Nëpër savanat e pafundme të Vjosës…

6 Gusht, 2019 || 811 views

Nga Flora Xhemani Baba

Hapësirë e pamatë sa të sheh syri. Pyll i dendur me pisha që të deh me aromë. Brigje të bruzta Vjose, me të ik mendja e kresë. Savana pa fund, a thua se je në mes të Afrikës. Det i kaltër e qiell i kthjellët që të mbush shpirtin. 15 kilometra itinerar magjik, që mund ta përshkoni në mënyra nga më të ndryshmet, sipas asaj që pëlqeni më shumë. Është jo më shumë se pesë orë ecje në këmbë, ose e alternuar me kuaj, për më shumë bukuri e ndjesi të papërshkrueshme, që vetëm kalërimi ta jep. Por nëse doni më shumë adrenalinë, mund ta përshkoni me motorë 4×4, apo edhe me makina të larta, gjë që do t`i jepte ritëm e stërkala gëzimi udhëtimit tuaj, duke e kthyer atë në një safari të vërtetë. Nuk ka detaj të natyrës që nuk do të shijoni deri në maksimum në këtë udhëtim.
Ky itinerar fillon me daljen nga ana veriore e fshatit Dëllënjë, dalje që është e lidhur drejtpërdrejt me pyllin e pafund të pishave. Përgjatë shtegut të gjerë ku dendur lëvizin peshkatarët, në pak minuta do ta gjeni veten buzë Vjosës, e cila në këtë pikë zgjerohet gradualisht deri në grykëderdhje dhe të ngjan pak me Nilin. Shtegu i ngushtë buzë Vjosës, mbushur me kallamishte e marina të lejon të shohësh herë pas here “çikëzat”. Janë rrjetat në formën e peshores ose të pëllëmbës së dorës që hedhin peshkatarët këtyre anëve. Pastaj udhëtimi vazhdon sërish, pjesërisht nëpër “savanë” e pjesërisht nëpër pyllin me pisha, pjesërisht nëpër hapësirat pa fund të zhukave, kallamishteve e bimëve të kripës e herë-herë edhe përmes staneve, ku nuk duhet të tregoheni shumë trima, sepse qentë e mëdhej të tyre, bëhen shumë agresivë, duke kujtuar se dikush ka ardhur të rrëmbejë delet.
Kjo zonë dikur ka qenë e ndaluar edhe për banorët e fshatrave, për shkak se ishte rezervat gjuetie ku kultivoheshin edhe një tufë fazanësh e ku Mehmet Shehu, një prej ish-eksponentëve të lartë të udhëheqjes komuniste, vinte shpesh për të gjuajtur. Por ishte njëkohësisht edhe zonë kufitare ku sot ende kanë mbetur bunkerët e topave.
Në grykëderdhje të Vjosës, aty ku uji i ëmbël përqafon shkulmet e kripura të Adriatikut, kallamishtet sa një bojë njeriu fillojnë e rrallohen dhe fusha hapet, duke krijuar një shesh pushimi me pisha të buta aty-këtu, ku peshkatarët kanë sajuar ndonjë çadër për të kaluar natën. Ai është edhe vendi ideal për pushimin e parë, ku mund të shijohet nje drekë zgare me peshk të sapodalë nga lumi apo nga deti, nëse jeni me fat dhe në periudhën e duhur, mund të shijoni edhe ngjala.
Pastaj shfaqet deti. I bukur, i pafund, Sazani përballë, fare i veçantë në këtë pozicion ku rrallëkush mund ta ketë parë, për shkak se përgjithësisht e shohim në anën tjetër të Vlorës. Përgjatë detit, dunat e Pishë-Poros. Ideale për safarin më emocionues që mund të keni përjetuar ndonjë herë. Pak më tej, Kallënga, laguna e vogël dhe e bukur që tashmë është mbipopulluar me shpendë të llojeve të ndryshme.
Kemi lënë pas shpine kurrizet e dunave e pafundësinë e detit dhe nisemi drejt rrugës së kthimit por jo në të njëjtat shtigje. Këtë herë do të ndjekim një trajektore rrumbullake, e cila na çon përgjatë rrjedhës së Lumit të Kripur. Quhet kështu sepse gjatë baticë-zbaticave, merr ujë nga deti dhe e mbyll rrugën e ujit me anë të rrymave, duke “burgosur” një sasi të madhe peshqish, që përveç peshkatarëve, bëhen pre edhe e shpendëve të shumtë. Por quhet edhe Lumi i Vdekur, sepse në shumicën e kohës thahet, pasi nuk ushqehet nga asnjë burim.
E pasi të kemi kaluar edhe Lumin e Kripur e Kanalin e Gjermanit përmes tij, marrim rrugën për në fshat, këtë herë duke hyrë nga ana jugore. Në të djathtë, pa hyrë në fshat, ndodhet Kisha e Shën Harallambit, për të cilën banorët thonë se është një vend i shenjtë.
Nëse doni ta zgjasni këtë tur, ditën tjetër, mund të provoni dy përvoja të tjera po aq ekzaltuese; të përshkoni rrjedhën e Vjosës, nga Ura e Mifolit e deri në grykëderdhje me transport varkash ose nëpërmjet përvojës së paharrueshme të rafting. Pas mbërritjes, mund të zbrisni në bregun e kundërt, që i takon Fierit e që aty të nisni një aventurë të re nëpër Seman; Wind Surf nëpër dallgët e mrekullueshme të Adriatikut. Po për këtë përvojë të veçantë, do t`ju flasim në numrin e ardhshëm.

Të dhëna teknike për turin:

  • Koha më e përshtatshme: Pranverë-Vjeshtë
  • Numri i pjesëmarrësve: 8-10 persona
  • Mënyra e përshkimit të udhëtimit: me guidë vendase
  • Akomodimi në rast se turi zgjat 2-3 ditë:
  • Në hotelet ose shtëpitë e zonës
  • Mjetet për zhvillimin e turit: vetëm pajisjet personale, gjithçka tjetër e ofrojnë organizatorët
  • Mjetet me të cilat zhvillohet turi: Sipas dëshirës së pjesëmarrësve, me ecje në këmbë, me kuaj, me
    motorrë 4 x 4 ose me makina të larta.

Për të prenotuar turin kontaktoni:
www.blue-albania.com

Klikoni këtu për më shumë foto: