Vajza, doni një dhuratë të bukur për ditëlindje? Kërkoni Barcelonën!

Mars 6, 2020 || 484 views

Flora  Xhemani Baba

Nga të gjitha udhëtimet që kemi bërë deri më sot jashtë Shqipërisë, Barcelona mbetet më i bukuri. Dhe mendoj se edhe në të ardhmen, do të mbetet gjatë. Jo sepse nuk ka vende më të bukura se Barcelona kudo në botë por kur një vend të ngjit, e shijon shumë, si ajo buka e ngrohtë me djathë e qepë të njoma në fshat, ndërkohë që uria po të gërryen stomakun. Pra nuk është çështje bukurie por çështje kimie.


Ka plot raste kur një qytet ose vend është bërë destinacion turistik edhe/ose prej një libri siç spikat “Muzeu i Pafajësisë” për shembull. E ndonëse Barcelona nuk është njëri prej tyre (se është e magjishme vetë), mua më hyri mu në palë të zemrës kur lexova trilogjinë e Zafonit. Dhe kur më pyeti im shoq se çfarë dhurate do të doja për ditëlindje, i thashë: Barcelonën dua!
Dhe nuk u zhgënjeva! E desha po aq sa e dëshiroja para se ta vizitoja.


Një qytet i ngrohtë që nuk e di përse e do por ndjen që e do sapo e takon, sido që t`i qasesh.
Ne iu qasëm pasdite vonë, pasi zbritëm nga aeroporti El Prat dhe metroja na la në stacionin e Liceut, në zemër të bulevardit kryesor “ la Rambla”, aty ku edhe ndodhej hoteli ynë.
Bulevardi gumëzhinte nga njerëzit, nga dritat, nga muzika, ndërkohë që buzëmbrëmja vinte e, edhe pse ishte mesi i shkurtit, koha ishte e ngrohtë pranverë.
Në fakt kur thashë nuk di përse e do një qytet si Barcelona, nuk ishte shumë e saktë. Më e udhës do të ishte të thoshe ka shumë arsye se përse mund ta duash Barcelonën por këto do t`i zbulonim dalëngadalë, në ditët në vijim.


Ne nuk bëmë asnjë “travel plan”, asnjë përgatitje, nuk morëm asnjë masë për udhëtimin tonë javor, përveçse prenotuam një hotel mu në “La Rambla”, që do të thotë se kishim në një rreze prej një-dy kilometrash gjysmën e atraksioneve të Barcelonës në pëllëmbë të dorës. Gjithçka tjetër vendosëm t`ia linim rastësisë.
Peninsular Hotel është një ndërtesë historike 200-vjeçare, me një arkitekturë shumë interesante, me një holl të brendshëm, që përfshinte të gjitha katet, i përmbytur në gjelbërim. Nuk kishte as TV as wi-fi në dhomë, por çarçafët ishin borë të bardhë, akull të pastër, banja kishte gjithçka që ju duhet për një dush të ngrohtë në fund të ditës së lodhshme dhe mëngjesi, – i nevojshëm për energjinë që do shpenzoni gjatë ditës – ishte i bollshëm dhe i shëndetshëm. Ajo që na bëri përshtypje ishte se kishte shumë familje dhe çifte që prenotonin aty, madje kishin ardhur me gjithë karrocat e fëmijëve të vegjël. Siç duket e dinin paraprakisht që mund të lëviznin në këmbë për një distancë të konsiderueshme, duke u nisur drejt e nga hoteli. Dhe për lexuesit e udhëtime vlen të thuhet që përshtypjet e vizitorëve në internet për të, janë të shkëlqyera. Ashtu ishin dhe tonat.

Ishe e çuditshme sesi na u bë kaq familjar qyteti që ditën e parë, saqë kur ktheheshim në mbrëmje të lodhur e të rraskapitur, në vend që të thoshim “në hotel” automatikisht gjuha shqiptonte “ në shtëpi”. Kjo ishte natyrisht edhe meritë e stafit shumë miqësor, që na e bëri hotelin të na dukej si shtëpi.
Tani para se t`ju flasim për Barcelonën, do t`ju themi dy fjalë për transportin e saj publik.

 

Transporti në Barcelonë është një dashuri më vete. Përveçse është qytet i mbledhur dhe mund ta shëtisësh edhe me këmbë, Barcelona ka një rrjet transporti për ta pasur zili, që cilësohet ndër më të mirët në Europë. Autobusët janë të pajisur me wi-fi dhe rrjeti i linjave mbulon çdo cep të qytetit.

La Rambla, ose “Blloku” i Barcelonës
Natyrisht nuk ka kuptim të vish në Barcelonë dhe të mos vizitosh zonën më të famshme të qytetit, aty ku bëhet xhiroja e darkës dhe ku “gëlon” jo vetëm shëtitja e turistëve por gjithçka tjetër, suveniret, ofertat pa fund e për gjithçka, vendi ku tregtohet e gjithë Barcelona, qysh nga gotat shumëngjyrëshe të Sangrias mbi tavolinat e tendave të improvizuara të restoranteve të famshme mbi bulevard, e deri tek produktet kontrabandë të çdo lloji, për të cilat si gjithmonë policia e mbyll një sy, për hir të ekonomisë lokale. La Rambla është arteria kryesore e qytetit prej ku shpërndahen si degëzime që përfundojnë në labirinthe pa fund, të gjitha rrugët e tjera që të cojnë në pika të ndryshme po aq tërheqëse sa ajo.

Ndonëse jo më shumë se një kilometër e gjatë me kryet tek sheshi “Katalonja” dhe me këmbët në sheshin “Mirador de Colon” ku ju pret statuja e Kolombit, La Rambla është pulsi i Barcelonës. Është “Rambla” kryesore e “Las Ramblas”, që shtrihen në pjesët më vitale të qytetit dhe zbresin në det. (Rambla nga arabishtja do të thotë “rrjedhë” dhe përdoret për të ilustruar gjallërinë që karakterizon këto rrugë si arterie kryesore).

Në kërkim të gjurmëve të Zafonit
Është e hënë dhe muzetë nuk janë të hapur prandaj dhe alternativa ideale është të shëtisim në këmbë, nën orientimin e hartës elektronike, që të tregon se ku ndodhen ato që don të shohësh, Harku i Triumfit, La Sagrada Familia por edhe çdo copëz arkitekture që të mahnit nëpër rrugë e rrugica. Ndërkohë që jemi në kërkim të ndërtesave shumëngjyrëshe të Gaudisë, unë me njërin sy po kërkoj edhe gjurmët e një Barcelone tjetër të dashur, asaj të përshkruar me aq dashuri në trilogjinë e barcelonasit Carlos Ruiz Zafon, përkthyer tashmë në më shumë se dyzet gjuhë të botës. “Hija e Erës”, “Loja e Engjëllit” dhe “I burgosuri i qiellit”, përveçse një triptik që përshkoi ndjesitë e lexuesve në mbarë botën, i bëri njerëzit ta dëshirojnë Barcelonën, pikërisht përmes asaj mënyre të përshkruar nga Zafon.

Katedralja e Santa Maria del Mar

Prandaj dhe kur lexoj rrugëve “Carrer Layetana”, kështjella Montujic”, kodrat e Tibidabos, “Nou della Rambla” e pothuaj të gjitha rrugët dhe vendet e përmendura në romane, ndjesia është tjetër, tjetër nga një kënaqësi e zakonshme prej turisti që shikon gjëra të reja.
Ja pse, të nesërmen ndërkohë që shkonim drejt Muzeut të Pikasos dhe atij Etnologjik, emocioni më i madh ishte teksa këmbët të shkelnin mbi shëtitoren del Born dhe mbi shkallët e katedrales Santa Maria del Mar, sesa mbi pikturat e mahnitshme të Pikasos. Aq e fortë është përshtypja se ke pasur të bësh me një njeri të gjallë dhe jo me personazhe romanesh, saqë në gjurmët e rrugës “Flassaders”, syri automatikisht po kërkon të gjejë shtëpinë me kullë të shkrimtarit David Martini. Nëse të gjithë në parkun Guell admirojnë veprat e mrekullueshme të Gaudisë, unë vetvetiu po kërkoj vilën misterioze të Andreas Korellit, diku midis rrugës Olot dhe San Hose della Montagna. Ashtu sikundër, ndërkohë që i ngjiteshim kështjellës së Montjuicit, mendja më shkonte tek katakombet ku ishin tretur vitet e rinisë së Fermin Romero de Torresit. Ja pra, ç`do të thotë të vësh shpirtin nëpër fjalë dhe t`ia servirësh atë lexuesit.
Rrugët e Barcelonës frymojnë si qenie të gjalla. Misteret e Barcelonës fshihen në çdo “call”, në çdo qoshe, në çdo labirinth që zgjatet, pas një labirinthi tjetër, i cili zgjatet pas një labirinthi tjetër.
Prandaj mos e vizitoni qytetin me agjenci. Zbulojeni vetë, do të shijoni shumë më shumë se në çdo lloj turi, sado i detajuar qoftë ai. Do ta shikoni se galeritë e pafundme të Varrezës së Librave të Harruar, nuk janë gjë tjetër veçse rrugët dhe rrugicat e Barcelonës. Të lësh la Ramblën në të majtë ose në të djathtë dhe të depërtosh nëpër katakombet e Ravalit, të Barri Gothic apo nëpër lagjet e San Marti, është po aq magjike dhe emocionuese sa ta kundrosh atë nga cepi në cep, kur ndodhesh mbi Kodrat e Montjuicit apo të Tibidabos, ku të përshendesin katedralet, nga zemra e qytetit në Sagrada Familia e deri ne Pedralbes ku ngihen kambanaret e manastirit, po aq mbresëlënës sa katedralja Santa Eulalia apo statujat e manastirit të Parkut Tibidabo.

Çfarë duhet të vizitoni patjetër

Po ne jemi turistë, nuk jemi banorë. Dhe sado të duam të shijojmë çdo tullë e çdo copëz kalldrëmi që ta bën qytetin të dashur si të ishte qenie e gjallë, duam të vizitojmë edhe ato vende që e bëjnë Barcelonën të famshme dhe mbushin faqet e guidave turistike. Prandaj një vizitë në Camp Nou është e pashmangshme sepse nesër burrat e grupit atë do mbajnë mend më shumë. Por edhe kureshtja për të ditur se si është e mundur që në Barcelonë ka dyqane që shesin farëra bimësh narkotike është mëse e ligjshme. Dhe jo vetëm kjo. Tregu i Barcelonës është gjithashtu një vend që nuk duhet ta lini pa vizituar, sepse shumëllojshmëria e produkteve, që nga frutat ekzotike dhe ato të vendit, e deri tek shijet e panumërta të sallameve e proshutave për të cilat është i famshëm gjithë Gadishulli Iberik, nuk mund të kalojnë ashtu pa u vënë re. Gjithë ato ngjyra e shije e marramendëse, e kanë futur me të drejtë tregun 200-vjeçar të qytetit në listën e vendeve që ia vlejnë të vizitohen.
Ndërkohë që pikat e interesit janë shumë, është vështirë t`i përfshish të gjitha por nëse doni të dini nëse na pëlqyen ato që viztuam, po. Na pëlqyen të gjitha.

Muzeu Picasso
Muzeu Picasso është as më shumë e as më pak se gjithë shpirti i artistit, që për kureshtjen tuaj, nuk pati vetëm jetën shumë të gjatë por edhe emrin tmerrësisht kilometrik. (Pablo Diego José Francisco de Paula Juan Nepomuceno María de los Remedios Cipriano de la Santísima Trinidad Ruiz y Picasso). E ndonëse mijëra veprat e tij zbukurojnë botën, ke se çfarë shikon në muzeun ku galeritë nuk kanë fund.
Ne patëm mundësinë të vizitonim disa muze e galeri. Nëse jeni të apasionuar pas artit modern, atëherë Fondacioni Joan Mirro` bën për ju. Nëse pëlqeni historinë dhe arkeologjinë, atëhere duhet të vizitoni së paku Muzeun Historik ose Arkeologjik, apo edhe Qendrën e Kulturës dhe të Memories, mbi shëtitoren del Born.
Nëse jeni të dhënë pas kulturës botërore, atëhere përballë Muzeut “Picasso”, ju pret Muzeu Etnologjik i Kulturës Botërore, me artefakte nga të pesë kontinentet, mbledhur kryesisht gjatë periudhave të kolonizimit.
Sidoqoftë përsa i përket tempujve të kulturës, nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion, mjafton të vizitoni Muzeun e Artit Kombëtar të Katalonjës dhe keni parë gjithë Barcelonën dhe jo vetëm atë por të gjitha veprat e artit antik e modern të kulturës katalanase.

Muzeu i Artit Kombëtar të Katalonjës
Ku ta kaloni kohën
Koha do t`ju kalojë pa u ndier, edhe sikur të shëtisni vetëm për të parë rrugët e bukura të Barcelonës së vjetër, sidomos në lagjen gotike ose në bulevardin Pedrera ku ndodhen kryeveprat e Gaudisë, si Casa Batlo` apo casa Mila`. Por nëse doni të përjetoni edhe përvoja të tjera të veçanta duhet patjetër të bëni një shëtitje në Barcelonetta, si një prej plazheve të bukura, më të afërta, që zënë fill nga Port Ëell dhe vazhdojnë përtej Barcelonettës me Somorrostron, Bogatellin, Mar Belën etj.. Nëse në sheshin “Mirador de Colon”, ku ndodhet statuja e Kolombit dhe godinat qendrore të Portit, keni pranë Muzeun Detar dhe Akuariumin e Barcelonës, në Barcelonetta mund të vizitoni Muzeun Historik, kjo varet gjithmonë nga koha juaj.
Sepse ajo që nuk duhet të humbisni, është edhe një shëtitje me teleferik, nga Barcelonetta deri lart në kodrën Montjuic. Vizitat fillojnë në orën 11.00, që do të thotë se nëse jeni me fat dhe bëheni pjesë e grupeve të para, keni mundësi që gjithë pjesën tjetër të ditës ta kaloni në parkun Montjuic, ku ndodhen një pjesë e mirë e muzeve dhe siteve kulturore si Muzeu i Artit Kombëtar të Katalonjës, Fondacioni Joan Mirro`, Kështjella e Montjuicit, Parku Olimpik dhe një sërë teatrosh, Parku Botanik dhe shumë objekte të tjera me interes. Dhe pasi të keni vizituar së paku dy ose tri prej tyre, ku i pamungueshmi duhet të jetë Muzeu Kombëtar i Artit, mbyllja e ditës do t`ju rezervojë kënaqësinë e veçantë të zbritjes në Sheshin Espanja, ku arkitektura madhështore pasurohet me “Font Magica de Montjuic” dhe me godinat mbresëlënëse të “Fira de Barcelona”, kompleksin madhështor ku zhivillohen panairet.
Godina e rrumbullakët përballë sheshit “Espanja”, që duket si një ndërtesë e stilit klasik, nuk është gjë tjetër veçse një qendër tregtare modern, nga tarraca e së cilës mund të shijoni edhe një herë sheshin, me godinën madhështore të Muzeut Kombëtar në sfond.

Tapas i Paellas
Nuk ka ushqim të keq në Barcelonë. Ka ushqim të lirë dhe ushqim të shtrenjtë.
Restoranet e la Ramblës kishin mundësi të vendosnin secila nga një tendë provizore mbi bulevard, me qëllim që të krijonin atmosferë dhe komoditet për turistët. Vështirë të gjeje kudo ku na shkeli këmba nëpër Barcelonë një restorant që në menunë kryesore nuk kishte të shkruar “Tapas i Paellas”, që kryesisht i ofronin të dyja bashkë, shoqëruar me Sangria të njëmijë shijeve ose birrë. E megjithëse i provuam edhe “paellat” dhe Sangriat e la Ramblës, si më të zgjedhurat, gatimin më të mirë e gjetëm, siç mund të imagjinohet rëndom, në një restorant fare të vogël familjar, në rrugën “Sant Pau”, në kuzhinën e të cilit një nënoke nga ato të denjat për monument kulture realizonte përmendësh recetat kushedi sa shekullore të trashëguara brez pas brezi. Nuk deshi për qamet t`i bënim një foto por pjatat me “tapas” e “paellas” dhe kitara në mur, nuk na shpëtonin dot.

 

 

Kuzhinë nga të pesë kontinentet
Kjo tashmë ndodh me çdo qytet të madh në botë. E kem shembullin edhe në Tiranë. Por nuk e di nëse dendësia e kombësive në qytete të tjera europiane, është kaq e madhe sa në Barcelonë, që në një rrugë të vetme jo më shumë se 150 metra të gjesh së paku dhjetë kombësi kuzhinash, përfshirë edhe atë vendase. Dhe përsa na takon, kuzhina meksikane me Takot e famshme dhe dy restorantet italiane që provuam, ishin të shkëlqyera!

Info dhe sugjerime:
Blini një kartë turisti dhe një kartë transporti. Do të keni mundësi të lëvizni nëpër të gjitha linjat e qytetit, përveç asaj të aeroportit për të gjithë kohën e qëndrimit. Të dyja llojet e kartave janë 72 dhe 96-orëshe ose 7 dhe 14-ditëshe.
Në çdo rrugë dhe bulevard kryesor keni pika informacioni ku mund të orientoheni nëpër qytet fare lehtësisht.
Nëse duhet të zgjidhni mes restoranteve në zona kryesore dhe atyre periferike, Paellat më të mira do t`i gjeni nëpër restorantet e fshehura të zonës historike “Barri Gothic”, ku gatuhen sipas recetave të vjetra. E njëjta këshillë vlen edhe për Sangria, meqë nuk duhet të ikni nga Barcelona pa i provuar këto të dyja.

Më shumë foto: kliko këtu

 

Referenca
Hotel Peninsular
Café del` Opera
Bar Restaurant Tabarlot
Ristorante Caruso
Cantinitta Baya California
San Remo La Rambla