Si të kapërceni frikën e mosgjetjes së një pune

April 15, 2020 || views
Në këtë fazë me paqartësi të mëdha rriten edhe shqetësimet për të tashmen dhe të ardhmen profesionale. Dy psikologë shpjegojnë se si të përballeni dhe t’ia dilni mbanë.

Emergjenca e COVID-19, tashmë pandemi në shkallë botërore, po shkakton shqetësime të forta ekonomike te punonjësit, veçanërisht tek ata në sektorët më të pasigurt dhe më pak të mbrojtur. Ankthi është i justifikuar për shkak të një tabloje të paqartë. Një sondazh i kryer te 2000 të rritur amerikanë nga The Harris Poll për llogari të aplikacionit për menaxhimin e borxheve Tally, gjeti se tre në katër amerikanw (76% e kampionit të marrë në studim) u tremben pasojave të një recesioni ekonomik të paprecedentë. Frika më e madhe mbetet një: të mos pasurit më të një pune.

Paqartësitë, më të forta në mesin e Millennials

Sipas një tjetër sondazhi, kësaj here të kryer nga Global Web Index, Millennials në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndihen të pasigurt (më e pakta që mund të thuhet) në lidhje me të ardhmen e tyre ekonomike. Këtyre u shtohen edhe pasojat psikologjike të izolimit, veçanërisht tek ata që jetojnë vetëm (dhe të tillë do duhet të qëndrojnë edhe për shumë kohë), të cilat rezultojnë shpesh në episode pagjumësie dhe sulme paniku.

I papunë, ndihmë! Këndvështrimi i ekspertëve

Për këtë pyetëm dy psikologë, Davide Cortesi dhe Elena Benvenuti për të na këshilluar disa strategji se si të përballemi me frikën se mos mbetemi pa punë. Duhet të mësoni të reagoni, duke qëndruar me këmbë në tokë dhe duke gjetur forcë në vete për një plan B.

Jemi të gjithë në një anije

Sigurisht, ka nga ata që janë më të privilegjuar. Megjithatë, përballë kësaj gjendje të krizës kolektive, ndjenja e frikës dhe paqartësitë na prekin të gjithëve. Siç thotë psikologu i njohur Abraham Maslow, ndjenja e sigurisë është thelbësore për njerëzit. Zhvillimi i empatisë dhe ruajtja e lidhjeve njerëzore autentike shërben për t’i bërë njerëzit të ndihen më pak të frikësuar dhe të izoluar.

Kultivoni vetëvlerësimin

Gjendja e rënduar e paqartësive rrezikon të dëmtojë vetëvlerësimin, shtyllë për përmbushjen profesionale dhe personale. Ju duhet të shmangni që të ndiheni fajtor dhe pjesë e një dështimi që nuk varet prej jush, por nga një sistem mbi të cilin ju nuk keni kontroll.

Ruani realizmin e shëndetshëm

Për të larguar mendimin përndjekës se nuk do të gjeni më një punë, duhet t’u drejtoheni të dhënave të realitetit. Cilado që të jetë situata pas epidemisë, njerëzit do t’i rikthehen jetës, do të udhëtojnë, do të blejnë, etj. Do të krijohen mundësi të reja dhe mbi të gjitha, nga pikëpamja profesionale.

Koha për të përveshur mëngët

Me pak vetëdije, disiplinë e vullnet, ju duhet ta zhvendosni vëmendjen nga problemi (pa punë) te mendimi për mundësi të reja. Askush nuk thotë se do të jetë e lehtë, por investimi i kohës dhe energjive për një plan B do të rrisë vetëvlerësimin tuaj, duke krijuar një rreth vicioz.

Krijoni network

Nëse tani jeni të papunë (ose gjithsesi perspektiva është drejt asaj rruge), investoni energji edhe në networking, duke krijuar kontakte për të rinisur me një projekt të ri, mbase jo më vetëm, por si pjesë e një skuadre./monitor.al

Burimi: Vanity Fair