Tirana, 100 vjet kryeqytet/ Vendimi në Kongresin e Lushnjës

11 Shkurt, 2020 || 722 views

Nga Zina Tosku

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Më 11 shkurt 1920 Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i marrë në Kongresin e Lushnjës, i cili zhvilloi punimet në janar 1920.

Ato ishin kohë të vështira dhe zyrat qeveritare ishin në Durrës. Por, Durrësi ishte i pushtuar nga italianët. Kongresi i Lushnjës shqyrtoi si mundësi edhe Vlorën, sepse Vlora ishte dhe kryeqyteti i parë i Shqipërisë pas pavarësisë së vendit nga Ismail Qemali në 1912. Por, Vlora ishte pak larg nga veriu i vendit. Më pas një tjetër mundësi ishte Shkodra, i cili atëkohë ishte dhe qyteti më i madh i Shqipërisë. Por Shkodra ishte pranë Malit të Zi, me të cilin gjithashtu kishim probleme, dhe ishte larg pjesës tjetër të vendit. Atëherë u vendos se nuk kishte zgjidhje më të mirë se Tirana, për nga pozicioni gjeografik që kishte në qendër të vendit.

Tirana ka qenë gjithnjë një kryqëzim mes rrugëve të hershme edhe pse kjo nuk thuhet shumë në histori. Rruga nga Dalmacia kalonte në Ulqin, Shkodër, Lezhë dhe shkonte në lindje të vendit duke kaluar në rrethinat e Tiranës, përmes Qafë Kërrabës, Elbasan. Një tjetër rrugë e rëndësishme ishte Rruga Egnatia e cila lidhte gjithë qytetet qendrore të Shqipërisë dhe vazhdonte drejt Manastirit, Selanikut e Stambollit. Tirana ishte në kryqëzim të kësaj rruge që lidhte Veriun e vendit me detin duke kaluar përmes Shën Gjergjit. Një tjetër rrugë që vinte nga Kavaja dhe shkonte në Ndroq, përmes Urës së Beshirit, Qafës së Tujanit dhe vazhdonte ne Dibër e Maqedoni. Këto tre rrugë, kryqëzoheshin në Tiranë, në Sheshin Skënderbej.

Në 11 shkurt 1920 në Tiranë mbërriti gjithë qeveria shqiptare e drejtuar nga Sulejman Delvina. Ajo u vendos në ndërtesën e parë që ndodhej në fillim të rrugës së Elbasanit. Qeveria u prit ngrohtë nga populli i Tiranës, që u ndje krenar se qyteti i tyre u bë qendra e Shqipërisë./ATSH