Vila Sofia, ajo që na bëri të zbulojmë Gllavën

December 29, 2020 || views

Flora Xhemani Baba

Kur na foli për herë të parë miku dhe bashkëpunëtori ynë Isuf Braho, udhërrëfyesi i talentuar beratas, për një bujtinë të re që quhej Vila Sofia, e morëm si një prej sugjerimeve të radhës, siç zakonisht i përcjellim njëri-tjetrit informacionet e reja që lëvizin në fushën e turizmit. Ku ndodhet? Në Gllavë. Duhet të shkoni patjetër, është zonë shumë e bukur. Edhe i zoti i bujtinës ishte njeri që e kishte shumë të qartë se ç`po bënte. Dhe ishte shumë i interesuar.

Një ditë e planifikuam dhe u nisëm. Isufi nuk na kishte gënjyer. As për vendin, e as për të zotin e shtëpisë.
Nuk kishim dëgjuar asnjëherë për Gllavën. Nëse do gërmojmë në librat e historisë dhe gjeografisë, njohuritë tona shkonin deri në Memaliaj, tek miniera, në Luftinjë, emrin e së cilës e lexojmë buzë rrugës kombëtare dhe në Buz, prej famëmadhit Tafil Buz` mustaqeziu, trimit të çartur të kohës së Reformës së Tanzimatit.

Më tutje ishte Gllava. Përmes një gjarpërimi rruge e relievi të mrekullueshëm që ne e shijuam dyfish; si vjeshtë e thellë dhe si pasdite në të perënduar ku panorama ia kaloi çdo krahasimi të mundshëm. Deri në Buz, rrugë e asfaltuar. Më tutje rrugë e pashtruar fshati, me fragmente kalldrëmi nga rruga e dikurshme mesjetare. Dhe pas këtij gjarpërimi që nuk mbaroi deri kur zbritëm nga makina, u gjendëm në oborrin e Vila Sofia, jo si pjesë e ndonjë lagjeje fshati por si një shtëpi përrallash mes një panorame marramendëse.


Dhe kur takuam Hetemin e Natashën, të zotët e shtëpisë, mësuam gjithçka. Meqenëse e kemi përcjellë këtë artikull edhe bashkë me përshtypjet e gazetarit Aleksandër Toti, nuk po hyjmë në detaje historike, se si erdhi ky çift plot sqimë nga Tirana e u vendos këtu mes natyrës por larg njerëzve. Po ju themi vetëm se dashuria për rrënjët e prindërve dhe shtëpinë ku lind, të bën të shkosh në fund të botës.

Nëse do ta takoni ndonjëherë edhe ju nga afër Natashën, ndoshta do ta kuptoni se pse këmbëngulim aq shumë që t`i lini metropolet, qendrat tregtare e vendet vanitoze dhe t`i qaseni më shumë natyrës dhe njerëzve. Asnjë hotel luksoz nuk jua jep dot kënaqësinë që ju dhuron buzëqeshja e Tashës dhe ëmbëlsia e saj. Edhe gratë që e ndihmojnë në gatim e djemtë që shërbejnë, njësoj e marrin dozën e tyre të buzëqeshjes dhe fjalëve të ëmbla, si të ishin klientë. Se ajo nuk dinte të bënte dallime.
A, këtu do ndalemi pak. Dashuria për fshatin është dashuri për fshatin po gatimet, edhe pse me produktet e freskëta të zonës e të egra gjithashtu, kishin një tis aristokrat, ku Tasha kishte derdhur gjithë qejf shijet e saj të holla. Sallatë Cezar me vezë shkurtëze? Keni ngrënë ndonjëherë?

Pale reçelnat që kish bërë gjithë verën me fiqtë e oborrit, kumbullat, thanat, e që na i nxori për mëngjes me petulla, qumësht të ngrohtë të sapomjelë e gjalpë të freskët.
Prandaj dhe Hetemi po shtonte kapacitet. Se nuk mjaftonin më ato dhoma që kishin. Kërkesa ishte aq e madhe vetëm në një verë që ishin hapur, saqë po bëheshin gati dhomat e tjera.

Në kthim, nuk u larguam pa bërë një ngjitje në Malin e Gllavës dhe vizituar objektet me interes në zonë, ku Hetemi na tregoi aq shumë gjëra, sa na duhet një artikull tjetër në numrin e ardhshëm.
Por një gjë mund t`jua themi; duhet të shkoni patjetër. Është një nga top destinacionet e 2020-ës. Pa asnjë dyshim!

Faleminderit Vila Sofia!

Aleksandër Toti

“…T’ja themi këngës që dimë… për Tafil mustaqezinë…”
Me siguri, të gjithë keni dëgjuar për Tafil Buzin, toskun lavdimadh të shek XIX, i cili ngriti në këmbë, gjithë jugun e Shqipërisë, kundër reformave të Tanzimatit. Kjo mendje e ndritur e shpirti luftarak, i dha emër jo vetëm vendlindjes së tij, por gjithë krahinës së Buzit, i cili për vite të tëra do të shndërrohej në makthin e pagjumësisë për perandorinë Otomane, duke kërkuar medoems të drejtat e liritë e popullit, e ku bashkë me kapedanët e Labërisë në krye të 25.000 “…T’ia themi këngës që dimë… për Tafil mustaqezinë…”

 

Me siguri, të gjithë keni dëgjuar për Tafil Buzin, toskun lavdimadh të shek XIX, i cili ngriti në këmbë, gjithë jugun e Shqipërisë, kundër reformave të Tanzimatit. Kjo mendje e ndritur e shpirti luftarak, i dha emër jo vetëm vendlindjes së tij, por gjithë krahinës së Buzit, i cili për vite të tëra do të shndërrohej në makthin e pagjumësisë për perandorinë Otomane, duke kërkuar medoems të drejtat e liritë e popullit, e ku bashkë me kapedanët e Labërisë në krye të 25.000 trupave arbërorë, shpallën autonominë e Tepelenës asokohe.


E nisa me këtë logjikë historike, pasi aty është baza e madhështisë së një kombi. Të gjithëve na ndodh teksa shkojmë në një udhëtim turistik, pasi jemi ngopur me pamjet apo shijet e ushqimit, bëjmë pyetjen natyrale: Ç’histori ka ky vend?!

Tre çukat e Gllavës, që ngrihen në mbi 1000 metra lartësi të ofrojnë një pamje 360°, ku frymëmarrja të rrallohet nga mrekullia që përshfaqin horizontet. Aty harron që je njeri, sepse shpirti të shkon aq lart sa të duket se, kur librat e shenjtë përmendin parajsën, përshkruajnë pikërisht këto vise.
Të shkosh në Gllavë sot nuk është aq e lehtë, duhet të ndjekësh një rrugë disi të amortizuar për afro 20 – 30 Km pasi ke lënë asfaltin, por kjo nuk të mërzit aspak, ngjitja për në mal gjarpëron aq ëmbël, e është kaq piktoreske sa duket sikur ke udhëtuar fare pak minuta.
Dikur, ka qenë rruga antiko-mesjetare, e cila dallon nga gjurmët e kalldrëmta që shfaqen herë pas here përgjatë rrugës. Ajo lidhte qendrat e rëndësishme tregtare të asaj kohe, që vijonte nga Berati në Gjirokastër e mandej në Janinë. Kjo bënte që fshatrat përgjatë vijës të ishin mjaft të zhvilluara, si rezultat i tregëtisë dhe shkëmbimit, ky fakt ruan akoma elementë të kulturës dhe sjelljes njerëzore në këto vende, ku spikat mikpritja.

Megjithatë, shumë prej nesh ndoshta s’do ta shihnim kurrë e as do ta njihnim këtë bukuri të natyrës, toskanës shqiptare që s’bën dallim nga ajo e Italisë ku zbresin me miliona turistë në vit.
Hetemi dhe Natasha janë çifti më i ëmbël e karizmatik që mund të takoni ndonjëherë në këto anë. Ata janë dy të “arratisur” nga Tirana, e cila i mbajti gati 30 vjet peng sepse nevojat e jetës nuk mund të ndërtoheshin aty ku e kanë zanafillën e familjes, në Gllavë. Tashmë e kanë ndarë mendjen, kthim në vendlindje, sidomos kur njeriu arrin të realizojë disa ëndrra, ato më të mëdhatë në jetë, shpesh kërkon t`i gjejë shpirti pak qetësi natyrale. Ku më mirë se sa në mes të maleve, ajrit të pastër, pyjeve, gjësë së gjallë, ujit kristal, e diellit që shndrrin pa pengesë, një habitat krejt i kundërt me metropolin mbytës, të zhurmës dhe trafikut që s’përfundon kurrë.

Jeta siç duket paska një moment që të zgjon nga ëndrra dhe të thërret atje ku të ka rënë koka, thoshte Çajupi i madh dhe kjo bëri që ky çift të shkonte drejt kësaj aventure pa moshë, për t1u bërë ambasadorët e parë në zonë, ku papritur një mëngjes, lanë gjithçka për t’iu dhënë natyës, nostalgjisë dhe jetës së fshatit. E nisën si shtëpi për rehatin e familjes dhe si gjyshër të mirë të lidhur fort pas nipërve dhe mbesave, e quajtën “Vila Sofia”, mirëpo miqtë e shumtë që vijnë si vizitorë, “xhelozë” për rehatinë, këmbëngulnin të rrinin më gjatë në shtëpi dhe kjo bëri të mos jenë edhe aq “rehat” por e gjithë vila të kthehet në një bujtinë që pret e përcjell mysafirë nga çdo anë.

Nuk është aspak e lehtë të krijosh kushtet e duhura, sidomos kur kthehesh në një njësi shërbimi. Fshati sot është braktisur edhe ka mungesa, të cilat nuk plotësohen lehtë çka e shëndrrojnë eksperiencën në luks, e cila në fakt e meriton të jetë e tillë pasi jeta në qytetet e mëdha është bërë disi e vështirë dhe e papërshtatshme për shëndetin mendor e fizik të njeriut.
Këto mësuam herën e fundit nën shoqërinë e miqve e dhe Hetemit, pa harruar ushqimin e përsosur të Natashës. Do ta besoni kur ta provoni atë magji gastronomike, e cila kërkon medoemos prezencën e kuzhinerit në përfundim, për të shprehur kënaqësinë e marrë nga duart e saj.
Ky vit që po lemë pas, ishte viti i parë i bujtinës, e megjithëse i vështirë për shkak të situatës duket shumë shpresëdhënës, pasi vizitorët kanë qenë thuajse të përditshëm… thotë Hetemi, teksa tregon projektin e radhës, për të shtuar hapësirat e akomodimit dhe shërbimit, eksperienca e tij si një financier dhe biznesmen i suksesshëm, duket se jep besimin që gjërat do të shkojnë mirë në të ardhmen.

“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë.”- thotë ai … dhe si pinjoll i derës së Tafil Buzit, duket se e ka shumë të qartë jo vetëm rezultatin, por edhe ëndrrën e tij që e ktheu në vendlindje!
Miq, s”po ju shkruaj më gjatë, pasi shumë të tjera duhet të shkoni t`i mësoni vetë, veçse mos ngurroni, Natasha dhe Hetemi ju presin!
Mjafton një prenotim i vetëm apo grup, si ta doni dhe… aventura sapo ka filluar, shkruani për përshtypjet tuaja, jemi të bindur se ju kemi thënë shumë pak, duhen sytë tuaj për ta besuar!

Dy fjalë për Gllavën

Fshati Gllavë është një nga më të vjetrit në gjithë vendin. Ai ka ekzistuar që në shekullin e pestë të Erës sonë, rreth 1500 vjet më parë. Përmendet në emër në një dokument pronësie të Peshkopatës së 0hrit që në fillim të shekullit të njëmbëdhjetë, d.m.th. para njëmijë vjetësh.
Gllava i është kthyer besimit mysliman rreth vitit 1500. Në vitet 1830 – 1900 sekti Bektashi ishte i përha pur në Gllave dhe zonën përreth.
Duke qenë Bektashizmi vatër e çeshtjes Kombetare, në Gllave ushtruan aktivitetin e tyre fetar dhe patriotik edhe dy personalitete të shquara si Baba Smail Gllava dhe Baba Medin Gllava.
Nga Gllava ka qene një personalitetet i Klerit Bektashi, Baba Murat Cenaj, i cili ka qenë edhe deputet në vitet 1930 në vitet e Mbretërisë.

 

Gllava dallohet për prodhimin e mjaltit shumë cilësor, sidomos në Corraj. Nga ky fshat furnizohej me mjaltë edhe Familja Mbretërore në kohën e Mbretit Zog. Zona është shumë e pasur me bimë të egra mjkeësore, sidomos çaj mali dhe sherebelë.
Shkolla e pare shqipe u hap rreth vitit 1916.
Nga lartesitë e Gllavës, në Mars të vitit 1942, Benito Musolini drejtoi operacionin e 28 Divizioneve të Armatës së Nëntë Italiane, në frontin e Luftës Italio – Greke.
Si pika më e lartë e Jugut në Majën e Gllavës u vendosën për herë të parë antenat e kompanive telefonike dhe aty janë akoma dhe sot.
Pikat me interesante për t`u vizituar rreth e qark zonës janë Çezma e Kroit të Madh, Teqeja e Baba Ismailit, Depot e Komunizmit, Liqenet e Komarit, Mali i Gllavës, Buzi, Corraj etj.