Turistë spanjollë vizitojnë Parkun Divjakë-Karavasta

1 Janar, 2020 || 490 views

Nga Klotilda Saraçini 

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/- Jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, vizitorët dhe turistët e huaj nuk mungojnë në Divjakën me një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar.

Në këto ditë të ftohta dimri Divjaka vijon të tërheqë vizitorë vendas e të huaj, të cilët bëhen kureshtarë jo vetëm për natyrën dhe faunën e rrallë, por edhe për gjurmët historike.

Gjatë fundjavës një grup turistësh nga Spanja vizituan parkun duke u njohur me vlerat e tij. Turistët e huaj u befasuan nga natyra, flora dhe fauna e rrallë, por edhe nga mikpritja dhe kulinaria vendase.

 

Produktet e shumta bujqësore, blegtorale, shërbimet në hoteleri apo banesat private, janë një vlerë e shtuar në ekonominë familjare të komunitetit.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunore tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./k.s/ /a.a/

Burimi: ATA