Syri i Sheganit, thesari i çmuar i Malësisë së Madhe

October 22, 2019 || views

“Syri i Sheganit” është një ndër bukuritë dhe pasuritë natyrore që ka Malësia e Madhe. Vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, është një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme që nuk duhet humbur kurrsesi. Ky burim karstik gjendet në afërsi të fshatit Kosan (Bajzë), në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës. Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit.

 

“Syri i Sheganit” del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës. Banorët që jetojnë në këtë zonë e shfrytëzojnë këtë vend për të peshkuar, si formën e vetme të jetesës. Janë pikërisht këta banorë, të cilët me punën dhe vullnetin e tyre po e mbajnë dhe e zhvillojnë këtë zonë gradualisht.

Ka ardhur tanimë koha që Syrit të Sheganit t’i kushtohej më tepër vëmendje, për të bërë të mundur zhvillimin e turizmit dhe të zonës përmes nismave për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe eventeve që mund të zhvillohen, në një zonë që ofron një peizazh mbresëlënës e ku njeriu mund të gjejë qetësinë shpirtërore larg zhurmave të qytetit.

 

   

Turizmi i eventeve po zë gjithmonë e më shumë vend në kalendarin e festave lokale që synojnë zhvillimin e zonave me potencial turistik, bazuar në traditën dhe kulturën që mbartin, duke u kthyer në festa të hareshme e gjithëpërfshirëse, falë kontaktit të drejtpërdrejtë me natyrën, njerëzit, traditat, gastronominë e kulturën. Këtë vit në Syrin e Sheganit, falë nismës së Kryetarit të Njësisë Administrative Kastrat, së bashku me peshkatarët e zonës, dhe bashkëpunimit të VIS dhe Bashkisë Malësi e Madhe u organizua  FESTA E PESHKUT.

Për të marrë më shumë informacion mbi festat lokale të Malësisë së Madhe, vizitoni faqen e VIS Albania