A je një gjahtar thesaresh? Atëhere Trepça bën për ty!

August 22, 2024 || views

Muzeu i Kristaleve një thesar i paçmuar i Trepçës në Kosovë

Kosova vitet e fundit ka hyrë në listën e udhëtimeve dhe tashmë dendur ju mund të shihni sesi grupe të tëra dashuruesish të aventurës, shkojnë atje për të ngjitur malet e Sharrit, për të përshkuar Grykën Rugovës, për t`u kacavjerrë a rrëshqitur përmes fijeve të çelikta të Via Ferratave apo ZipLineve që ajo i ka me shumicë, për të zbuluar magjinë e Bjeshkëve të Nemuna e malësitë e Deçanit apo edhe për ski dimrit në Brezovicë e Pejë.
Por fatkeqësisht pak, ende pak njerëz shkojnë për të zbuluar thesaret e saj të çmueshme apo trashëgiminë e saj kulturore, po të mos llogarisim ndonjë ndalesë në Prizren apo vizitat e rralla nëpër objektet e kultit.
E pra, dijeni se Kosova është një minierë thesaresh.
Në kuptimin e parë të fjalës. Një minierë e tillë ndodhet pikërisht në Mitrovicë dhe është një prej minierave më të rralla në botë, për larminë e mineraleve dhe numrin kristaleve.

Muzeu i Kristaleve të Trepçës ndodhet ne Mitrovicë, pikërisht atje ku ndodhet edhe miniera e Trepçës.
Trepça është një minierë e lashtë plumbi, zinku, argjendi, kristalesh dhe mineralesh të ndryshme në Kosovë, përkatësisht në komunën e Mitrovicës. Ajo është hapur në vitin 1924 dhe produktet kryesore ishin koncentrati i plumbit dhe zinkut, aliazhe te plumbit, argjendi, ari, bismuti, zinku elektrolit dhe kadmiumi por edhe një numër i madh kristalesh të formave, ngjyrave dhe përbërjeve të ndryshme. Mundt të thuhet se kjo minierë, që është një burim i fuqishëm të ardhurash ekonomike, është edhe arsyeja e konfliktit të thellë midis Serbisë dhe Kosvës, sidomos në shekullin e fundit.

Është pikërisht larmia e kristaleve të lartërmendura, që ka çuar në hapjen e muzeut, si një mundësi që nuk duhet humbur për të admiruar këtë pasuri të rrallë të Kosovës.