Shkëmbi i Kavajës, aty ku u ndeshën titanët e Romës
September 5, 2024 || views
Ilirjan Gjika
Historian, studiues
“Askujt prej pushuesve të shumtë që shijojnë ujin dhe rërën e kësaj pjese të bregdetit të Adriatikut, nuk i shkon mendja se në antikitet këtu do të ndesheshin për jetë a vdekje, Çezari dhe Pompeu, dy strategët më të mëdhenj të Romës”.
Kavaja është një nga 61 bashkitë e Shqipërisë dhe një qytet i vjetër me tradita të spikatura, ku vizitorët e shumtë mund të prekin nga afër një sërë monumentesh brenda dhe në periferi të saj. Ndërkohë plazhet e shumta të bregdetit që nisin nga gjiri i Durrësit dhe shtrihen deri pranë grykëderdhjes së Shkumbinit, janë nga më të frekuentuarit gjatë stinës së verës. Në këtë hapësirë zhvillohet gjerësisht turizmi historiko-kulturor, sportet ujore, aktivitetet me karakter argëtues në natyrë, si dhe ekspeditat, vrapimet, çiklizmi, hipizmi, automobilizmi, etj.
Një vlerë e shtuar në këtë hapësirë të gjerë përbën edhe Shkëmbi i Kavajës, një monument natyror që ngrihet buzë detit Adriatik. Me një lartësi prej 105 m mbi nivelin e detit ai është një masiv gëlqeror i krijuar miliona vjet më parë. I përmenduar qysh në antikitet me emrin Petra dhe pjesërisht i zhveshur nga bimësia,
Shkëmbi i Kavajës, ka shërbyer gjatë kohës si pikë referimi. Në të kaluarën e afërt, gjatë periudhës së komunizmit, ai ishte shndërruar nga ushtria shqiptare në një vend fortifikimi, ku përgjatë tuneleve dhe bunkerëve të tij ishin vendosur topa të kalibrave të mëdhenj. Ndërsa sot, ky monument natyre shërben, si njëri prej vendeve më të preferuara të turizmin detar. Por, askujt prej pushuesve të shumtë që shijojnë ujin dhe rërën e kësaj pjese të bregdetit, nuk i shkon aspak ndërmend se pikërisht këtu, u ndeshën në antikitet dy nga prej protagonistëve më të njohur në historinë e doktrinave ushtarake: Pompeu dhe Çezari.
Ndërkohë le të bëjmë pak historicizëm. Bëhet fjalë për ngjarjet e luftës civile të viteve 49-48 pk, që i dha fund Romës republikane. Ishte koha ku pas vrasjes së Krasit në vitin 53 pk, në luftë me parthët në territorin e Armenisë, u prish edhe ekuilibri i Triumviratit të Parë (1).
Pompeu që kontrollonte pushtetin në Romë që prej vitit 52 pk, së bashku me Senatin iu drejtua Çezarit që të shpërndante ushtrinë. Ky i fundit nuk iu bind vullnetit të Romës dhe pasi u shpall armik prej saj, vendosi të marshojë kundër Pompeut dhe Senatit. Në janar të vitit 49 pk, Çezari, kaloi lumin Rubikon duke nisur kështu veprimet ushtarake të Luftës II civile. Përparimi i shpejtë drejt Romës e detyroi Pompeun të tërhiqej në Apulia (Pulia) dhe që andej së bashku me shumicën e Senatit të kalonte në Iliri. Duke u vendosur në provincën romake të Maqedonisë ai mendonte ku gëzonte mbështetje të organizonte qëndresën (2).
Së bashku me trupat e tij besnike dhe me pjesën më të madhe të senatit, ai u stacionua në Dyrrah, duke patur nën kontroll edhe qytetet e tjera të bregdetit të Ilirisë së jugut, si: Orikun, Apoloninë dhe Lisin (3). Nga ana tjetër, Çezari, u nis në 5 janar të vitit 48 pk me shtatë legjione nga Brindizi dhe zbarkoi pa asnjë problem ne Palasë, në jug të Karaburunit duke ju shmangur flotës së Pompeut, e cila ishte më superiore në numër dhe kontrollonte bregdetin.
Në këtë kohë Pompeu ndodhej në Kandavi (Librazhd) duke u kthyer nga Maqedonia për të dimëruar në Dyrrah dhe Apoloni (4).
Pasi mori Orikun pa luftë, Çezari, iu drejtua Apolonisë, qytetarët e së cilës i hapën portat e qytetit. Ndërkohë Pompeu i informuar rreth ngjarjeve të ndodhura bëri një marshim të sforcuar për ti prerë rrugën Çezarit drejt qyteteve të bregdetit Apolonisë dhe Dyrrahut. Arritja e shpejtë e tij dhe vendosja përtej lumit Aps (Seman) e detyroi Çezarin të ngrinte kampin në bregun tjetër të lumit. Në këto kushte ai nisi një letër oficerëve të tij në Brindizi që sapo koha të ishte e përshtatshme të lundronin me gjithë trupat për në Apoloni, sepse kjo pjesë e bregdetit nuk patrullohej nga flota e Pompeut (5).
Bashkëpunëtori i tij i afërt, Mark Antoni, zbarkoi në Shëngjin duke marrë nën kontroll portin si dhe qytetin e Lisit (Lezhën). Në këto kushte, Pompeu, u tëhoq drejt veriut duke e vendosur kampin në bregun e djathtë të lumit Shkumbin në vendin e quajtur Asparag (6).
Nga ana tjetër nisi flotën e drejtuar nga i biri, Seksti, duke sulmuar anijet e Çezarit në Orik dhe Shëngjin, me qëllim ndërprerjen e ndihmave dhe furnizimeve që mund ti vinin nga Italia. Në këto kushte Çezari i ofroi betejë Pompeut por ai nuk lëvizi nga pozicionet e fortifikuara në bregun tjetër të lumit. Vetë Çezari në rolin e historianit, kur përshkruan hollësisht këto ngjarje në librin e tij ‘’Belli Civilis’’ (Lufta Civile), shkruan se ai e vendosi kampin ushtarak ‘’contra Asparagium’’ (kundrejt Asparagut), ndërsa kundërshtari i tij ‘’ad Asparagium’’ (në Asparag) (7).
Duke lënë këmbësorinë në kampin e tij, ai, ndërmori një tjetër veprim, ku në mbrëmje së bashku me kalorësinë nisi një marshim të shpejtë dhe të sforcuar. Duke përshkuar rrugën përmes Dumresë ai kaloi lumin Shkumbin, diku pranë Peqinit duke u bashkuar me trupat e Mark Antonit të ardhura nga veriu. Më pas duke ndjekur itinerarin Pezë e Vogël-Vrap-Dorëz doli në luginën e Erzenit dhe u vendos në kodrat e Arapajt, në jug të Durrësit (8).
Ky veprim që e shkëputi Pompeun nga Durrësi e detyroi Pompeun atë ta lëvizte kampin me shpejtësi dhe të vendosej te Shkëmbi i Kavajës, i bllokuar tashmë në veri dhe jug nga trupat e Çezarit (9).
Duke zbatuar taktikën e ndjekur në luftë me galët, Çezari, e rrethoi kampin e Pompeit me një dy radhë ledhesh dhe fortifikimesh, që nisnin në Arapaj në veri dhe e qarkonin atë në lindje, duke u mbyllur në jug përgjatë fushës së Kavajës. Po kështu ai devijoi edhe rrjedhjet e përrenjve dhe ujërave rrjedhëse duke e privuar kundërshtarin edhe me mungesën e ujit (10).
Te Shkëmbi i Kavajës, Pompeu, qëndroi i izoluar me trupat e tij deri në fillim të verës. Për të mos lejuar keqësimin e situatës dhe raskapitjen e ushtrisë në rast se rrethimi do të zgjaste përsëri ai vendosi të sulmonte. Kështu, flota e tij zbarkoi në shpinë të Çezarit duke krijuar një të çarë. Paralelisht me këtë veprim këmbësoria e Pompeut kaloi gjatë natës linjën mbrojtëse në drejtim të jugut, në një pikë të dobët të saj. Të nesërmen ai e theu Çezarin edhe me dy sulme të fuqishme dhe e detyroi që në mbrëmje të tërhiqej drejt Apolonisë (11).
Duke vlerësuar situatën Çezari la në në këtë qytet katër kohorta me të plagosurit dhe u nis drejt Greqisë, për ta zhvilluar atje betejën vendimtare kundër Pompeut (12).
Ndërkohë, një pjesë e historianëve mendojnë se luftimet përfundimtare të betejës së Shkëmbit të Kavajës, u zhvillua në jug të tij diku pranë Golemit të sotëm. Këtu Pompeu e dërmoi ushtrinë e Çezarit duke kapur rob një pjesë të saj. Ndoshta që nga ajo kohë ruhet edhe toponimi i njohur si ‘’Mali i Robit’’, megjithëse një gjë e tillë ka mbetur në nivelin e hipotezës. Gjithsesi deri në fillim të shek. XX në territoret ku ishin zhvilluar këto veprime ushtarake ruheshin akoma mbetjet e ledheve dhë fortifikatave të ndërtuara prej ushtrive romake (13).
Kjo pjesë e rëndësishme e Luftës Civile eë zhvilluara në vitin 48 pk, do të nxiste shekuj më vonë jo vetëm interesin e historiografisë por edhe të politikës. Kështu, në vitin 1861 erdhi në Shqipëri historiani dhe arkeologu francez Leon Hezej, i shoqëruar nga arkitekti Henri Dome. Ata ishin dërguar nga perandori i Francës, Napoleoni III, për të studjuar zhvillimet e Luftës Civile midis Çezarit dhe Pompeut. Pikërisht këto kërkime, së bashku me shumë të tjera, dijetarët francezë do të publikoheshin në vitin 1876, në librin e tyre: “Mision arkeologjik në Maqedoni”. Më pas, do të ishte vetë Hezej, i cili në vitin 1888 do të botonte një tjetër libër të titulluar: ‘’Operacionet ushtrake të Jul Çezari’’ (14).
Ndërkohë që gjatë Luftës I Botërore, do të ishte oficeri austriak Georg Fajt, i cili i cili kreu studime rreth këtyre ngjarjeve. Të gjitha lëvizjet në terren, vendet e luftimit dhe vendfushimet e kampeve, ai do ti përmblidhte në librin e tij, të botuar në Vjenë në vitin 1920: ’’Fushata e Durrësit ndërmjet Cezarit dhe Pompeit – Me cilësime të veçanta të gjeografisë historike nga teatri i luftës në Shqipëri’’. Në këtë botim, Fajti, përcakton Shkëmbin e Kavajës si vendin e ndeshjes midis dy strategëve romakë, duke edhe dhënë një ndihmesë të madhe historisë së kësaj lufte (15).
Por pikërisht në këtë vend midis Shkëmbit të Kavajës dhe bregut të detit, ndodhet një rrip i ngushtë toke ku në antikitet dhe në mesjetë kalonte arteria e Rrugës egnatia që niste prej Dyrrahut për të përfunduar në Kostandinopojë. Pikërisht këtu kanë kaluar me radhë udhëtarë, ushtarë, konsuj, perandorë, pelegrinë, prelatë të lartë, njerëz që vinin nga Lindja dhe Perëndimi.
Po kështu edhe sot në këtë segment të autostradës kalojnë me dhjetra pushues edhe vizitorë që kryesisht gjatë stinës së verës synojnë brigjet shqiptare të Adriatikut dhe Jonit. Gjithsesi pakkush prej tyre e dinë se pikërisht këtu, te Shkëmbi i Kavajës, u ndeshën dikur ‘’jetë për vdekje’’, dy nga burrat më të shquar të historisë së Romës. Ndërsa së bashku me sinjalistikën rrugore duhet të vendoset qoftë një tabelë e vetme, që të na kujtojë këtë ngjarje e cila do të ndryshonte fatin e botës.
……………….
Bibliografi
1-Karl Grinberg, Historia botërore dhe qytetërimi, Uegen, Tiranë 2003, f. 65-69
2-Roland Gjini, Histori e Romës së Lashtë, Sejko, 2003, f. 107-109
3-Caesaris, Belli Civilis, III. 5
4-Caesaris, Belli Civilis, III. 11
5-Caesaris, Belli Civilis, III. 11, 12, 13, 25
6-Caesaris, Belli Civilis, III, 26, 76
7-Caesaris, Belli Civilis, III, 76
8-Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1981, f. 98-99
9-G. Veith, Fushata e Durrësit ndërmjet Cezarit dhe Pompeit, 55, Tiranë 2006, f. 62
10-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 150
11-Caesaris, Belli Civilis, III. 63, 75
12-Caesaris, Belli Civilis, III. 78, 79
13-G. Veith, Fushata e Durrësit ndërmjet Cezarit dhe Pompeit, 55, Tiranë 2006, f. 59-132
14-L. Heuzey-H. Daumet, Mision archeologique en Macedoine, Paris 1876; Leon Heuzey, Les opérations militaires de Jules César: étudiées sur le terrain par la mission de Macédoine. librairie Hachete Et Cix, Paris 1886
15-G. Veith, Fushata e Durrësit ndërmjet Cezarit dhe Pompeit, 55, Tiranë 2006, f. 62