7 ditë tourist në Vlorë – një udhërrëfyes nga Travel magazine, që ju ofron një Vlorë të ndryshme çdo ditë
July 17, 2020 || views
Duke menduar që keni zgjedhur Vlorën për një javë pushime verore, por jeni të pavendosur se në ç`mënyrë t
i shpenzoni ditët tuaja, ne po ju ofrojmë një udhërrëfyes, që mund t`ju vijë në ndihmë. Argëtim e gjallëri, mikpritje me buzëqeshje të pandarë në fytyrë, ushqim të shijshëm nga deti, mali, lumejtë dhe lagunat, kulturë e trashëgimi, aventura pa fund në tokë, ajër e det! kjo është shkurtimisht pasqyra e asaj që do t`ju ofrojmë nga Vlora. Ky përshkrim udhëtimi i ndarë në shtatë ditë, e ka të pamundur ta përfshijë gjithçka me detaje por ju mund ta zgjasni udhëtimin tuaj sipas dëshirës, duke u ndalur më shumë aty ku ju duket se ka ende për të zbuluar. Përveç kësaj, krahas përshkrimeve dhe informacioneve të larmishme kemi përfshirë edhe alternativa zgjedhjeje e subjekte që mund t`ju ndihmojnë në udhëtimin tuaj, hotele, restorante, agjenci, kompani turistike etj., që ofrojnë shërbimet për të cilat do të keni nevojë.
- Guida e trashëgimisë kulturore në qytet
- Dita e Detit – udhëtim turistik me anije
- Dita e Natyrës – Parku kombëtar Llogora
- Guida e aventurës – paragliding
- Vlora Jugore – lagunat dhe Vjosa
- Nëpër fshatrat e bukur të jugut
- Guida e Lumit të Vlorës
Meqenëse informacioni është shumë i zgjeruar, do tjua ofrojmë atë në formën e shtatë artikujve, ku secili tju ofrojë ditën e tij, në mënyrë që të merrni sa më shumë informacion dhe sugjerime për vende të cilat duhet t`i vizitoni patjetër. Rrugëtim të mbarë!
1 Dita e parë: Guida e qytetit ose turi i trashëgimisë kulturore
Trashëgimia kulturore është aspekti më i rëndësishëm i një qyteti apo zone dhe si rrjedhojë, edhe pjesa më e rëndësishme e turit tuaj. Është ajo që i jep identitetin qytetit që keni vizituar.
Prandaj, ndonëse guida qytetëse përfshin edhe aktivitete të tjera si shëtitjet, gastronomia, koha e lirë, jeta e natës, aktivitetet e tjera argëtuese, thelbi i saj janë sitet kulturore. Dhe për këtë pjesë të turit kemi kërkuar ndihmën e stafit të përkushtuar të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, i cili njeh me hollësi të gjithë fondin e pasur të trashëgimisë kulturore të Vlorës.
Për këtë guidë u kujdes drejtori i këtij muzeu Z.Istref Dobi dhe MSc. Aurela Lamepetro
Vlora ka ndryshuar shumë vitet e fundit dhe një tur qytetës në raport me disa vite më parë është fort i këshillueshëm. Qendra historike që është rijetëzuar, bashkë me ansamblin e monumenteve tek Sheshi i Flamurit, është vetëm pikënisja e një “Walking tour”, i cili tashmë shtrihet përgjatë bulevardit të ri Vlorë-Skelë, i cili lidhet me Sheshin “Pavarësia” dhe përfundon në sheshin e ri, në nisje të shëtitores bregdetare. Në orët e ditës, ju mund të pini një kafe në baret e shumta, të blini në dyqanet që tregtojnë suvenire ose produkte lokale (ktheni tek Librari Toena, ku përveç materialeve promovuese turistike do të gjeni edhe atelienë e qeramikës të skulptorit Zeqir Alizoti), të hani drekë në restorantet e shumta përgjatë shëtitores ose thjesht të shëtisni me miqtë. Në mbrëmje, argëtimit i shtohen shumë elementë të tjerë si muzika, koncertet, ekspozitat, aktivitetet e ndryshme sportive etj, që do ta psurojnë mbrëmjen tuaj.
Pa dyshim që baza e turit tuaj qytetës janë objektet dhe sitet kulturore, për të cilat do t`ju përcjellim një material të detajuar më poshtë.
Muzeu Kombëtar i Pavarësisë
Ndodhet në zonën e Skelës në Vlorë, në një ndërtesë dykatëshe buzë detit. Ajo është një nga ndërtesat më të rëndësishme dhe simbolike, për historinë e pavarësisë shqiptare dhe shtetformimit. Ndërtesa mendohet të datojë në 1844 që përkon me vitin e lindjes së Ismail Qemalit. Pas shpalljes së pavarësisë në 28 nëntor 1912, prej ballkonit të kësaj ndërtese një vit më vonë, në 28 nëntor 1913 u festua përvjetori i parë i shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Më 8 tetor 1936 godina historike u kthye në muzeun e parë arkeologjik në Shqipëri, ku u vendos një koleksion i pasur me objekte të nxjerra nga ekspedita arkeologjike franceze në Apolloni dhe e drejtuar nga arkeologu Leon Rey.
Në vitin 2006 ky muze mori statusin kombëtar dhe aktualisht njihet si Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, por në të njëjtën kohë është edhe monument kulture.
Sot kjo ndërtesë ruhet si një nga objektet më të rëndësishme historike, që identifikohet edhe me figurën e Ismail Qemalit si kryeministri i parë i Shqipërisë dhe si arkitekti i pavarësisë.
Ndërtesa e muzeut në të dy katet ka rreth gjashtë pavione dhe dy holle ndërsa pamjen e saj të thjeshtë katërkëndore e thyen një ballkon me pamje nga deti, i cili mbështetet në dy kollona me seksion rrethor që i japin një pamje dinjitoze.
Muzeu Historik dhe Arkeologjik
Ky muze ndodhet në zonën historike të Vlorës në qendër të qytetit. Godina është ndërtuar në 1918, e projektuar nga arkitektë italianë dhe e realizuar nga mjeshtra shqiptarë. Deri në vitin 1939 kjo godinë shërbeu si bashki e qytetit. Më pas deri në 1962 shërbeu si qendër e organizatës së masave dhe bashkimeve profesionale dhe më 28 nëntor 1972 në gjashtëdhjetë vjetorin e pavarësisë kombëtare filloi të funksiononte si muze historik dhe arkeologjik. Aktualisht është në varësi të bashkisë së qytetit Vlorë.
Muzeu përbëhet nga dy kate. Në katin e parë ka dy pavione të cilat i kushtohen periudhave të lashtësisë, antikitetit dhe mesjetës pra zbulime arkeologjike të gjetura në qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj. Objektet kryesisht janë amfora, gurë varri, statuja, ato janë prej kocke, stralli, bronzi dhe hekuri. Në katin e dytë i është kushtuar luftës së Vlorës së 1920 dhe përpjekjeve për çlirimin e qytetit gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në 15 tetor 1944 kur dhe u çlirua përfundimisht qyteti.
Muzeu Etnografik.
Ky muze ndodhet në zonën e njohur si lagjia ”Muradie”, në rrugën “Justin Godart”, pra në kompleksin e zonës historike. Fillimisht ka qenë shtëpi e tregëtarit nga Berati, Kristo Karbunara, më pas shkollë për fëmijët. Në vitin 1908 u themelua klubi patriotik “Labëria” me kryetar Ismail Qemalin. Ky muze është konceptuar në formën e një banese tradicionale qytetare vlonjate. Përbëhet nga tre kate të cilat lidhen me njëra- tjetrën me shkallë prej druri. Në katin e parë ndodhen objekte të artizanatit. Në katin e dytë është dhoma e grave, oda e burrave dhe dhoma e tezgjahut. Ku mund të shikohen veshje popullore të zonës së Vlorës dhe fshatrave përreth, ndërsa në katin e fundit është dhoma e miqve. Muzeu ka edhe një oborr të dekoruar me qeramika.
Xhamia e Plumbit
Ndodhet në aksin rrugor Vlorë-Skele, në një nga qendrat e qytetit, pranë Sheshit te Flamurit . Objekti është i kufizuar nga te gjitha anët me rrugë dhe është ndërtim i shekullit te XVI, viti 1542 nga arkitekt Sinani. Xhamia është e mbuluar me kupole. Ajo përbehet nga salla kubike qe është salla e lutjeve si dhe nga minarja. Salla ndriçohet nga dritare të vëna në tre radhe për çdo faqe. Në pjesën jugore te sallës gjendet mihrabi. Kalimi ne tamburin dymbëdhjetëfaqësh bëhet direkt pa ndonjë ngushtim, duke formuar çatitë e vogla trekëndëshe ne qoshet. Një ngushtim i lehtë me një kornizë guri në tëre perimetrin e ndërtesës bëhet në anën e jashtme mbi rreshtin e dytë të dritareve ne nivelin e fillimit te trompave te qosheve.
Rruga e Hebrejve
Zanafilla e kësaj miqësie, shtyhet tutje në shekuj dhe mendohet të ketë një histori pothuajse 600-vjeçare. Gjurmët e kësaj historie tashmë kanë mbetur në kujtesën e qytetarëve vlonjatë, që ruajnë përshtypjet më të mira për ata banorë fisnikë që u bënë pjesë e jetës së qytetit të Vlorës, deri në fillim të viteve 1990-të. Në qytetin e Vlorës jetoi një komunitet i konsoliduar hebrenjsh. Një pjesë e madhe e tyre banonin në një rrugë, që, sot është shpallur monument kulture dhe është emërtuar “Rruga e hebrenjve“. Kjo rrugë, ndodhet pranë qendrës dhe në të dy anët e saj, ngrihen banesa karakteristike dy dhe tre katëshe, të cilat janë ndërtuar në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.
Kompleksi Historik Muzeal i Pavarësisë
Aty është vepra më dinamike, një monument punuar me bronz i njohur si Monumenti i Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, dhe u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare. Sheshi i Flamurit, është vendi ku përvit përkujtohet kjo ngjarje e shënuar, falë Monumentit të Pavarësisë në qendër të sheshit, si dhe pranisë së plot objekteve që janë dëshmi e historisë. Monument i Pavarësisë është ndërtuar në vitin 1972 në nder të Shpalljes së Pavarësisë, dhe për të kanë punuar skulptorët Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.
Lulishtja “I.Qemali”, është varri i patriotit I.Qemali, obelisku me luftëtarin e lirisë. Ndërtuar në vitin1932. Eshtrat e plakut të Vlorës u sollën nga Kanina, ku ishte varrosur në 1919.
Varri i Ismail Qemalit
Ky varr u ndërtua në vitin 1932. Më 1932, me rastin e 20 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, me kërkesë të popullit të Vlorës dhe me Vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u spostua në Vlorë, në qendër të qytetit aty ku është edhe sot. Sipër është një skulpturë e artistit të mirënjohur Odise Paskali. Luftëtari i panjohur me një flamur në dorë në krahun e majtë dhe një pushkë gjysmë të ulur në dorën e djathtë. Veshja popullore shqiptare të kohës. Skulptura është në bronz.
Shtëpia Muze e Vlorajve
Ajo që ka mbetur nga koha është vetëm 10 m nga Sheshi historik i Flamurit dhe është pjesë e Kompleksit Muzeal Historik. Njihet edhe si shtëpia beut, nuk është në funksionimin e saj dhe as e lidhur me kompleksin muzeal ndonëse ajo është pjesë e saj, pas marrjes së saj nga pasardhësit e kësaj familjeje.
Teqeja e Kuzumbabait
Vendosur në një kodër mbi qytetin e Vlorës. Ajo merr emrin nga Sejid Ali Sulltan, i njohur si Ati Kuzum (Quzum Baba), një udhëheqës shpirtëror bektashian, i cili sipas traditës lokale është varrosur këtu. Duke qenë pika më e lartë e qytetit, diku në 30 m nga niveli i detit, Kuzum Baba u ofron vizitorëve mundësinë për të shijuar ajrin e pastër dhe për të admiruar peizazhe të bukura të qytetit. Ekziston një tempull bektashi në majë të kodrës (Tempulli i Bektashinjve), i ndërtuar rreth vitit 1600. Sot, Teqeja e Kuzum Babait është një nga qendrat më te rendesishme Bekatashi në të gjithë Shqipërinë.
Sahati i Qytetit
Është ndërtuar në vitin 1918, me interesimin e Ali Asllanit (kryetar bashkie në atë kohë) dhe është financuar nga tregtarët e qytetit. Përveç anës funksionale ka edhe vlera estetike. Merkata dhe sahati është projektuar nga specialistë italiane. Ka shërbyer si pike referimi per qytetin dhe qendrën tregtare.
Kalaja e Kaninës
ndodhet në pjesën juglindore të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m.
Ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike. Rindërtime janë bërë në shekullin e III dhe të XV. Nga 14 kulla të fortifikimit të saj, sot, ruhen vetëm tre të tilla.
Janë të shumta historitë e mbështjella në formë legjendash për këtë kështjellë. Nga ato do mund të veçojmë ato për princeshën Rugina, për princin Aleksandër si dhe atë të martesës
së Donika Arianitit me Skëndërbeun.
Jashtë Vlorës
Trashëgimia kulturore e Vlorës shtrihet deri në lashtësi dhe në çdo skaj të saj, kështu që për një njohje më të gjerë të saj dhe sipas kohës tuaj duhet të vizitoni parqet arkeologjike dhe sitet e rëndësisë së veçantë si Oriku i Vjetër, Zvërneci (shih artikullin), Parku Arkeologjik Amantia në Ploçë, qytetet antike si Olimpia, Mavrova, ose objekte si Kisha e Marmiroit apo Shpella e Shkruar e Lepenicës