Të fshehtat e Ksamilit dhe një guidë e plotë e destinacionit më të bukur shqiptar

October 22, 2019 || views

Vitin e shkuar Blue Agency hodhi në treg botimin e ri të guidës turistike të Sarandës, ku përveç informacionit të detajuar për qytetin jugor, u ndal hollësisht edhe në të gjitha destinacionet që e rrethojnë, duke ofruar një guidë të detajuar edhe mbi Ksamilin, të cilin turistët e vizitojnë për ishujt e për plazhet e bukura por që shumë prej thesareve të tij të fshehura nga syri i zakonshëm, nuk i njohin. Andaj dhe ne po e shkëpusim këtë guidë të Ksamilit duke jua ofruar si një alternativë për pushimet e 2019-s, me qëllim që ju ta eksploroni më mirë destinacionin e shpalluar nga mediat ndërkombëtare si më i bukuri në SHqipëri. Sepse vera nuk ka kuptim pa Ksamilin! 

 

Vitet e fundit ai është shpallur jo pak herë nga media të ndryshme botërore si një prej plazheve më të bukur në botë. Ishujt e magjishëm që ndryshe quhen edhe Ishujt e Tetranisit, ngjyra e bruztë, që thyhet larg në blu të thellë, plazhet e bardha, gjiret e fshehura, guvat e vogla, aroma e Jonit mbi qytezë, ullinjtë dhe agrumet që dikur shqiptarët i mbollën me punë vullnetare, pasi brezuan tokat shkëmbore, janë vetëm disa prej arsyeve pse ky vend vazhdon të mahnisë.

Qyteza është një kakofoni e tërë, që turisti e ndjen dhe e sheh sa hyn në rrugën kryesore, e deri poshtë në brigjet përballë ishujve, kaos i cili vazhdon edhe drejt rrugës për Butrint. Por me të hequr rrobat dhe bezdinë e djersës në rrugën plot vapë dhe sapo gjendesh përballë detit, i harron të gjitha. Kaltërsia të thith si magnet dhe ti nuk dëshiron gjë tjetër veçse të kridhesh në ato ujra të kristalta e të shkosh me not deri në brigjet e ishujve të vegjël.
Ksamili ndodhet 18 km larg Sarandës dhe me infrastrukturën e re rrugore, edhe pse jo në kushte perfekte, bëhet për disa minuta. Është i përshtatshëm për turizmin familjar dhe pothuajse të gjitha godinat që e kanë populluar, që nga hotelet më të mira e deri tek shtëpitë më të vogla, kthehen në pritëse të turistëve të shumtë e asnjëherë nuk janë mjaftueshëm.

 

Pak Histori

Historia e Ksamilit si qytet mund të thuhet se filloi në vitet `70 të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit komunist kur qindra familje, rini vullnetare por edhe njerëz që persekutoheshin nga regjimi komunist, filluan të hapnin toka të reja që u mbollën kryesisht me ullinj e agrume, duke e kthyer Ksamilin në një perlë të vërtetë. Sot pemët dhjetëravjeçare zbukurojnë qytezën dhe i bëjnë një shërbim të madh turizmit, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme mesdhetare.
Në vitet ’90 Ksamili numëronte të paktën 3500 banorë që kishin ardhur nga Saranda, Gjirokastra, Përmeti, Korça, Kukësi dhe Peshkopia dhe që ishin bërë banorët e përhershëm pas ndërtimit të qytezës ne vitet 70.

Plazhet e Ksamilit

Natyrisht që arsyeja kryesore se pse keni ardhur në Ksamil, janë plazhet e tij të mrekullueshme. Për fat të keq është vështirë të gjesh një hapësirë publike në plazhet e Ksamilit por kjo nuk e ndal aspak fluksin e shumtë të turistëve.
E gjithë vija bregdetare e Ksamilit, është e përthyer dhe e ndërprerë nga “xhepa” plazhesh, me numër të kufizuar çadrash, ku në disa syresh, mund të qëndrojë edhe një familje e vetme, apo deri në dhjetë persona. Disa prej plazheve kanë një rërë të imët e të bardhë që nuk e has asgjëkundi në bregdetin shqiptar. Ju mund të zgjidhni kudo por ne po ju sugjerojmë disa prej plazheve më të spikatura.

 

   

Gjiri i Hartës. Ksamili fillon që aty ku i thonë Qafa e Hartës dhe mund të themi që plazhi i parë që ju sugjerojmë është pikërisht Gjiri i Hartës, Një plazh i madh e i gjerë ku ofrohen edhe shërbime, bar e restorant, varka për lundrim dhe disa trampolina të vogla plastike.

Plazhet përballë Ishujve. Janë një seri plazhesh të vogla e shumë të bukura, të cilat shohin të gjitha përballë ishujve. Secila prej tyre, përveç shërbimeve, ofron edhe varka ose kajakë, me të cilat mund të vizitohen ishujt.

Pema e Thatë. Është një plazh shumë i bukur e mjaft i frekuentuar që shikon përballë Korfuzit dhe ndodhet vetëm gjysmë milje larg tij. Ndonëse është vështirë të gjesh plazhe të cekët në Ksamil, ky është një prej plazheve me thellësinë më të vogël të bregut, gjë që e bën të zgjidhet shumë nga familjet me fëmijë të vegjël.
Plazhi Pasqyrat. Ndonëse e kemi ofruar në plazhet e Sarandës, ky plazh i përket Ksamilit. Ndodhet rrugës nga Saranda për në Ksamil dhe është një plazh me ujëra të kristalta e të qeta që pasqyrojnë vazhdimisht qiellin. Ndaj dhe peshkatarët e shumtë të zonës e kanë quajtur kështu.
Plazhi Pulëbardha. Thuhet se dikur një pulëbardhë kishte aty folenë dhe vendasit që e shkonin shpesh i vunë emrin e saj. Tani plazhi, një km larg nga rruga kryesore popullohet dendur me turistë, që nga maji e deri në fund të shtatorit.
Por ka edhe shumë plazhe të tjerë më të vegjël, të vendosur përgjatë vijës bregdetare, që po zënë vend gradualisht në përditshmërinë e atyre që diskutojnë për pushime, siç është Kep Merli, një plazh shumë intim e i panjohur, ku po ngrihet edhe një kompleks turistik shumë modern, për t`u dhënë mundësi atyre që duan të pushojnë larg fluksit e vëmendjes së njerëzve.

Kuzhina në Ksamil

Të veçantë e bëjnë Ksamilin dhe baret e restorantet përgjatë bregut, të cilët janë të ndërtuar me dru. Ato janë të hijshme, të thjeshta dhe ndonëse pranë e pranë njëri-tjetrit, secili ka të veçantën e vet. Ato plotësojnë nevojat e zakonshme për konsum të plazhistëve, me kafen e mëngjesit, pijet e ndryshme dhe gatimet për vaktet e drekës apo darkës. Prodhimet e detit janë karakteristike për çdo kuzhinë në Ksamil. Ato janë të freskëta dhe me një cilësi mjaft të lartë për shkak të pastërtisë së detit dhe kripëzimit të lartë. Menutë ofrojnë lloje të ndryshme peshku, prodhime deti, midhjen e pamunguar të Butrintit por edhe kuzhinë tradicionale, e cila ofrohet zakonisht në tavernat e vogla dhe restorantet familjare.

 

   

 

Ishujt monument natyre

Ndodhen rreth 7.5 – 15 m mbi nivelin e detit. Janë ishuj të vegjël shkëmborë pranë njëri-tjetrit, të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft mirë i zhvilluar, i përbërë nga ilqeja (Quercus ilex), vërriu (Alnus glutinosa), vidhi (Ulmus campestris), dafina (Laurus nobilis), mersina (Myrtis communis), etj, të klasës Qurcio-Ilicis, ndërsa në ujin detar gjallon një faunë e florë mjaft e pasur, ku vlen të veçohet fanerogami (Halophyla stipulacea) dhe bivalvori (Pinna nobilis), lloje të mbrojtur nga konventat Ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon. Përbën një zonë unikale dhe mjaft përfaqësuese e bregdetit shkëmbor jonik shqiptar. Ky monument ka vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, dhe turistike. Për ta vizituar merret rruga automobilistike Sarandë-Ksamil dhe deri te ishujt me lundrim.

Çfarë të bëni në Ksamil

Gjëja e parë që ju sugjerojmë, është të pini një kafe në baret e bukura përballë ishujve. Është një prej atyre kënaqësive të vogla por të pamungueshme që zbukurojnë ditën tuaj nëse e nisni duke thithur ajrin e freskët të Jonit, bashkuar me aromën e kafesë.

Një xhiro në shëtitoren e bregut. Vitet e fundit Ksamili është pajisur edhe me një shëtitore, që gjarpëron paralel me bregdetin, në anën perëndimore të qytezës. Për atë që nuk do shumë lodhje e që mbush kohën e lirë, shëtitjet e freskëta të pasdites janë zgjidhja ideale. Ndërkohë që për argëtimin e fëmijëve, ka edhe kënd lojërash.

Të peshkoni. Për amatorët e sportit të peshkimit, të cilët me siguri kanë ardhur në Ksamil me një kallam me vete, një ditë mund të fillojë edhe duke peshkuar që në orët e para të mëngjesit, në destinacionet më të mira përgjatë bregut të Ksamilit, ku, të jeni të sigurt se do të gjeni të gjitha llojet e peshqve që deti Jon ofron. Nuk ka asgjë më të mirë pas një dite peshkimi se sa të shijosh një drekë të shijshme me peshqit që ke kapur vetë.
Të zhyteni. Bota nënujore e Ksamilit, është një tjetër mrekulli që nuk e gjen gjetkë. Koralet shumëngjyrëshe, peshqit dhe gjallesat e larmishme, anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta janë një rast i papërsëritshëm për ju. Ju mund ta shijoni edhe thjesht duke bërë snorkeling me një maskë uji dhe një tub por mund edhe të zhyteni me pajisje, aktivitet për të cilin ju këshillojmë të lidheni me Spiranca Diving Center. (Shiko kontaktet në rubrikën e tureve)

Të eksploroni ishujt. Merrni një kajak, nga ata që kanë me shumicë plazhet në brigjet përballë ishujve. Një xhiro kushton 500 lekë të reja. Bëni në vizitë në ishujt përballë, të cilët me siguri që i keni parë vetëm nga plazhet. Na besoni, do të zbuloni një botë tjetër. Gjire të vegjël që as i kishit parë ndonjëherë, guva të fshehta, shkëmbinj të thepisur ku është e vështirë të ngjitesh por mjaft tërheqëse. Dhe brenda në ishuj, një bimësi e dendur mesdhetare që kur ta zbuloni do t`ju duket sikur nuk keni qenë në Ksamil. Një ditë e kaluar duke u marrë me eksplorim do ta ndryshojë shijen e pushimeve tuaja.

Të shkoni me varkë në Liqenin e Butrintit. Këtë ditë ju mund ta kombinoni duke bërë së paku tri gjëra të ndryshme; të bëni një vizitë në Butrint për të zbuluar historinë dhe thesaret e antikitetit. Ose të bëni një xhiro me varkë përmes Kanalit të Vivarit për të shkuar në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, shërbim që mund ta gjeni në hyrje të Parkut të Butrintit (shiko rubrikën për Butrintin). Ose të shkoni tek The Mussle House – Shtëpia e Midhjes dhe të bëni një xhiro me varkë nëpër fermat e midhjes, ku kultivohet mbretëresha e liqenit e me atë rast të provoni edhe gatimet e shkëlqyera të restorantit, të gjitha me bazë midhjeje por jo vetëm.