Varri i Zvërnecit dhe aludimet rreth tij. A i përket ai një gjenerali bizantin të vrarë në Vlorë?!

8 Dhjetor, 2019 || 887 views

Nga Ilirjan Gjika

Në 1 maj të vitit 1900, studjuesi austriak, Karl Paç, pasi vizitoi kishën e Shën Marisë në ishullin e Zvernecit bëri edhe një zbulim interesant. Në naosin e kësaj faltoreje bizantine ai gjeti një varr mesjetar. Këtë zbulim, Paç, e publikoi pas disa vitesh në librin e tij të titulluar ‘’Sanxhaku i Beratit në Shqipëri’’, botuar në Vjenë në vitin 1904, të cilin e shoqëroi edhe me fotot përkatëse (Carl Patsch, Das sandschak Berat in Albanien, Holder, Wien 1904).
Ndërkohë shumë vite më pas do të ishte studjuesi i mbishkrimeve të kishave të Shqipërisë, Theofan Popa, i cili hodhi idenë se varri i Zvërnecit i përkiste njërin prej anëtarëve të familjes fisnike Karanxhas. Këtë hipotezë të tij, Popa, e bazoi tek shkrimet e historianes bizantine Ana Komnenës, e cila te vepra e saj, ‘’Aleksiada’’, jep të dhëna mbi Argjiro Karanxhas, komandantin e gardës perandorake (Alexias, vol II. Lib VIII, 7.8 f. 19-23).Sipas Komnenës, ky person, u dërgua në vitin 1091 nga babai i saj, perandori Aleks Komneni, me një mision sekret në Durrës, i paisur me dy letra. Njëra prej tyre ishte për dukën e Durrësit, Joan Komnenin, që ishte nip i perandorit, , ndërsa tjetra i drejtohej parisë së qytetit.
Karanxhas u nis drejt Durrësit me qëllim të dyfishtë. Si fillim ai do tja dorëzonte letrën e parë, dukës Joan, të cilit i kërkohej që të te perandori për të dhënë, pasi dyshohej për veprimtari komplotiste kundër tij. Qëllimi kryesor i Argjiros ishte ta bindte atë që të nisej drejt selisë perandorake ndërsa ai vetë do të merrte drejtimin e Durrësit.
Ndërkohë që letra e dytë me të cilën perandori e kishte ngarkuar Karanxhasin ishte tepër sekrete. Atë ai do ta përdorte në rast se vërtetohej fakti se duka Joan ishte vërtet komplotist. Atëherë Karanxhas do ta hapte këtë letër në prani të parisë së Durrësit për të arrestuar dukën. Por në këtë mision u përdor vetëm letra e parë, pasi duka Joan Komneni, ju bind vullnetit të perandorit dhe u nis drejt vendodhjes se tij, në Filipol të Bullgarisë. Këtu perandori Aleks e priti atë dhe pasi u bind se akuzat e përhapura ishin të rreme e nisi përsëri drejt Durrësit për të rimarrë funksionet e tij të mëparshme. Këtë dëshmi të ‘’Aleksiadës’’ për misionin e komandantit Argjiro Karanxhas e gjejmë edhe të ‘’Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek X-XV’’, një përmbledhje dokumentash bizantine, botuar në Tiranë në vitin 1975 (f. 107).
Sipas këtyre dëshmive të Ana Komnenës, Karanxhas, duhet të ketë qëndruar në Durrës për një periudhë të shkurtër pothuajse dy mujore. Për fatin e tij nuk dihet gjë se ç’ndodhi më tej, por duke u bazuar në këtë histori, Theofan Popa, aludon se varri brenda kësaj kishe mund ti përkiste këtij personi. Hipotezën e Popës e gjejmë në librin e tij: “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”, botuar në vitin 1998. Në faqet e tij, autori, i bën edhe një përshkrim të hollësishëm pllakës së varrit. Sipas Theofan Popës, ajo përbëhet prej guri gëlqeror, me gjatësi 1.87 m dhe gjerësi prej 0.67 m. Mbishkrimi është vendosur në një fushë të sheshtë, kurse anash, pllaka, është zbukuruar nga imitimi i dy kolonave korintike, sipër të cilave qëndron një hark. Në mes të saj ndodhet mbishkrimi që përbëhet nga tre rreshta dhe përmban këtë tekst: “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me preardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike” (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 145-146).

 

Poshtë mbishkrimit dora e e një skulptori ka gdhendur me shumë art një kafkë njeriu, rrethuar prej një gjarpri e të kurorëzuar prej dy kockash simbol i cili nuk është shpjeguar deri më tani.
Por aludimi i Popës paraqet probleme sepse epitafi në pllakën e varrit e thekson qartësisht se ai nuk i kushtohet Argjiro Karanxhas, por një tjetër personi, Kondos Karanxhas. Se cili ka qenë ky person ende sot nuk mund të jepet një përgjigje e saktë. Ka gjasa se ai mund ti përkiste të njëjtës familje bizantine nga Kostandinopoja, pinjollët e së cilës ose kanë shërbyer në viset arbërore si ushtarakë apo nëpunës. Studjuesi, Moikom Zeqo, për këtë temë shkruan se: ‘’Pasardhës të familjes fisnike Karanxha do të kenë mbijetuar në bregdetin shqiptar dhe pikërisht njëri prej tyre ka vdekur në Vlorë’’ (Moikom Zeqo, Epitafi poetik i fisnikut Kondos Karanxha, Hyu ilir Redon- ikonografia re Gabuar, Arnissa Edition, Tiranë 2011, f. 63).
Sipas këtij përcaktimi ka gjasa që pjesëtarë të kësaj familjeje mund të jenë vendosur për të jetuar në territoret e bregdetit arbëror që ishin nën pushtetin e Bizantit. Por përsëri problemi ngec diku sepse edhe burimet historike ‘’heshtin’’ në këtë pikë.
Te libri i tij ‘’Nga Paleologët te Muzakajt’’, historiani Pëllumb Xhufi, përmend midis të tjerave edhe disa nga familjet e njohura të Vlorës në shekujt XIII-XIV. Të tilla ishin familjet patrice të qytetit si Likudat, Kanxhajt apo Sinofët (Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH. B 55, Tiranë 2009, f. 236).
Po kështu, te i njëjti botim ndeshim edhe familjen Frëngu nga Kanina që i përkiste bujarisë së vjetër të ‘’shpatës dhe tokës’’ (f. 72), si dhe familjen Xhenosi, një pinjoll i së cilës Vasil Xhenosi ishte jo vetëm qytetar i Vlorës por edhe i Venedikut dhe Raguzës (f. 225).
Në këto kushte, duke qenë se familjen Karanxha nuk e ndeshim të jenë vendosur në Vlorë, me të drejtë lind pyetja. Si ka ardhur në Vlorë, fisniku Kondos Karanxhas, përfaqësues i një familje të njohur fisnike?! Në këtë pikë, Moikom Zeqo, thekson se ai ‘’duhet ti ketë përkitur sferës laike të pushtetit’’ dhe se duhet të këtë qenë një person ‘’i rëndësishëm, epitafi thekson tri herë rëndësinë e tij’’ (M. Zeqo, Epitafi…, f. 63).
Ky pohim na bën të mendojmë se Kondos Karanxhas mund ishte nga e njëjta familje nga Kostandinopoja që i përkiste fisnikërisë së shpatës e cila kishte nxjerrë ushtarakë të karrierës. Si duket ai ishte një tjetër ushtarak i cili mund të kishte ardhur me detyrë në këto vise, ku edhe vdiq dhe sipas pozitës që kishte u varros në këtë kishë.
Lidhur me temën, studjuesi Etnor Canaj, thekson se: ‘’Mbishkrimi në greqisht i epitafit të këtij varri i përket shekullit të XI, sepse më pas në shekujt XII-XIV zhduket varrimi i tipit sarkofag. Por, interesant është kafka me dy eshtrat si dhe gjarpri. Ato deshen në artin sepulkral bizantin edhe pse rrallë i ndikuar nga arti antik sepse kafka me gjarpër ndeshet vetëm në periudhën helenistike te kulti i Asklepit.
Pikërisht ky përcaktim kohor që mbishkrimi në fjalë mund të jetë i shekullit të XI na bën të mendojmë se jo pa qëllim Theofan Popa e lidhte këtë varr me Argjiro Karanxhas.
Gjithsesi mund të themi se Kondos Karanxhas, personi i varrosur në Zvërnec mund të ketë qenë një ushtarak që mund të ketë vdekur në Vlorë pas luftimeve që u zhvilluan gjatë bregdetit të Arbërisë në fund të shekullit XI dhe gjatë shekullit të XII. Kujtojmë se Ana Komnena na dëshmon për zbarkimet në bregdetit e Vlorës në vitet 1081 të Robert Guiskardit dhe Boemundit, zbarkimin e Boemundit në vitin 1096 apo fushatën e tij të vitit 1107 po në brigjet e Vlorës.
Lidhur me ushtarakët bizantinë që kanë shërbyer në Vlorë le të përmendim një shembull tjetër. Në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, Eqrem Bej Vlora, citon një kronikë anonime normane të titulluar “Breve cronica normanna”. Sipas saj gjatë fushatës së vitit 1081, Boemundi, pasi pushtoi Vlorën rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Normanët bindën gruan e komandantit bizantin që kundrejt një shpërblimi të vriste të shoqin dhe t’u hapte portat e fortesës. Gruaja tradhtare veproi sipas porosisë dhe u shpërblye për veprën e kryer. Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit ngjarjet morën një tjetër rrjedhë. Pasi dëgjoi për këtë ngjarje, ai u revoltua nga kjo vepër e ulët dhe urdhëroi, që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit (Eqerem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe Shkrime të tjera, Koçi, 2004, f. 32).
Po kështu në vitit 1149 gjatë fushatës ushtarake kundër normanëve që kishin pushtuar Korfuzin, erdhi në Vlorë perandori bizantin Manuel I Komnen. Ai e shdërroi gjirin e saj dhe lumin Vjosa si bazë detare për një zbarkim të mundshëm në Itali, të cilin e pengoi jo vetëm moti i keq por edhe kryengritja e serbe (F. Chalandon, Jean II Comnène, (1118-1143), et Manuel I Comnène, (1143-1180), Byrt Franklin, Neë York 1960, f. 333- 334).


Gjatë këij qëndrimi me perandorin si pjesë e trupave të tij mund të ketë qenë edhe Kondos Karanxhas, i cili mund të ketë gjetur vdekjen gjatë këtyre fushatave ushtarake. Këtë nënkupton edhe Moikom Zeqo kur thekson se” ‘’Gjarpri mbi kafkë mund të simbolizojë ndoshta edhe vdekjen e papritur të këtij personazhi nga ndonjë pabesi e kohës’’ (M. Zeqo, Epitafi…, f. 63).
Ndërsa Etnor Canaj rreth saj shton se ‘’Simboli i kafkës me eshtra të kryqëzuara ka lidhje me frazën e famshme latine ” memento mori “, pra: “mbaj mend që një ditë edhe ti do vdesësh”. Ajo kryesisht shkruhej apo gdhendej si epitaf në varret e komandatëve apo gjeneraleve. Zanafillën e ka që prej Romës së lashtë por ndeshet edhe gjatë periudhës bizantine (ku në disa mozaikë sillet γνῶθι σαυτόν-njih vetveten). Por, edhe pse mbishkrimi është në greqisht, si stili romanik ashtu edhe kafka (simbolike), kanë të bëjnë me pjesën latine të kishës, që do të thotë që në këtë varr kemi të bëjmë me një figurë ushtarake, komandant apo gjeneral’’.
Pra, ky ushtarak që i përkiste parisë aristokrate të Kostandinopojës mund të jetë vrarë gjatë luftimeve të bizantinëve ortodoksë me normanët katolikë. Dhe, sipas gjasave kur konflikti midis dy kishave kish çuar në ndarjen e vitit 1054, bizantinët e kanë varrosur si hero, që përveçse detyrës mbrojti dhe besimin ortodoks përballë skizmës katolike. Kështu si vend më i përshtatshëm për këtë martir u gjend pikërisht naosi i kishës së Shën Marisë, e cila mund të jetë ndërtuar fillimisht si mauzoleum. Një ide interesante që na e përforcon këtë mendim është përcaktimi që i bën kësaj kishe një tjetër studjues, Krauthemeri, i cili thekson mendon se ky tip e ka marrë stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qëndrave urbane midis shekujve X-XI. Ndërkohë që Aleksandër Meksi e identifikon atë si kishë që daton në shek XIII-XIV. (Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, SH. B. ‘’8 Nëntori” Tiranë 1983, f. 130).
Kurse Kliti Kallamata shkruan se kjo kishë i përket shekullit të XIV (Kliti Kallamata, Ikona, KeP. SBILIAS S.A., Athinë 1998, f. 26-27).
Rreth këtyre përcaktimeve të studjuesve shqiptarë, Etnor Canaj, thekson se: ‘’Ky varr mund të këtë qenë aty qysh në fillim dhe ose mund të jetë ripërdorur kur kishës mund ti jetë bërë një rikonstruktim i mundshëm në shekujt XIII-XIV. Këtë e shohim edhe te gjeneza e saj stili romanik i së cilës mund të jetë të paktën i shekullit XI’’.
Gjithsesi në mungesë të të dhënave të tjera të epitafit përfshirë edhe datën e lindjes apo të vdekjes na mbetet të themi se fisniku Kondo Karanxhas, ka qenë një ushtarak bizantin që ka vdekur në Vlorë gjatë përballjeve të mëdha normano-bizantine në shekujt XI-XII.