Dekada e tretë duhet të na çojë drejt turizmit autentik
July 22, 2021 || views
Irhan Jubica
Nëse dekada e parë e mijëvjeçarit të ri shënoi lindjen e turizmit në Shqipëri, e dyta – me përjashtim të vitit pandemik – ishte dekada e zhvillimit të vrullshëm të këtij sektori, tashmë jetik për ekonominë e vendit. E ndërsa lindjen e munduan dy mungesa thelbësore: e përvojës dhe sidomos e infrastrukturës rrugore drejt destinacioneve, zhvillimi kaotik u shoqërua me një sërë problematikash të tjera. Luhatja e përhershme mes orientimit drejt një turizmi masiv e pasiv të bregdetit apo atij elitar, kulturor dhe natyror në brendësi të vendit – e dëshmuar në dokumentet strategjike të politikës së madhe, si dhe në deklaratat e drejtuesve politikë të institucioneve qendrore të turizmit, do të vazhdojë ta ndikojë zhvillimin e sektorit. Pavarësisht se mosbesimi te potenciali i autenticitetit për t’i prirë turizmit ka nisur të vihet në dyshim nga suksesi i beftë i modelit të suksesshëm të disa operatorëve të vegjël turistikë që merren sidomos me agroturizmin dhe lëvrmin e kulturës tradicionale, rajone të rëndësishme të vendit, që për shkak të izolimit të thellë kanë ruajtur thuajse të paprekur origjinalitetin dhe identitetin shqiptar deri në fillim të mijëvjeçarit të tretë – vazhdojnë të jenë larg vëmendjes së propagandës dhe investimeve shpreshherë bazike qeveritare. Madje në shumë raste, të ideuara prej njerëzve të ngecur në zyrat e betonta të një Tirane shfarosëse ndaj trashëgimisë, projektet qeveritare janë aq të palidhura me veçantitë e kontekstit vendor, sa kanë çuar në shpërfytyrimin e destinacioneve unike të turizmit në Shqipëri, duke rrezikuar edhe më – humbjen e identitetit dhe uniformizimin e tyre në të gjithë vendin. Projekte si “Rilindja rurale”, apo edhe “Rilindja urbane” i kanë bërë qesharakë sheshet e fshatrave dhe qyteteve tona. Përmes krijimit të një modeli të paqenë dhe replikimit të tij në çdo terren, Tamara e Shishtaveci nuk dallojnë më nga Voskopoja e Tushemishti. Në vend që të thellohet në vizione dhe të hartojë politika për mbërritjen e tyre, perveçse ka centralizuar investimet, qeveria ka vite që merret me bartjen e pllakave të gurit nga Tomori drejt Alpeve. Ose shpall misione të pamunduara, si ai i harruari i tre viteve më parë për mbjelljen e 20 milionë pemëve deri më 2020, me një rekord të hiperbolizuar prej gati 27 mijë pemësh në ditë. Sigurisht të vetmet pemë që u mbollën ishin ato përpara kamerave, ku personazhe groteskë marketonin veten. Njëjtë si në spotin ku ministri diletant pretendonte dekonstruktimin e filmit të një aktori të njohur të kinemasë botërore – dhe po aq qesharak sa paraardhësit e tij që premtonin përmirësimin e cilësisë së Diellit dhe të rërës.
“Projekte si “Rilindja rurale”, apo edhe “Rilindja urbane” i kanë bërë qesharakë sheshet e fshatrave dhe qyteteve tona. Përmes krijimit të një modeli të paqenë dhe replikimit të tij në çdo terren, Tamara e Shishtaveci nuk dallojnë më nga Voskopoja e Tushemishti.”
Duke u kthyer te potenciali i pashfrytëzuar i autenticitetit, duket e pashpjegueshme se si shteti nuk po arrin të lexojë si duhet rritjen e qëndrueshme të numrit të vizitorëve në qendrat muzeale, arkeologjike e historike, duke mos e orientuar një pjesë të vëmendjes dhe të investimeve serioze tyre. Po aq i pashpjegueshëm është keqpërdorimi deri në tallje i funksionalizimit për një herë të vetme – ditën e zgjedhjeve të 25 Prillit 2020 – i Aeroportit të Kukësit, në zemër të Nënrajonit Verilindor, që në Strategjinë e Turizmit 2019-2023 konsiderohet si një ndër polet për zhvillimin e turizmit. Ndonëse ky është një nga qarqet më të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në mbarë vendin – për shkak se nga Pika e Kalimit Kufitar të Morinës hyjnë në vend gati 50% e vizitorëve (vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit 2021, nga kjo Pikë hynë në Shqipëri rreth 380 mijë vizitorë) – numri i turistëve që qëndrojnë qoftë edhe përkohësisht në këtë qark është i pakonsiderueshëm, e rrjedhimisht edhe të ardhurat për zonën janë thuajse zero. E njëjta gjë mund të thuhet për Mirditën përmes së cilës kalon Rruga e Kombit që sjell miliona vizitorë në bregdet, sikurse edhe për malet e Labërisë, ku investimet publike për resortet private rrezikojnë ta injorojnë sërish orientimin e vëmendjes së vizitorëve të huaj drejt thesareve dhe njerëzve më genuinë të Shqipërisë së Jugut. Sepse Alpet Shqiptare, Mirdita, Verilindja dhe Labëria janë zonat ku traditat kulturore, veshjet dhe ritualet e pasura kanë mbijetuar deri më tash në formën e tyre më të paprekur nga modernizmi, prandaj këto zona me elementë të tillë përcaktues për turizmin kulturor do të duhej të ishin në krye të listës së prioriteteve, ndoshta edhe përpara qyteteve me ndikim të theksuar otoman, aq të përhapur nëpër Ballkan e më gjerë. E sigurisht edhe përpara sajimit, financimit dhe promovimit të festivaleve të muzikës elektronike, me të cilët asnjëherë nuk do të mund ta çudisim botën.
“Duke pasqyruar këtë dekadë të zhvillimit, që prej themelimit të saj në Maj 2011, revista Travel ka mëtuar të tërheqë vëmendjen ndaj kësaj trashëgimie që ka fuqinë të na bëjë të dallueshëm në mesin e smogut gri të globalizmit, ashtu si një malësore me xhubletë dallon mes koleksionit me Barbie miliarda dollarëshe.”
Duke pasqyruar këtë dekadë të zhvillimit, që prej themelimit të saj në Maj 2011, revista Travel ka mëtuar të tërheqë vëmendjen ndaj kësaj trashëgimie që ka fuqinë të na bëjë të dallueshëm në mesin e smogut gri të globalizmit, ashtu si një malësore me xhubletë dallon mes koleksionit me Barbie miliarda dollarëshe. Përmes artikujve, intervistave, forumit të debatit, shënimeve të udhëtarëve të huaj, personazheve dhe fotografive, në të 33 numrat e deritashëm është theksuar nevoja e ripozicionimit strategjik të Shqipërisë drejt autenticitetit në ofertën e saj turistike, natyrshëm të diversifikuar me agroturizmin, turizmin bregdetar e ujor në përgjithësi, e më pas me nënsektorë të tjerë të turizmit, në përplotësim me Kosovën dhe rajonin për të konkurruar në tregun global si një ofertë e përbashkët. I aktualizuar deri në kufijtë e motos së Delfit për shkak të bllokimit të lëvizjes së lirë nga pandemia, potenciali i vlerave autentike mund të jetë pararendësi i kësaj epoke të re (edhe) për turizmin shqiptar: dekadës së ringritjes. Ashtu si sipërmarrjet turistike duhet të vazhdojnë rrugën e nisur duke gjetur mënyra dhe mjete të reja dhe të zgjuara për të tërhequr dhe mbajtur turistët në destinacionet kulturore dhe natyrore të Shqipërisë, që më pas edhe institucionet qendrore të turizmit t’u shkojnë pas me politika, edhe revistës Travel do t’i duhen njerëz me energji dhe ide të reja për ta shoqëruar, e pse jo edhe për t’ia treguar rrugën turizmit shqiptar. Mirëpo ashtu si e kemi thënë në editorialin e numrit të parë, revista do të jetë si të jetë vetë turizmi.
“Edhe pse ne, të gjithë bashkë, do të përpiqemi shumë që të bëjmë sadopak magji.”