Këlcyra “dera e madhe” që të çon në Përmet
August 19, 2020 || views
Jemi mësuar që sa herë udhëtojmë për në Përmet, Këlcyrën ta konsiderojmë vetëm si një portë kalimi, një grykë të bukur që mund ta admirosh nga dritarja e makinës ose shumë-shumë një vend pushimi ku ndalojmë për një drekë a një kafe pranë Burimit të Zi, teksa rrugës për atje, është e pamundur të mos takojmë së paku tri apo katër grupe bagëtish në kullotat e pafundme të të dyja anëve të rrugës për Përmet.
Nëse deri tani keni vepruar kështu, athere ka ardhur koha që të planifikoni një udhëtim vetëm për në Këlcyrë e jo në Përmet.
Do të keni plot se çfarë të shikoni e të shijoni. Sepse Këlcyra nuk është vetëm ajo zona e bukur natyrore që shohim një copë herë nga dritarja por një krahinë e tërë plot kulturë e histori, nga ku kanë dalë njerëz të shquar që i kanë dhënë kombit e që shpesh në gjuhën e përditshme i quajmë “derë e madhe”. Këlcyra përfshin një sërë fshatrash karakteristikë, sitesh kulturore e kalash, shpellash e grykash, pyjesh e zonash natyrore, që përbëjnë një pasuri të paçmuar e që shpeshherë ia njohim si vlera Përmetit. Por Këlcyra është vetë një “derë e madhe”, ku ia vlen të trokisni për të kaluar një fundjavë mes bukurish e atraksionesh, një pjesë të të cilave do t`jua përcjellim në këtë ftesë që po ju bëjmë.
ATRAKSIONET TURISTIKE
Kalaja Ilire e Këlcyrës
Kalaja e Këlcyrës, me sipërfaqe 0.5 ha, ndodhet në shpatin e Malit të Trebeshinës. Ka qenë fortesë gjatë antikitetit të vonë e banuar vazhdimisht nga ilirët. Emrin e ka marrë në shek. IX nga “Klysyre” që do të thotë “grykë”. Dallohen katër faza ndërtimi: shek IV-III p.e.r, shek III-V, shek. VI-XVII dhe fillimit të shek. XIX. Më e hershmja i takon fortifikimit të periudhës Antike: mure me blloqe e pa llaç, ndërsa rindërtimi pas shek X-XI është me llaç dhe ruhet deri në 4 m lartësi. Kalaja ka kulla mbrojtëse. Faza e fundit përfaqësohet nga fortesa në pjesën më të lartë të shpatit e përforcuar nga tri kulla. Ali Pashë Tepelena e pushtoi Këlcyrën dhe rindërtoi kalanë. Në brendësi ka korridore, galeri nëntokësore etj. Ajo u dëmtua rëndë nga lufta e dytë botëre në vitin 1944. Nga këtu shpaloset pamje e mahnitshme drejt grykës së Këlcyrës, luginës së Vjosës dhe Dëshnicës. Restaurimi do t’i shërbente shumë edhe zhvillimit të turizmit në Këlcyrë.
Sarajet e Ali Bej Këlcyrës
Ngrihen mbi faqen shkëmbore të malit Trebeshinë, në hyrje të Grykës së Këlcyrës. Themeluesi i sarajeve të familjes Këlcyra mendohet se ishte Teodori nga familja e Muzakajve. Sarajet janë ndërtuar nga mesi i shekullit XIX dhe janë një nga ndërtimet më të mëdha të Shqipërisë. Është një ndërtesë tepër madhështore me tetë kulla të mëdha katërkatëshe secila me nga një kat nën dhe. Vetëm ndërtesa ka një sipërfaqe prej 3000 m². E djegur nga andartët grekë në prill të vitit 1914, për më shumë se një shekull këto rrënoja kanë mbetur madhështore në shpatin e malit Trebeshina. Është diskutuar shumë herë rindërtimi i tyre, për t`u kthyer lavdinë e dikurshme por kjo deri tani nuk ka ndodhur. Në opinionin publik qarkulloi gjerësisht edhe letra e hapur që e bija e Ali Bej Këlcyrës, Hana Klisyra (Këlcyra) i drejtoi kryeministrit Edi Rama, për rindërtimin e tyre, ashtu siç u rehabilitua edhe figura e babait të saj i cili si intelektual dhe atdhetar i shquar, u përndoq nga regjimi komunist dhe u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në vitin 2007, nga presidenti i republikës Bamir Topi.
Sot Sarajet e Ali Bej Këlcyrës kanë filluar të vizitohen nga grupe turistësh të aventurës, dhe shpresohet që në të ardhmen e afërt, të jenë një magnet që do të tërheqë vizitorët në Këlcyrë, për qëndrime më të gjata, që mund të kombinohen me ture lokale, fjetje nëpër stanet e zonës ose nëpër bujtinat e fshatrave përreth.
Ura në fshatin Limar
Ura e Kalasë, afër fshatit Limar të Bashkisë Këlcyrë, e ndërtuar mbi lumin e Zagorisë më 1804 nga Ali Pashë Tepelena në rrugën Këlcyrë-Malëshovë-Zagori, është monument kulture i kategorisë së parë. Njihet edhe me emrin Ura e Limarit. Me sipërfaqe 52.8 m2, gjatësi 18 m, i është përshtatur shumë brigjeve të lumit. Ka dy qemerë, deri 6 metra lartësi. Ka një pamje madhështore e që i jep pukuri peisazhit.
Krahina e Malëshovës
Krahina e Malëshovës është një ndër gjashtë krahinat e rrethit të Përmetit, që shtrihet në të dy anët e malit Dhëmbelit. Nga faqa lindore, nga lugina e lumit Vjosë, ndodhen fshatrat Argovë, Grabovë, Mbrezhdan dhe nga krahu tjetër ku shtrihet lugina e bukur e Zagorisë është Leskaj, Malëshova, Limari dhe Kalaja, gjithsej shtatë fshatra. Ajo krahinë ka njohur kurbetin, ka njohur zanatin, punën, ka njohur shkollën dhe kulturën. Të larguar përgjithmonë apo përkohësisht ata kanë menduar për krahinën tyre, për njerëzit e tyre aty. Populli i kësaj krahine shquhet për drejtësi, mençuri dhe shkathtësi. Në vitin 1924 mbi 200 bashkëfshatarë të krahinës së Malëshovës, kanë qenë anëtarë dhe vullnetarë të shoqërisë “Vatra” dhe degëve të saj në Amerikë. Kontributin e tyre e vlerëson edhe Imzot Noli kur thotë: “…janë këta malëshovitë dhe mbrezhdanakë që më kanë përkrahur vazhdimisht për të kryer detyrën e shenjtë ndaj kombit”. Është ndoshta kjo simpati e Nolit për malëshovitët, që, pas vdekjes së tij, ai që e zëvendësoi Nolin në Kishën Autoqefale të shqiptarëve të Amerikës në vitin 1967, ishte at Stefan Lasko nga Malëshova.
Krahina e Malëshovës me bukuritë që i ka falur natyra, por edhe me shpirtin e ndjeshëm të njerëzve të saj është bërë burim frymëzimi për shumë krijues të kësaj treve. Vjershat e bukura të Sejfulla Malëshovës të cilat kanë shërbyer si gurrë frymëzimi për një plejadë krijuese malëshovite si Lliko Nano, Niko Tyto, Rrapo Këllëçi, Dashamir Malo, Shpëtim Shehu, Zenel Sina, Arif Korro etj., si dhe publicistëve dhe gazetarëve të sotëm, Filip Rrumbullaku, Themistokli dhe Arben Todhe, Kastriot Korro, Bejdo Malo e shumë të tjerë.
Krahina e Dëshnicës
Krahina e Dëshnicës në pikëpamje gjeografike është krahina më e madhe e rrethit të Përmetit, kurse nga pikëpamja etnografike radhitet midis krahinave më të rëndësishme të vendit tonë. Dëshnica është një vënd i magjishëm që ruan e gjeneron përherë vlera të papërsëritshme, natyrore, shoqërore, patriotike dhe kulturore. Ajo është simbol i mikprtijes dhe bujarisë, i punës dhe i mençurisë, i gjallërisë kulturore dhe i vrullit të rinisë, i ëmbëlsisë së rrushit dhe i forcës së rakisë. Mikpritja dhe bujaria e njerëzve të këryre anëve janë kthyer në virtyte të rralla. Dëshnica përbëhet nga rreth 40 fshatra dhe qyteti i Këlcyrës, kryeqendra administrative, kulturore e tregëtare e kësaj zone, Kajcë, Zhepovë, Mërtinj, Bënjë, Fratar, Katundisht, Çorrogunj etj. Nga tetëmbëdhjetë çetat patriotike që ka patur tërë treva e Përmetit në fillim të viteve 1900, dymbëdhjetë prej tyre i përkasin Dëshnicës dhe komandoheshin prej emrash të shquar dëshnicarësh si: Riza Velçishti, Mehmet Pavari, Kamber Bënja, Nexhip Bënja, Riza Xhunga, Ahmet Kajca, Abaz Kajca, Zaim Bubësi, Arif Rodenji, Mete Topojani, Lutfi Topojani e Zaim Ibrahimaj etj. Dëshnicës i përket dëshmori i parë për mbrojtjen e monumenteve të kulturës shqiptare nga grabitësit e huaj më 1916, Kamber Bënja. Asaj i përket edhe Veli Këlcyra, njëri prej dy delegatëve përmetarë që mori pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në 28 nëntorin e vitit 1912 në Vlorë. Janë 59 emra dëshnicarësh të dekoruar me medalje dhe urdhëra “Për Veprimtari Patriotike”, si pjesëmarës në Luftën e Vlorës më 1920 dhe në kontribute të tjera atdhetare. Po ashtu, mund të thuhet se Dëshnica është e vetmja krahinë në Jugun e Shqipërisë që nxori nga gjiri i saj tre luftëtarë për mbrojtjen e Republikës në luftën e Spanjës në vitet 1936-1939. Prej kësaj krahine, dolën mbi 800 partizanë në luftën Antifashiste N.Ç.L. Aty u kriijuan tri çeta, një batalion dhe një brigadë partizane.
Tokat e Dëshincës kanë shijen e mushtit të rrushit dhe erën e këndshme të mollëve dhe qershive. Afshi i rakisë së fortë, që çurgon nga llullaja e llambikos, ndez tek odat zjarrin e bisedave të ngrohta dhe të këngëve të bukura vëndçe. Provojeni këtë kënaqësi dhe ndjesi dhe nuk do ta hiqni kurrë nga kujtesa.
Gryka e Këlcyrës
Kjo grykë madhështore e cila shtrihet midis Këlcyrës dhe Dragotit, me një gjatësi prej 13 km formon një kanion thellësia e të cilit shkon në 1.000 metra. Në shpatin e djathtë të grykës gjenden Shpellat e Mezhgoranit dhe Dragotit ndërsa përgjatë lumit mund të admirohen shumë burime nëntokësore, ndër të cilët veçojmë Ujin e Zi të Këlcyrës i cili buron nga lumi i Vjosës duke krijuar një shumëllojshmëri ngjyrash. Bukuri të veçantë janë dhe burimet karstike të zonës së quajtur “Rrepet e Këlcyrës” të cilët burojnë nga lumenj të nëndheshëm dhe dalin në sipërfaqe në një lartësi rreth 80 m nga Vjosa duke krijuar ujvara të mrekullueshme.
Një sërë hotelesh e restorantesh kanë zënë vend pranë Burimit Të Ujit t ë Zi, duke e kthyer atë në një vend tërheqës pushimi, ku ofrohet kuzhina lokale, me mish të pjekurt të imtash, gatimet e shumëllojshme e sidomos rakia e famshme, që shoqëron gjithçka. Është e pamundur të ndalosh në Këlcyrë e të mos shohësh së paku një tufë të madhe bagëtish, të cilat kalojnë urën, në komandën e çobanit të ngeshëm, që përshëndet çdo udhëtar, si ta kishte mik. Kjo dukuri tashmë është kthyer në atraksion turistik.
Kontakte dhe linqe: