitha displinave, moshave apo kategorive nuk janë të lejuar të ndezin zjarre për piknik.
Pas çdo organizimi këshillohet grumbullimi i mbeturinave dhe largimi i tyre nga parku për të lehtësuar menaxhimin.
Bileta në hyrje kushton 200 lekë për këmbësorët dhe 300 lekë për mjetet.