“100 fshatrat”/ Nivica, gjithçka duhet për të kaluar një fundjavë fantastike në Labëri

June 9, 2020 || views

Nga Maela Marini

TIRANË, qershor/ATSH/ Me natyrën e mrekullueshme dhe mikpritjen karakteristike, fshati 2400-vjeçar i Nivicës është një tjetër destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj.

E përfshirë në programin “100 fshatrat”, që synon të krijojë një pikë të fortë referimi për zhvillimin rural, Nivica është kthyer në një pikë referimi për zhvillimin e agroturizmit.

Malësia e jugut ka kanionet më të thella, ujëvarat më të larta, kala ilire 2400-vjeçare, bujtina, qendrat historike të fshatrave dhe gjithçka duhet për të kaluar një fundjavë fantastike në Labëri.

“National Geographic”, “Washington Post” e të tjera medie të rëndësishme botërore i kanë kushtuar artikuj e reportazhe fshatit 2400-vjeçar të Nivicës, duke u ndalur te historia, mikpritja, klima, fauna, flora dhe peizazhet madhështore.

Vizitorë kuriozë, aventurierë të lartësive, biologë, arkeologë e gazetarë ngjiten drejt Nivicës, për kuriozitet apo punë shkencore dhe ndeshen me një panoramë krejt tjetër, me një natyrë të padëmtuar e të mirëkujdesur.

Nivica ndodhet në rajonin e Kurveleshit, që është pjesë e vargmalit, Mali i Gribës, një prej më të lartëve në këtë rajon. Kufizohet me 9 fshatra të rrethit të Tepelenës dhe për nga sipërfaqja është rreth 105 km2, ose fshati mё i madh i kёsaj krahine. /m.m/j.p/r.e/