10 Lundrimet e mia me kanoe

November 24, 2019 || views

Nga Kastriot Faci

Që nga fillimi i këtij viti, kam arritur të bëj 47 udhëtime në mal e në natyrë, deri më sot. Kjo, si një sfidë me veten time në vitin e 50 vjetorit. Nga këto, 10 janë lundrime me kanoe. Hera e parë që lundroj me kanoe, shumë kënaqësi, por nga ana tjetër si pa dashje kam zbuluar disa nga destinacionet të rëndësishme të lundrimit me kanoe në Shkodër e në Pukë. Lundrimet i kam realizuar në liqenet e Shkodrës, Vaut të Dejës, Komanit, e në lumejtë e Bunës e Drinit së bashku me miqtë e mi. Ndaj dua t`i falënderoj shumë ata, Andi Mulën nga “Water Sports on the Lake, Albania”, Alket Camaj, nga Ferma ekosociale si dhe të gjithë bashkëlundruesit e tjerë, Irena dhe Debora Negri Bakalli, Genta Trashani, Aurora Piroviq, Ingridi dhe Elionin Faci, Mark Kadarja, Jessicca Schelton, Blendi dhe Kujtim Gërdoçi, Mirsad Kuçi, DenisJu etj.

 

 

Liqeni i Komanit
U nisëm me makinë nga Shkodra rreth orës 07.30. Në kaladën e Komanit na u desh të prisnim pak, sa të nisej trageti i tejmbushur me makina e turistë vendas e të huaj, që ishin nisur drejt Fierzës. Destinacion kanë Valbonën. Lëshuam kanoet në ujë dhe të magjepsur shumë nga bukuria e shkëmbinjve të thepisur që na shoqëruan në dy anët e brigjeve të liqenit. Pas rreth 20 minutash e gjetëm veten përballë me shpellën e Kaurrit. Një labirinth shumë interesant me dy dajle, një e mbi një. Shpella quhet kështu, pasi dikur kishte shërbyer për strehimin e murgjërve katolikë. Nuk mund t`i rezistojme ujit të pastër të liqenit e të nxehtit të verës hidhemi të gjithë në ujë. Vazhdojmë lundrimin me kanoe. Format e maleve përreth dhe ujrat e liqenit që futeshin në thellësi të tyre me kujtojnë fjordet norvegjeze. Drekën e kemi marrë me vete dhe e po e hamë në breg të liqenit në fshatin Kishë Arre, vazhdojmë lundrimin. Në të dy anët tona në terrene shumë të thyera malore, shohim aty-këtu ndonjë shtëpi e ngastra të punuara e kopshte me pemë. Shtëpitë janë ndërtuar aq lart pasi liqeni i hidrocentralit të Komanit u kishte zënë tokën me ujrat e tij. Ishulli i Paqes ndodhet në afërsi të udhëkryqit, aty ku ne duhet të marrim majtas, duke lënë kthesën e Fierzës e drejtuar për në Lumin e Shalës. Sigurojmë kanoet në portin e vogël pranë shtëpisë së Kapitenit Mario Molla. Familja e tij, një prej banorëve të vetëm në këto shkrepa, na mirëpresin buzagaz e zemërbardhësi, ashtu siç i ka hije malësorëve tanë. Dielli ka nisë pikiatën e vet tashmë, shenjat e lodhjes duken qartë tek të gjithë. Një shpellë na shfaqet pas një kthese të fortë prej 90 gradësh në ujrat transparente të lumit të Shalës. Lumi është kujdesur që shtroja e saj të jetë një grumbull rëre shumë i imtë. Ka rënë muzgu dhe sapo kemi mbërritur në Blini Park, në të vetmin lokal këtu në mes të maleve, buzë lumit të Shalës. Distanca e përshkuar sot është 17 km. E nesërmja do të jetë një aventurë më vete.

 

Hani i Hotit- Syri i Sheganit (Liqeni Shkodrës)
Niveli i ujrave të liqenit këtë verë ka rënë si asnjëherë më parë. Leshterikët duket që janë zaptuesit e ujrave të Liqenit sidomos në cektinë. Ngjyra e ujit është kafe në të kuqe, pasojë e erës së fortë, e cila fryn pas shpinës sonë me rreth 23 km në orë, megjithatë është një ditë e ngrohtë. Era na shtynte fuqishëm pa patur nevojë për t`u dhënë rremave aspak. Destinacioni ynë për sot është Syrit i Sheganit, monument natyror. E lamë pas pikën kufitare të Hanit të Hotit. Ingridi, mbesa ime dhe unë të hipur në një kanoe dyshe lundrojmë në afërsi të bregut për të shmangur rrokullisjen e kanoes nga era dhe dallgët e forta. Merakosem për aparatin forotografik më shume se çdo gjë tjetër, sepse ky është lundrimi im i 7-të. Elioni, i cili e ka për herë të parë udhëtimin me kanoe, u rrëzua dy herë në ujë, shpejt e shpjet, paçka se është një trup muskuloz. Bëjmë ndalesën e parë në kampingun e ngritur nga gjuetarë apo çobanë të zonës. Nuk jemi të sigurtë kush e ka bërë, por e përgëzojmë për pozicionin dhe formën e tij në mungesë, ndësa bëjmë foton e parë të grupit aty. Të mahnitur të gjithë shijojmë bukuritë natyrore të Syrit i Zi, Syrit të Sheganit dhe Syrin e Virit, të gjitha burime ujrash nëntoksore, që vijnë nga alpet Shqiptare. Të gjithë lahemi në syrin e Kaltër dhe në Syrin e Virit. Era nuk përbën më problem për ne, na mbron kodra. Shijojmë drekën e më pas në vend të ëmbëlsires hamë fiq që këpusim nga një pemë fiku të egër, por shumë të ëmbël. Ndërkohë që një qen pastor na leh. Përshendetemi me të dhe me të zotët, turistë nga Polonia. Ata e kanë ngritur një kamping me tre çadra në brigjet e liqenit të Shkodrës. Pak më tutje një plakë e veshur me veshjen e zonës kujdeset për një tufëzë delesh, e punon një triko. Ajo na përshëndet duke na uruar rrugë të mbarë. Eshtë fundi i udhëtimit tonë për sot. Distanca e përshkuar është 11 km në 6 orë.

 

 

Lumi Drin- Plazhi Belaj, Lumi Buna
Këtë udhëtim e realizuam sëbashku me mysafirë të veçantë nga Kosova. E them kështu pasi na u bashkuan me ne Uta Ibrahimi me shokët e saj Valonin, Vullkanin dhe Arlindin. Uta është femra e parë Shqiptare që ngjiti majën më të lartë në botë, Everestin. Nisemi nga ura e Bahçallëkut, lumi Drin e për shkak të rrjedhës së fortë të tij shumë shpejt e gjejmë vehten në rrjedhën e qetë të lumit Buna, buzë fshtatit Zues. Lundrimi në Bunë të jep siguri dhe kënaqesi të madhe, kjo pasi përgjatë dy brigjeve të shfaqen peisazhe të bukura, ku natyra është treguar e pakursyer për t`i dhënë dorën e saj. Ndalesën e parë e bëjmë në rrënojat e Kishës së Shirqit, është Kisha e Princërve, këtu janë bërë celebrimet martesore të princërve. Bëjmë ndalesa të tjera në vazhdim, freskohemi në ujrat e Bunës. Me ne kanë ardhur dhe Kozeta dhe Saimiri, gazetarë, Artur Guni dhe Prof. Filipi nga AST Elbasani, që si ne dhe ata e kanë me shumë pasion natyrën. Andi dhe unë jemi shumë të kujdesur që gjithmonë të pozicionohemi në krahun e majtë të lumit. Kjo pasi jemi në një zonë kufitare. Lumi Buna ndahet në dysh me shtetin fqinjë Malit te Zi si me thikë në mesin e tij. Distanca e përshkuar sot në 5.5 orë është 14 km. Mbërrijmë në Belaj, aty ku një grumbull rëre e imtë ka formuar një plazh shumë të bukur me pemë e hije. Nga ana tjetër e bregut vetëm rreth 30 metër, ngrihet një shpat shkëmbor me lartësi rreth 120 metër. Në majë të tij qëndron ndërtesa e postës kufitare Malazeze. Këtu bashkëlundruesve u tregoj historinë e arratisjes me spektaktoriale e të pazakontë, për ditën me diell gjatë rregjimit komunist. Gjatë aksionit për ndërtimin e shtëpive të rrëzuara nga tërmeti i vitit 1979 në fshatin Dajc, ishin angazhuar shumë të rinj vullnetarë nga i gjithë vendi ynë. Sejcilit prej shoferëve të kamionëve, u ishte caktuar një ushtar i armatosur për siguri, kur u duhej të kalonin nëpër Belaj. Kështu mendonte “Partia” për tu siguruar që asnjeri nuk mund të arratisej. Mirëpo shoferi, një aksionistit nga Durrësi kishte një plan. Pasi kishte hapur mbulesën e motorrit të kamionit, i kishte kërkuar ushtarit që ta ndihmonte e të mbante të shkelur pedalen e gazit të kamionit tip “Zis”, pasi nuk po punonte mirë motorri. Jepi, jepi, bërtiste shoferi mbi motorrin e makinës. Ushtari i mëshonte fort e më fort pedalit të gazit. Nuk po e dëgjonte me zërin komandues të shoferit ndaj ulet të shikojë për të. Ishte shume vonë shoferi durrsak i kishte kaluar nga ana tjetër e lumit, ishte arratisur. Pikërisht ky vend ishte dhe destinacioni ynë për sot.

 

 

 

 

Vizitoni Shqipërinë, vizitoni Shkodrën! Më kontaktoni nëse jeni të interesuar në daljen e radhës me kanoe në 0682026559.