A keni qenë ndonjëherë në Bled? Nëse ende jo, ju sugjerojmë vjeshtën; është më e bukura!
November 2, 2019 || views
Sllovenia, ky vend (jo edhe aq) i vogël në Ballkanin veriperëndimor, është tashmë një shtet i Bashkimit Europian, që ka ditur ta zhvillojë shumë mirë ofertën e saj turistike. Edhe pse nuk ka det që ta ofrojë si aset turistik, shumë prej pikave të saj natyrore, gjenerojnë mjaftueshëm para, sa ta përfshijnë turizmin në fushat kryesore të ekonomisë. Vetëm në zonën natyrore të liqenit Bled, fluksi i vizitorëve është aq i lartë saqë nuk njihet termi “sezon i ulët”.
Liqeni Bled është ndër pikat më të bukura natyrore të Sllovenisë, zbukuruar me shumë monumente kulturore si kisha e kështjella, që e bëjnë një xhevahir të rrallë, i cili shpesh është bërë pjesë e listave të mediave botërore. Nëse do të donin ta vizitonit këtë zonë, ne do t`ju rekomandonim fort vjeshtën. Është më e bukura! Shikoni fotot dhe do të bindeni vetë.
Po çfarë mund të bëni për një fundjavë në Bled?
Të vizitoni Ishullin e i Liqenit ose Blejski Otok. Një shëtitje me varkë ekologjike është një “Must-do”. Në qendër të ishullit të vogël dikur ndodhej Tempulli i Zhivës, perëndeshës sllave të dashurisë e sot aty është një kishë e stilit gotik. Natyra e ishullit në vjeshtë? Oh, çfarë dashurie, sikur Zhiva të kishte derdhur hiret e saj nëpër ishull.
Të vizitoni Kështjellën e Titos, e vendosur në majë të një shkëmbi mbi liqen. Ajo i jepte udhëheqësit ish-komunist pamjen madhështore të të gjithë liqenit me ishullin në mes të tij, si në pëllëmbë të dorës, kur ai vinte ta vizitonte gjatë ditëve të pushimit. Prej aty mund të shijoni pamjen më të bukur të të gjithë panoramës së Bledit.
Të bëni një tur ecjeje rreth e qark liqenit, nëpër shtigjet e veshura me pyje, në një itinerary prej 6-7 kilometrash, që zgjat rreth një orë e gjysmë.
Nëse shkoni në sezonin e verës, një stand up paddle tour do të ishte ideal për të shijuar liqenin në mënyrë ekologjike.
Thonë që nuk ke qenë fare në Bled nëse nuk ke provuar kekun karakteristik me vanilje që ndërkombëtarisht quhet si “Cream Cake of Bled”. Banorët pretendojnë se receta dhe shija e tij është unike dhe secrete. Në fakt kishte një shije të mrekullueshme që të shkrinte në gojë!
Të provoni patjetër kuzhinën e zonës, që do të thotë se duhet të drekoni ose darkoni në një prej resoranteve të vegjël, me moshë sa më të madhe. Gostilna Union ishte njëri prej tyre.
Të provoni shërbimet SPA të hoteleve të shumtë, për të shijuar përvojën unike të ujit të grohtë në pishina të zbuluara, ndërkohë që atmosfera e jashtë shënon zero gradë, e gjatë dimrit peisazhi zbukurohet nga bardhësia e dëborës.