Travel Magazine Albania dhe Baba Bloggers në fushatën “Pusho në Shqipëri!”

Maj 7, 2020 || 2528 views

Travel Magazine dhe Baba Bloggers prej shumë ditësh tashmë, ka nisur fushatën “Pusho në Shqipëri!”, me moton: “Promovojmë turizmin, ndihmojmë ekonominë.”

Kjo fushatë konsiston në evidentimin e destinacioneve dhe strukturave më të përshtatshme, që vlejnë si vende për të pushuar në javët e para të postpandemisë, për t`u shtrirë pastaj në të gjithë Shqipërinë. Kjo fushatë synon të nxisë në radhë të parë vetë shqiptarët, por pse jo edhe të huajt, që mund të vijnë më vonë për të kaluar pushimet në Shqipëri këtë verë, me qëllim që të ndihmohet turizmi, si sektori më i goditur i ekonomisë.

Znj. Flora Xhemani Baba, drejtoreshë e Travel Magazine, ndër të tjera u shpreh se: “Fushata jonë është modeste. Por ajo ka gjetur mbështetjen e medias dhe mjaft operatorëve turistikë, të cilët shteti i la vetëm në këtë luftë, meqë vetë e quajti luftë por luftëtarët i la pa armë. Duke kuptuar që në këtë luftë patëm/kemi vetëm njëri-tjetrin për mbështetje, ju falënderojmë dhe le të vazhdojmë të ftojmë së bashku shqiptarët por edhe të huajt që mund të udhëtojnë, që këtë verë pushimet t`i bëjnë në Shqipëri. Turizmi është sektori më i goditur i kësaj historie dhe dëmet e tij nuk do të jenë vetëm të tijat por të më shumë se gjysmës së Shqipërisë. Prandaj është e rëndësishme ta shohim me dashamirësi e ta ndihmojmë të rimëkëmbet. Pusho në Shqipëri këtë vit!”

Deri tani, znj. Xhemani Baba ka udhëtuar në disa zona turistike të Shqipërisë, si Durrës, Shkodër, Velipojë, Shëngjin, Divjakë, Vlorë, Llogora, Dhërmi, Himarë dhe plazhet e tij, Sarandë, Borsh, Ksamil, Gjirokastër, Viro, Tepelenë etj. Gjatë udhëtimeve janë evidentuar jo vetëm plazhet apo vendet në natyrë, që janë më të përshtatshme por edhe strukturat pritëse që plotësojnë kushtet për të respektuar rregulloren e re me të cilën do të duhet të operojnë këto struktura, qofshin hotele e resorte, qofshin ferma, bujtina, njësi agroturistike apo vende pushimi në natyrë.

Kjo fushatë do të shtrihet në ditët në vijim në të gjithë Shqipërinë, kudo ku ka atraksione turistike që ia vlejnë për t’u vizituar këtë verë, që për hir të vërtetës janë të shumta!

Shqipëria deri vjet pati një zhvillim mjaft pozitiv të turizmit dhe kjo pandemi e ndërpreu këtë zinxhir të suksesshëm, ashtu si në të gjithë botën. Për këtë qëllim, stafi i Travel Magazine i është bashkuar atij grupi që mbështet pushimet në Shqipëri, si një prej zgjedhjeve më të mira për të shpëtuar këtë sezon të jashtëzakonshëm turistik.

 

#SaveTourism #PushoNëShqipëri #TravelMagazineAlbania #BabaBloggers