10 hotelet më të shtrenjta në botë, deri 200 milionë lekë për një natë
November 13, 2022 || views
Janë disa hotele nëpër botë, që kanë në dispozicion të klientëve ca dhoma, që për t’i paguar duhet të kesh një thes me parà.
Padyshim që po flasim për akomodim që ofron privatësi, pamje unike dhe ambiente luksoze.
Megjithatë këto dhoma u jepen vetëm atyre që janë të gatshëm të shpenzojnë shuma ekstravagante për të kaluar një natë relaksuese në to.
Pra, nëse po pyesni se sa para duhet të paguani për të kaluar një natë në suitat më të shtrenjta në botë, lista e mëposhtme që sjell noa.al do t’i përgjigjet pyetjes suaj.
10.The Royal Suite, Burj Al-Arab, Dubai – 25.000 euro
Burj al Arab në Dubai, një nga hotelet më të shtrenjtë dhe luksozë në botë, pret mysafirët e tij të pasur me suitën mbretërore që kushton të paktën 25 mijë euro për një natë.
9.The Royal Suite, The Plaza, Nju Jork – 36.900 euro
Royal Suite of Plaza është e dyta më e përballueshme në listë me një çmim prej 36,900 euro për një natë. Ka 3 dhoma gjumi, 3 tualete, sallon, ambjent të veçantë ngrënieje dhe palestër. Pamjet mahnitëse të Fifth Avenue dhe shërbimi 24-orësh do t’ju bëjnë të dëshironi të qëndroni atje përgjithmonë.
8.The Hilltop Villa, Laucala Island, Fixhi – 42,000 euro
Pushimi në një vilë të bukur në një ishull privat është ëndrra e shumicës prej nesh, apo jo? Villa Hilltop në ishullin Laucala në Fixhi sigurisht që e përmbush këtë ëndërr, megjithatë për rezervimin e saj duhet marrë miratimin nga pronari i ishullit dhe nëse ai pranon, duhet të paguani plot 42 mijë euro për një natë.
7.Suite Muraka, The Conrad Maldives, Maldive, 44 000 euro
Një eksperiencë unike luksoze nënujore ofrohet nga The Muraka Underwater Suite në Conrad Maldives Rangali Resort në Maldive. Gjysma e bukurisë së Maldiveve është në ujë dhe kjo suitë u jep të ftuarve mundësinë të vëzhgojnë ekosistemin nën nivelin e detit.
6.Suite Penthouse, Hôtel Martinez’s, Kanë, 49 000 euro
Një herë në vit, kur Kana pret yjet e kinemasë, kjo suitë e veçantë mbushet me yje të Hollivudit dhe premton luks e rehati për ata që mund të fusin dorën thellë në xhep. Suita ka katër dhoma gjumi, dy dhoma ndenjeje dhe dy dhoma ngrënie, ndërsa tarraca e madhe ofron pamje mahnitëse të Bulevardit de la Croisette dhe plazhit privat të hotelit. Me gati 50 mijë euro për një natë, kushdo mund të shkojë!
5.Laucala Island Resort Hilltop Estate, Fixhi, 54 000 euro
Laucala Island Resort Hilltop Estate është një vendstrehim tropikal në majë të malit Laucala Nawi në Fixhi. Shtëpia është në pronësi të pronarit të Red Bull, Dietrich Mateschitz dhe është në dispozicion sipas kërkesës. Kush dëshiron mund ta rezervojë për disa ditë duke paguar plot 54 mijë euro nata.
4.Grand Penthouse, The Mark Hotel, Nju Jork, 69 000 euro
Grand Penthouse është një nga suitat më të shtrenjta të hoteleve në botë. Ka 5 dhoma gjumi, 6 tualete, 4 oxhaqe, një sallon të madh me piano dhe një tarracë gjigante me pamje nga Central Park.
3.Royal Penthouse, Hotel President Wilson, Gjenevë – 73.000 euro
Penthouse Royal në Hotel President Wilson në Gjenevë të Zvicrës njihet si suita më e madhe e një hoteli në Evropë dhe ndër më të shtrenjtat në botë. Për një natë të vetme në Royal Penthouse duhen paguar 73,000 euro.
2.Empathy Suite, The Palms Casino Resort, Las Vegas, 92,000 euro
Kjo suitë është projektuar nga artisti i famshëm britanik Damien Hirst dhe të kujton më shumë një galeri arti. Ka një bar me 13 vende, dy sallone, dy dhoma masazhi, një xhakuzi, një dhomë relaksi me terapi me kripë, një palestër dhe një pishinë, si dhe disa dhoma gjumi.
1.Lovers Deep Luxury Submarine Hotel, Santa Lucia, 161.000 euro
Hoteli më i shtrenjtë në botë që kushton gati 200 milionë lekë të vjetra për një natë, ndodhet në Santa Lucia në Karaibe. Ai ofron një përvojë unike të qëndrimit në fund të detit! Është në të vërtetë një hotel-nëndetëse ku të ftuarit shijojnë akomodimin me 5 yje, duke pasur në dispozicion kapitenin, shefin e kuzhinës dhe shërbëtorin, si dhe lehtësira shtesë si transferimi me helikopter në plazhe.