A mund ta quajmë mocarelën edhe shqiptare? Nëse e marrim nga Albamilk, po!
July 1, 2020 || views
Flora Xhemani Baba
Destinacionet turistike kudo në Shqipëri dhe botë janë të gjitha të bukura, njësoj të vlefshme e tërheqëse, të cilitdo lloj qofshin ato. A e dini se çfarë i bën ato interesante, të veçanta, që të spikasin, që të mbahen mend? Njerëzit. Njerëzit që takoni atje, gjërat që bëni në këto destinacione, historitë e tyre.
Ngahera kur përfshijmë në rubrikën “Made in Albania” sipërmarrje, aktivitete, nisma, produkte, projekte dhe realitete turistike, gjithmonë kemi parasysh që të jemi sa më pranë nismave që nxisin produktet vendase dhe që ndihmojnë ekonominë lokale turistike.
Madje edhe atëherë kur këto produkte nuk kanë histori të trashëgimisë tonë por vijnë si një përvojë prej vendesh të tjera, përshtatja në tregun shqiptar, është po aq e rëndësishme sa një produkt vendas. A nuk janë kantinat e sotme shqiptare një përvojë e sjellë në dy dekadat e fundit nga Italia, pasi shqiptarë të apasionuar pas këtyre traditave shekullore atje, u dashuruan pas lëngut magjik dhe erdhën të rikultivojnë edhe njëherë traditën e vjetër të ilirëve?
A nuk janë përvoja të mbartura proshutat e sallamet, që sot me aq sukses kanë vulën e pastër të prodhimit shqiptar? A nuk ka ndodhur kështu me birrën, qysh prej viteve 900 të mijëvjeçarit të kaluar?
Kështu ka ndodhur edhe me një produkt tipik Italian si mocarela, e cila edhe emrin e solli me vete prej vendit fqinj, e së bashku me famën e saj si një prej prej produkteve më të spikatura italiane, solli mbrapsht në Shqipëri edhe ata, guximtarët e çartur, që në një kohë kur nuk mendohej e kur Shqipëria kishte të tjera halle, e ndanë mendjen të fusnin në tregun shqiptar një produkt që askush ose pakkush e njihte.
Ishte pikërisht njëzet e pesë vjet më parë kur Orhan Miloti, një djalë i diplomuar për kimi industriale, vendosi ta sillte mocarelën në Shqipëri. I ndodhur në Itali si pak shqiptarë të atyre fillimviteve `90 që mund të udhëtonin me viza turistike, ai vendosi të qëndronte për ca kohë, duke konsideruar edhe situatën e errët që po kalonte Shqipëria e viteve 93-94. Dhe gjatë kësaj periudhe punoi një sezon veror në një prej restoranteve italiane. Në vend që të fokusohej tek kuzhina, siç bënë më vonë shumë shqiptarë, sot të suksesshëm në fushën e kulinarisë, atij i mbetën sytë tek furnitorët e vegjël, që vinin çdo ditë për të sjellë produktet e tyre të freskëta në restorant. Njëri prej tyre ishte edhe ai që sillte mocarelën.
“Iu luta një ditë që të më merrte me vete”, thotë Orhani, “vetëm për të parë se si prodhohej mocarela, ky djathë i çuditshëm, që nuk ekzistonte në Shqipëri. Në fillim hezitoi sepse ishte periudha kur shqiptarët nuk e kishin namin aq të mirë. Pastaj pranuan dhe që atë ditë, lashë restorantin dhe muajt e mbetur të qëndrimit në Itali, i kalova atje. Ata muaj ishin për mua të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga ana profesionale, si një njeri që kisha studiuar kimi dhe më tërhiqte procesi dhe linja e prodhimit por në radhë të parë sepse pashë se si funksiononte një ekonomi e vogël familjare. Se çfarë dashurie e pasioni hidhnin brenda në linjën e prodhimit ata njerëz, e i përzienin bashkë me qumështin që prodhonte mocarelën. Kur vendosa të largohesha për në Shqipëri, nuk donin të më linin kurrsesi, aq shumë u lidhëm”.
E megjithatë, në fund të vitii 1994 ai kthye, duke mbajtur në kurriz përvojën e re dhe në zemër pasionin e ri; të prodhonte mocarelën në Shqipëri. Dhe e bëri. Nën emrin ALBAMILK, siç quhet edhe sot, kur gama e produkteve e ka kaluar emrin e mocarelës. Dhe qysh atëherë, prodhon mocarelë të disa llojeve dhe pak djathëra të zgjedhur, për të qenë në lartësinë e kërkesave të klientit e për të mos zhgënjyer njohësit e shijeve të holla por mbi të gjitha për një treg të cilësisë së lartë, siç është ai i restoranteve. Pyetjes sonë se pse nuk e ka rritur kapacitetin e prodhimit gjatë gjithë kësaj kohe, ai i përgjigjet se dëshiron t`i qëndrojë besnik asaj që ka parë në ltali, ku një familje e vogël, prodhon në sasi të vogla dhe furnizon çdo ditë, një treg të caktuar, duke ndjekur jo ritmin e rritjes dhe të pasurimit por atë të vazhdimësisë. Sipërmarrjet familjare, shpeshherë nuk kanë si qëllim parësor pasurimin në shuma të mëdha por vazhdimësinë e një pune që e kanë kthyer në traditë.
Ne do t`i kapërcejmë shpejt këta 25 vjet, ku historia e Albamilk, është shkruar me ngjyra suksesi por edhe lufte të vazhdueshme për të mos humbur në xhunglën e madhe të tregut e të konsumit masiv.
Nuk do të ndalemi shumë as në mënyrën se si prodhohet mocarela në Albamilk, tek cilësia e qumështit, tek procesi i prodhimit, i cili nuk përfshin asnjë shtues joorganik apo element të tjerë që dëmtojnë cilësinë e prodhimit, sepse mendojmë se 25 në treg, flasin vetë për këtë cilësi.
Ne do të shkojmë në ditët e sotme, kur trendet e turizmit, i kanë përfshirë këto lloj sipërmarrjesh në turet e tyre. Shumë kantina, linja prodhimi të vogla të produkteve të ndryshme ushqimore, punishte frutash e perimesh apo vajit të ullirit, janë kthyer sot në vende pelegrinazhi për turistët, të cilët ndjekin nga afër procesin e prodhimit, njihen me familjet ose stafet e vogla të këtyre sipërmarrjeve lokale, shijojnë produktet drejt e në prodhim ose siç thuhet në gjuhën e sotme të turzimit, degustojnë produktin, duke e shoqëruar vizitën me biseda ose informacione mbi historikun dhe ecurinë, ashtu siç bëmë edhe ne në Albamilk, duke biseduar me Orhanin dhe Albanën.
Ajo që na joshi, nuk ishte vetëm shija e mocarelës, që, po përfitojmë nga rasti t`i kushtojmë ca rreshta. “Burrata”, mbretëresha e të gjithave, ishte një përzierje intensive e shijes së thellë, të butë, të plotë dhe e një ndjeshmërie aq të lartë në shijim, sa e ke të pamundur ta gëlltisësh pa i mbyllur sytë nga kënaqësia. “Fior di latte” ishte të gjitha këto bashkë por më e ëmbël. “Le trecine” dhe “le cigliegine” (emrat italianë janë një e drejtë e pamohueshme ashtu si edhe emrat e verërave që vihen sipas rrushit me të cilin prodhohen, apo jo?), kanë freskinë që të detyrojnë t`i shijosh patjetër ose me fruta të freskëta, ose me perime të stinës.
Pra, po thoshim që ajo që na joshi përcveç shijes së mocarelës ishte ambienti.
E dini ku ndodhet Albamilk? Ndanë Urës së Bahçallëkut, në të djathtë kur hyn në Shkodër, buzë Drinit, aq sa mund të freskosh këmbët në ujë nëse del në oborrin e punishtes dhe përballë ka kodrën me kalanë e Rozafës mbi krye. Një panoramë perfekte që edhe ta qëndisje me dorë, nuk do të mundje. Mendoni pak, një oborr me pemë frutore, mbushur me lule, si oborret e famshme shkodrane, me kopshtin e perimeve në një anë, me të cilat ju mund të shijoni mocarelën e freskët, me lumin që këndon gjithë kohën dhe me Rozafën mbi kryet tuaj. Ju, duke shijuar delikatesat që pregatit Albana, me një gotë verë shqiptare në dorë, nga ato të kantinave të zgjedhura. Dhe e gjitha kjo, pasi të keni vizituar Rozafën, Shirokën, Pijacën, shëtitoren “Kolë Idromeno”, Muzeun Marubi apo atë Historik, njërën prej këtyre ose të gjitha këto së bashku.
Dhe nuk mbyllet krejtësisht këtu. Po të doni, kur të bëni vizitën në punishte, ku të shihni se si prodhohet mocarela, ngjituni edhe lart, tek zyrat, ku mund të shijoni vepra të vogla arti dhe fakte interesante mbi familjen shkodrane që prodhon mocarelë shqiptare.
Është vështirë të gjesh shkodran që nuk e dashuron artin. Por familja Miloti, një familje për të cilën nuk ju folëm, se nuk deshëm të zbehim punën e bukur të një njeriu me pasion, është një familje arti. Mjaft që t`ju përmendim të mrekullueshmen e humorit shkodran Zyliha Miloti dhe besoj se mjafton për të krijuar idenë. Dhe arti në këtë familje, ushtrohet në mënyra të ndryshme. Tek familja e Orhanit ushtrohet pas pune, pasditeve ose darkave, kur mbyllet punishtja dhe mbrëmjet janë të muzikës, përmes tingujve të pianos e të baterisë, ku babë e bijë shoqërojnë njëri-tjetrin.
Është një humbje në llogari të së bukurës, nëse nuk e shijoni së paku njëherë këtë përvojë të veçantë. Sepse më shumë se një herë, besojmë se do të përfundoni si miqtë e familjes.
Dhe atëherë do t`i filloni bisedat e tavolinave me miqtë tuaj me fjalët: “E keni provuar ndonjëherë mocarelën që bën një miku ynë shkodran? Fantastike!”
Më shumë për Albamilk: Këtu