Te Ruvi në Divjakë, si tek gjyshja e Kësulkuqes

Gusht 29, 2020 || 1008 views

Nëse ia keni taksur vetes një fundjavë në Divjakë, për të vizituar parkun, për një shëtitje në pyll, për të kundruar zogjtë, për një xhiro me varkë apo çfarëdolloj “mëkati” tjetër që do t’i lejoni vetes pranë natyrës, shtojeni dhe një “mëkat” më shumë në listën tuaj.

 

 

Ktheni “Te Ruvi” për një drekë “come la natura comanda”. Do t’ju duket sikur keni ardhur te gjyshja e Kësulkuqes. Në mes të pyllit por edhe oborri plot me lule, shtëpiza e bardhë plot me vazo e kashtëra që varen gjithandej, fresku fresk, zogjtë po punë madhe…

Për kuzhinën, nuk po zgjatemi shumë. Ruvi është kuzhinier i vjetër, pjesë e elitës së kuzhinierëve të kryeqytetit por që prej një dekade, nuk i pëlqeu më metropoli dhe erdh e u arratis në këtë parajsë të Zotit që quhet Divjakë.

Këtu ngriti folenë e tij, ku vijnë e çukisin kryeqytetasit, helbete, si njohës të kuzhinës së mirë. Sepse gatimet e Ruvit nuk janë thjesht çështje peshku e ngjalash, si kryefjalë e Divjakë-Karavastasë.

Bëhet fjalë për një ansambël gastronomik tradicional por edhe krijues, që klientët e tij besnikë e njohin mirë. Po ju, i njihni gatimet e Ruvit? Dua të them fantazinë e kthyer në “involtini me kërpudha”, natyrisht të pyllit të Divjakës apo delikatesa të tjera, për të cilat klientët vijnë enkas?

Epo nëse ende jo, nuk është kurrë vonë të provoni një kuzhinë që vlen, mes një vendi të shkëputur nga Bota e Përrallave.