Eda Geci: Si kthehet një dashuruese udhëtimesh në udhërrëfyese turistike

6 Nëntor, 2020 || 789 views

Eda Geci

Rrëfimi i një vajze që megjithëse formimin e saj shkollor e kishte drejtuar tek fusha e “Planifikimit dhe Menaxhimit Urban”, zemrën dhe pasionet i kishte diku tjetër; tek turizmi, bukuritë e Shqipërisë dhe dëshira për t`ua treguar ato edhe shumë të tjerëve.

Rruga ime drejt formimit si guidë turistike

Shpella e Pëllumbasit ishte përvoja ime e parë e gjithashtu edhe guida profesionale që unë do të zhvilloja si pjesë e praktikës mësimore të kursit që ndjek prej 3 javësh pranë Qendrës së Formimit Profesional nr. 4 Tiranë. Dëshira për të udhëtuar dhe njohur terrenin shqiptar ka filluar që fillim të fakultetit në vitin 2010, ku ndiqja degën “Planifikim dhe Menaxhim Urban” pranë Universitetit Polis.

Udhëtimet u bënë pjesë e imja duke u shtuar ndër vite, ndërkohë që krahas praktikave mësimore, vizitoja vende të reja brenda dhe jashtë vendit. Veten e gjeta tek “hiking”, siç i thonë ecjes në natyrë në gjuhën turistike, ku ngjisja male dhe eksploroja natyrën e veçantë të tokës shqiptare. Tre vitet e fundit kam qenë më pranë turistëve pasi u zhvendosa në qytetin e Sarandës, ku punoja si grafik dizjaner dhe në kohën e lirë organizoja eskursionet për turistët e huaj. Ndërsa në fundjava shoqëroja turistët në plazhet e bukura të Sarandës. Ishte nxitja nga ana e turistëve (shumë prej të cilëve i zura miq dhe vazhdoj të mbaj kontakte me ta), që unë të bëhesha një udhërrëfyese. Ata mendonin që i përshtatesha më së miri këtij profesioni për energjinë dhe dinamizmin e duhur për të qenë dikush që udhëheq një grup. Por edhe vetë kisha filluar ta doja këtë profesion!
Pavarësisht sa kam pasur fatin të udhëtoja në disa vende jashtë Shqipërisë, vendi i parë dhe që s`do e ndërroja me asnjë vend tjetër të botës, është Shqipëria. Nga kjo mora shkas të krijoja motot e mia: “Ska si ENERGJIA e Tokës tënde” dhe “Shqipëria bëhet vetëm dhe vetëm me Shqiptarë”.

 

Shpella e Pëllumbasit pëllumbi im i parë lajmëtar
Dita e parë si udhërrëfyese, ose siç i themi në përditshmëri “Guidë Turistike” profesionale, bënte që emocionet të ishin tepër të mëdha, që nga momenti kur turistët filluan të mblidheshin pranë Sheshit “Avni Rustemi”, ku dhe kishim paracaktuar pikën e takimit. Përpjekja për të qenë korrektë të gjithë me oraret (hapi i parë për të qenë një guidë), është pak e vështirë por me disa vonesa të volga arrita të mblidhja grupin e kursit të guidës, dy turistët amerikanë si dhe turistë të tjerë shqiptarë. Është një sipërmarrje jo e lehtë të vësh në emërues të përbashkët njerëz të ndryshëm për të njëjtin qëllim, ndonëse itinerari i një udhëtimi është i përcaktuar. Sepse janë hollësitë ato që e bëjnë ditën. Mësuesja ime Lindita, Gysi dhe Ledi, shokët e mi, me të me të cilët po kryejmë praktikën mësimore nën kujdesin e “Eco Albania Adventures”, më janë gjendur pranë vazhdimisht.

Erdhi edhe momenti që grupin e drejtova drejt furgonit që ndaloi tek Sheshi “Avni Rustemi” dhe më pas vazhduam rrugën drejt Rrugës së Elbasanit, për tek Shpella e Pëllumbasit. Jo shumë larg nga nisja, bëmë një prezantim të shkurtër dhe natyrshëm, atmosfera u ngroh, aq sa ia morëm këngës. Energjia jonë dhe ajo e grupit, të cilët duket që ishin të përgatitur shpirtërisht për të kaluar një ditë ndryshe, u bënë bashkë. Ata që s`kishin qenë asnjëherë (mos u çuditni, ka plot), shikonin të mahnitur që, jo shumë larg qytetit të Tiranës, shpalosej një bukuri e tillë si ajo e fshatit Pëllumbas dhe rrjedha natyrore e Lumit të Erzenit.

Për të shkuar tek Shpella e Pëllumbasit më parë duhej të kaloje nga Fshati Pëllumbas. Brenda në fshat ishte shumë bukur. Tek lokali I fshatit, kush një freskuese, kush një kafe, kush një dhallë, morëm energji për pjesën tjetër të udhëtimit, që do të ishte ecje.
Pas pesëmbëdhjetë minutash nisëm ecjen drejt shpellës. Jo shumë larg lokalit, në të djathtë të rrugës, fillon ngjitja e malores. Niveli i vështirësisë është (nga 1 në 3) është 1, sepse në vitin 2012 është bërë sistemimi i rrugës (me fondet e ambasadës suedeze, dhe me ndihmën e stafit të Outdoor Albania) pasi më përpara ka qënë veçse një “shteg dhish”.
Ndalesa e parë që bëmë ishte në sheshin e parë, ku të gjithë nxorën aparatet për të kapur pamjet mahnihtëse që ofronte fshati kur shikohej nga lart. E gjithë pjesa tjetër e rrugës është një mrekulli e vërtetë deri sa arrin në destinacion. Për pjesën më të madhe të grupit kjo ishte hera e parë që vizitonin shpellën dhe më entuziastët u futën të parët në shpellë, duke lënë në pritje pjesën tjetër.
Shpella ishte mbresëlënëse! Në vitin 1995 ajo është shënuar në hartën botërore të shpellave karstike, përkrah vetëm pesë simotrave në të gjithë Evropën. Bukuria e saj e veçantë por edhe vlerat historike, si një vendbanim prehistorik dhjetëmijëvjeçar, e bëjnë atë një atraksion unik në Europë edhe pse fatkeqësish jo aq të njohur sa shpella të tjera, më pak të rëndësishme se ajo.
Në kthim bëmë sërish ndalesë ku edhe zhvilluam disa lojra për grupin. Duke qenë se këtë herë nuk ishin më shumë se pesëmbëdhjetë persona, ishte disi e lehtë të menaxhohej, dhe kjo u vu re lehtë, ngaqë të gjithë dolën shumë të kënaqur. Mos t`ju duket fjali e çuditshme kjo. Një udhërrëfyes këtë ka si qëllim kryesor; kënaqësinë e udhëtarëve të grupit që merr përsipër të drejtojë. Kështu që isha shumë e lumtur kur vura re gëzim e hare në fytyrat e miqve të udhëtimit tim të parë si udhërrëfyese profesioniste. Ia kisha dalë!
Jeta ime e re sapo ka nisur. Shihemi në udhëtime të tjera!