Të njohësh historinë e një vendi, përmes verërave

19 Janar, 2020 || 1690 views

Entela Cenko – someliere

Shqiptarët duhet patjetër të kenë edhe verë vendase në tryeza. Madje, edhe pjesa tjetër e botës duhet të njihet me verërat shqiptare, siç në fakt, për fat të mirë, ka ndodhur tashmë. Ne sot kemi kantina shumë të mira, që prodhojnë verëra me cilësi dhe standarte shumë të larta. Duke konsumuar sa më shumë verëra shqiptare, ne ndihmojmë prodhuesit tanë të kenë më shumë të ardhura dhe të investojne më tej në rritjen e cilësisë së verërave. Ky proces zinxhir i ndihmon ata të përmirësohen vazhdimisht. Duhet thjesht të njohim kantinat si edhe llojet e verërave që ato prodhojnë. E mira është që edhe nga këto kantina të përzgjidhen verëra me bazë të rrushit autokton shqiptar, për t`i dhënë edhe identitet prodhimit vendas.

Në Shqipëri ekzistojnë 13 kultivarë autoktonë të ruajtur tradicionalisht në rajone të ndryshme gjeografike. Të tilla janë llojet Kallmet, Shesh, Puls, Debinë, Vlosh, Cerruja, Serine, Sypule, Dhelpërak, e të tjerë.

Turizmi shqiptar por me një zhvillim

Someleria, si profesioni i njohjes së verërave, është sektori që mund të sugjerojë më shumë se cilido tjetër përdorimin e produkteve vendase në strukturat gastronomike.
Resorteve dhe restoranteve në të gjithë Shqipërinë, do t`u sugjeronim që në tryezat e tyre të ofrojnë verërat shqiptare, sidomos varietetet autoktone. Për të shijuar një pjatë të mirë, duhet një gotë verë e mirë. Dhe shumë prej verërave shqiptare, e meritojnë të jenë në tryezën e një restoranti e pa dyshim edhe në tryezën e një shtëpie.
Unë do t`ju sugjeroja tri lloje verërash nga kantina të ndryshme, shija dhe aroma e të cilave paraqet një identitet të qartë e unik ne secilin lloj.

Pamid Rosé nga Kantina Caco

Pamidi është varietet tipik shqiptar që gjendet në zonën e Pogradecit. Veshuli i Pamidit gjendet në bazilikën e Linit. Bazilika e Linit daton rreth shekullit V. E veçanta e varietetit Pamid është ngjyra e kuqe e veshulit. Një rrush nga i cili mund të prodhohet verë rośe ose verë e bardhë. Vera Pamid Rosé është një verë elegante me aroma të larmishme, freski shumë të mirë dhe shijshmëri të qëndrueshme. Vreshti ku marrim Pamidin është rreth 15 ha por prodhojmë 13-14 hektolitra.
Këshillohet si aperitiv ose me gatime të lehta.
Kantina e Verës Caco, që prodhon verën “Pamid”, ndodhet në zonën e Pogradecit, një zonë me një traditë të hershme në prodhimin e verës, prej vitit që njihet dhe për prodhimet e ndryshme vendase si Pamid, Gems dhe Perla.
Verërat e kantinës Caco janë tradicionale, karakteristike dhe të ndryshme që fermentohen nëpër fuçi te çelikta që nuk ndryshken, ndërsa verërat e zgjedhura më të rëndësishme ruhen në vende më specifike, ose nëpër fuçi të vogla të vjetra lisi, ose nëpër vende te zgjedhura nga enologët. Ersol Caco është brezi i 4-t në familje që prodhon verë, sigurisht gjatë periudhës të komunizmit aktiviteti u ndalua dhe u rifilluan pasi u nderrua sistemi, si morën ne pronësi disa nga vreshtat

 

Shesh i Zi, Kultivar i vjetër autokton

Vera më e njohur shqiptare, me prejardhje nga fshati Shesh në Durrës, vjen nga rrushi nga i cili ka marrë edhe emrin, e që gjendet sot i përhapur në të gjithë vendin tonë. Ajo zë vendin e parë për sasinë e sipërfaqes së mbjellë. Lastarët kanë rritje të fuqishme, me ngjyrë të gjelbër, me push. Në vjeshtë marrin ngjyrë të verdhë në kafe dhe në nyje ngjyrë vjollcë. Gjethja është mesatare, me formë pesëkëndëshe, me pesë lobe, me gropëzën e bishtit të hapur. Lulja është dyseksore normale.

E Kuqja Shqiptare Kantina Faba

Nga gërshetimi i rrushnave Autoktonë Shqiptarë Vlosh dhe Shesh i Zi, lind kjo verë e mrekullueshme. Dy hektarë prej vreshtave janë të varietetit shqiptar “Sheshi i Zi” dhe një hektar vresht “Vlosh” në zonën e Cakranit, të vendosur në pozicion dominues në raport me diellin.
Këshillohet të shoqërohet me antipasta të ndryshme, mish të kuq, mish të egër dhe djathra zgare.
Serviret në 16-18 gradë
Krijimi i Kantinës FABA daton në fillimet e vitit 1990. Pasioni dhe vullneti i zotit Faik Driza i dha jetë këtij emocioni. Sot përsosmëria e Kantinës Faba kalon përmes investimit të fjalë së fundit të teknologjisë së prodhimit të verërave.
Në kantinë janë bërë investime afatgjata të teknologjisë së macerimit dhe fermentimit të lëngut të rrushit. Vjetërimi në fuçi lisi i verërave të kuqe të viteve më të mira, ka bërë të mundur krijimin e nje game super cilësore.
Kantina Faba numëron nëntë etiketa vere dhe tri etiketa rakie.
Kultivarët që përbëjnë sot verën “Faba” janë Sheshi i Zi , Kabërnet Sauvignon, Merlot, San Giovese, Chardonnay, Riesling dhe Vlosh. 20 hektarë vreshta, të cilave u shërbehet me shumë përkushtim, dashuri dhe pasion.


Vloshi nga Kantina Balaj

Vloshi është një varietet i hershëm i zonës së Vlorës. Narta është djepi i këtij varieteti. Është mesatarisht prodhues, me vjelje të vonshme. Mënyra e rritjes në përgjithësi është alberelo, për arsye se degët i rrit në pozicion vertikal. Rrushi ka ngjyrë nga rose deri në nuancë vjollcë të lehtë. Vera është rosé. Vetëm në vite shumë të thata, ka nuancë të një të kuqeje të lehtë. Hyn tek verërat elegante e me strukturë të lehtë taninesh.
Këshillohet me antipasta të ndryshme, mish të kuq, etj.

Vëllezërit Artan dhe Sokol Balaj janë njëri agronom, i cili prodhon fidanë dhe tjetri shef kuzhine, me një pasion të madh për verën.
Kantina ndodhet në zonën e Vlorës. Artani pasi u kthye nga emigimi ku punoi në zonën e Toskanës,
nga pasioni dhe dëshira që kishte për t`u marrë me vreshtat, krijoi Kantinën Balaj
Në vreshtat e tyre kanë mbjellë disa varitete: Merlot, Cabernet, Sagvinion, Vlosh etj..