Televizioni amerikan CNBC: Shqipëria, pjesë e 52 destinacioneve turistike të vitit 2020

27 Dhjetor, 2019 || 479 views

Nga Klotilda Saraçini 

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/- Nëse udhëtimi në destinacione magjepsëse dhe kulturore të ndryshme është në listën tuaj për vitin e ri atëherë mbajeni këtë listë të dobishme.

Televizioni amerikan CNBC rishikoi një pjesë të listave të shumta për “vendet më të mira për të shkuar” të pubikuara gjatë kësaj periudhe të vitit dhe u kërkoi ekspertëve të industrisë së udhëtimit për këshilla për kohërat dhe arsyet më të mira për të vizituar qytete të caktuara.

Një studim i kohëve të fundit i AAA Travel zbuloi se një e katërta e amerikanëve planifikojnë të bëjnë një pushim ndërkombëtar gjatë 18 muajve të ardhshëm në destinacionet e njohura europiane si Romë, Londër, Dublin dhe Paris dhe në vende me mot të ngrohtë në Meksikë dhe Karaibe.

A keni qenë atje? Këtu janë disa destinacione të tjera për t’u marrë parasysh.

Fodor, një botues i informacionit të udhëtimit dhe turizmit në gjuhën angleze, bashkoi në një listë 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2020, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

“Destinacionet në krye të listës në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada janë Athina, Georgia, Baltimore, Maryland; dhe Newfoundland, Kanada. Ishujt Aeolian të Siçilisë kryesojnë listën për destinacionet për t’u drejtuar në Europë, të ndjekur nga Shqipëria dhe Andaluzia, në pjesën jugore të Spanjës”, shkruan CNBC. /k.s/j.p/

Burimi: ATA