Shurdhahu, thirrja e natyrës dhe e historisë

February 17, 2020 || views

Nga Flora Xhemani Baba

Ftesa e Agroturizëm Albania për në Festën e Gurit të Zi, ku ndër të tjera do të vizitonim edhe Ishullin e Shurdhahut, ishte si vetë thirrja e natyrës në ditët e saj më të mira. Në mesin e qershorit ishulli është një spektakël i vërtetë i natyrës e, edhe pse temperaturat e këtij qershori ishin si një korrik i hershëm, asnjë vapë nuk do na pengonte për këtë udhëtim të mrekullueshëm. Them i mrekullueshëm sepse ndryshe nga vite më parë kur ishullit mund t`i vije qark vetëm me varka të vogla, ku sado të mbroheshe, diellin do ta kishe mbi kokë gjithë kohën deri në breg, tani udhëtimi është një shëtitje e bukur me jahtin turistik “Sarda”, të cilin i apasionuari Artef Lekaj, që aq me shpirt ju rrëfen historitë e shumta të Sardës, e ka vënë në dispozicion për turistët tashmë jo edhe aq të pakët në numër, që vizitojnë ishullin nga pranvera deri në vjeshtë.

E njohim tashmë atmosferën e festave lokale, u mësuam me to. Zemra mal na bëhet kur bëhet një festë e re në një fshat të ri, siç ishte kjo e fundit në Gur të Zi. Me shijen e mirë të saj, u nisëm drejt Rragamit, nga kalon “shtegu” drejt Liqenit të Vaut të Dejës, për në limanin e vogël të varkave e nga ku niset edhe jahti Sarda. Me shumë dëshirë do kishim bërë një vizitë në shtëpinë e Dioniz dhe Anetë Markut, për të shijuar atmosferën Shurdhahu, apo Sarda ishte dikur një gadishull në lumin Drin, ku ndodhej qyteti mesjetar me të njëtin emër. Në vitin 1973, kur u ndërtua diga e hidrocentralit të Vaut të Dejës, gadishulli i Shurdhahut, nga ngritja e nivelit të ujit u shndërrua në ishull në lumin Drin dhe ushqimet e mrekullueshme të fermës së tyre agroturistike por na priste Shurdhahu dhe e lamë për herë tjetër, një herë më të gjatë. Rruga e Rragamit, ishte një ngarendje përmes gjelbërimit të pemëve, kumbullave thuajse të pjekura që ta bënin me sy të ndaloje për të marrë ndonjë kokërr e kopshtijeve ku lulëzonin trëndafilat. Edhe pse dy kilometrat e fundit të rrugës deri te limani ishin të paasfaltuara, shija e kësaj ngarendjeje nuk na u zbeh. Natyra ta bënte sy gjithandej, derisa mbërritëm në liman.

Mbi bordin e jahtit Sarda

Nuk e di nëse mund ta quajmë luksoz dhe nuk po e quajmë, për të mos zhgënjyer pritshmëritë e atyre që mund të na lexojnë por ky katamaran i vogël është mjaft komod për një grup të mirë turistësh, duke ofruar përveç bordeve, kuvertës e pupës, që i ka çdo anije, një sallë të rehatshme ku mund të rrish nëse nuk të pëlqen dielli i fortë apo era e freskët. E aty ishin ulur thuajse të gjithë, Ardiola, Jonida, Deni, Lea – ekipi i Agroturizëm Albania – stafi i bashkisë Shkodër, që kishte organizuar udhëtimin dhe të tjerët që kishin ardhur për ekskursionin. Fikja e papritur e motorit dhe ndalimi në mes të liqenit na ngriu gjakun. Jo se kishim ndonjë frikë tjetër përpos anulimit Flora Xhemani Baba të ekskursionit që po e prisnim me aq qejf. Me ndalimin e jahtit, pushoi dhe freskia, ngaqë mbi liqen nuk frynte pikë ere. Por sot, me telefonat nëpër duar, ku sekush nxitonte për të shkrepur foto, rreth e qark jahtit, vapa harrohej. Të parët që nuk e duruan dot vapën ishin djemtë tanë, që hoqën bluzat e kërcyen direkt mbi liqen, njëherësh me të atin. E ndërkohë që fytyrat e djersitura e të merakosura të ekipit të Sardës jepnin e merrnin në dhomën e motorrit, çunave tanë iu bashkuan edhe dy turiste gjermane, duke shijuar pa teklif ujrat e kristalta të Liqenit të Vaut të Dejës. Të gjithë spektatorët – shumica nga Shkodra e pak nga Tirana, i ndiqnin gjithë kërshëri e buzagaz, sidomos kur Hodoja e Arbri ngjiteshin në katin e dytë të anijes e hidheshin mbi ujë me kollotumba. Surpriza më e bukur që na bëri të mos e ndjenim pritjen, ishte parakalimi solemn i grupit të turistëve të Water Sport Albania, që ekipi i kishte sjellë në liqen për një xhiro me “Stand up paddle”. Ata parakalonin nga dy e nga tre dhe na përshëndesnin me dorë. Me siguri u vinte keq për ne, ndërkohë që për vete rrëshqisnin të lirë mbi syprinën e gjelbër e iknin tutje, në drejtim të bregut. Dikur motori ushtoi dhe të gjithë morëm frymë lirisht. Paskësh qenë një gjë aq pa zarar, sa nuk po i binin dot në të, po ja që njëri nga qerratenjtë, djemtë që kish pastruar jahtin dje, pas turit me anglezët, kishte zënë keq tubin e karburantit. Nejse, u rinisëm. Nuk është shumë e gjatë “rruga” për në ishull. Jo më shumë se 30 minuta dhe shikon nga larg muret e rrënojave të qytetit të dikurshëm mesjetar, që në lavdinë e vet, njohu për zotër Dukagjinët. Vënia në njëshkolonë, duke djekur shtegun, që Artefi e pastroi pak nga shkurret, ishte edhe fillimi i eksplorimit të mistereve dhe historive të shumta që mbart ky ishull i vogël, i cili në të shkuarën e vet ishte një qendër e artë e civilizimit mesjetar.

Qershori e kish mbuluar ishullin me lule basani, ose lule balsami, por edhe shkurrnaja mesdhetare ishte harlisur kudo me lule gjithfarësh, që nga e bardha e lules së mareve, e deri tek çiklamini i bukur i gjembit të gomarit. Kush duke ndjekur Artefin bashkë me shpjegimet e tij e kush duke rendur para, kaluam rrënojat e mureve rrethuese të kalasë, duke admiruar fragmentet e kishave. Artefi kishte merak t`u tregonte vajzave dhe djemve që përbënin pjesën më të madhe të grupit historinë e Portës së Kunorës, përmes të cilës duhetj të kaloje për të shkuar tek rrënojat e kishës më të ruajtur. Dhe historia na qenkësh kështu: djemtë duhet të vinin të mateshin tek harku dhe nëse koka u arrinte te qemeri, atëhere ishin gati për martesë, ose për nuse. Mirëpo, as më i gjati i djemve nuk kishte shanse ta preke qemerin, që ishte së paku 70 cm mbi kokën e tij. Kështu i bie që të mbesim të gjithë beqarë, tha ai duke buzagazur grupin. Por me siguri që legjenda e kishte tepruar pak mbi këtë argument. Prandaj legjendat janë legjenda, që të kenë pakëz hiperbolë brenda. Kur u futëm brenda kishës, nga ku kishin mbetur vetëm muret, altari dhe pak afreske të rrënuara plotësisht, pamë se ajo ishte kthyer në strehë për lakuriqët e natës, një gjitar që i pëlqen shumë shpellat e që në këtë rast kishin gjetur tonin e duhur të errësirës. Përtej kishës, në anën lindore të ishullit, bregu binte thikë, duke krijuar një kanion të frikshëm e të thellë, me bukuri të pashoqe, që me siguri në të ardhmen do të bëhej sfida e adhurusve të sportit të kacavjerrjes e ndoshta pse jo, edhe të atyre që pëlqenin të hidheshin në ujë nga lartësitë. Përveçse me një natyrë të bukur sot, ideal për botanistët dhe dashuruesit e natyrës në përgjithësi, Sarda ose Shurdhahu, është mbi të gjitha një dëshmi e vyer e trashëgimisë tonë të kulturës ilire, që merr vlera të veçanta po të kihet parasysh historia e gjatë e pushtimeve dhe e luftës së qytetërimeve të tjera për asimilimin e prejardhjes së vërtetë të shqiptarëve. E në paragrafet e mëposhtme, mund të lexoni pak më shumë për historinë e saj, ndërkohë që edhe ne e përmbyllëm me sukses ekskursionin, përzier me pak aventurë, e me dëshirë të madhe për t`u rikthyer këndejza, kësaj radhe për të zbuluar Gajtanin, qytetin tjetër ilir të kohërave të hershme. Faleminderit Agroturizëm Albania për përvojën e bukur ku na ftuat të bënim pjesë, faleminderit Sarda Tours për udhëtimin e bukur.

QYTETI MESJETAR I SARDËS

Shurdhahu, apo Sarda ishte dikur një gadishull në lumin Drin, ku ndodhej qyteti mesjetar me të njëtin emër. Në vitin 1973, kur u ndërtua diga e hidrocentralit të Vaut të Dejës, gadishulli i Shurdhahut, nga ngritja e nivelit të ujit u shndërrua në ishull në lumin Drin, shndërruar në liqen. Ishulli është afërsisht 16.09 km nga qyteza e Vaut të Dejës dhe 6.4 km nga fshati Rragam, i cili ndodhet 9 km nga qyteti i Shkodrës. Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Këtu ndodhet vendbanimi i hershëm i Gajtanit (Shpella e Gajtanit), kalaja e Danjës, kalaja e Dalmacës.

Historia e Sardës

Periudha më e hershme e qytetit i takon filimeve dhe ngritjes së kalasë së Shurdhahut, shekulli VI-VIII. Qyteza e Sardës deri në fund të shek. XV ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi e tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, kulturës së Mirditës dhe asaj të Zadrimës, të cilat, me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëratjetra, u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm. Në shekullin XV Sarda konsiderohet si qendër e rëndësishme urbane mesjetare. Sipas të dhënave burimore, Sarda ka qenë nën juridiksionin e familjes së Dukagjinasve por në vitet 1372-1444 mendohet se qyteti ra nën sundimin e Zahariajve, një tjetër dinasti shqiptare, fqinje me zotërimet tokësore të Dukagjinasve. Sarda, dikur një qytezë përbri Drinit, si një ishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë- Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes të madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin e tyre, rrënojat e të cilit, si dhe ato të një kishe me arkitekturë romake, kanë mbetur akoma. Shkatërrimi i tyre ndodhi nga pushtimi osman në vitin 1491. Sipas studiuesve emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire. Këtu janë gjetur rrënojat e një kalaje romake të shek 6 – 8 p.e.s. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të dy anët e Drinit nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës. Mungesa e qendrave të vjetra antike përreth Sardës, i ka shtyrë studiuesit, të mendojnë se krijimi i qytetit është i lidhur me banorët ilirë të të njëjtit emër, që jetonin në qytezën e Gajtanit, ku janë zbuluar rrënoja. Pas shkatërrimit të qytezës së Gajtanit, banorët e saj u shpërngulën, duke kërkuar një vendbanim të ri, më të mbrojtur në periudhën e turbullt të “dyndjeve barbare”. Gjatë mesjetës qyteti njihet si seli ipeshkvnore nën Arqipeshkvinë e Tivarit. Dom Gaspër Gurakuqi, hartues i dy monografive mbi Dioqezën e Sapës (1929,1943), flet për një letër të shkruar nga Celestini I, që u drejtohet ipeshkvive të Ilirisë, të cilët u mblodhën në Koncilin e Efestit, më 431. Sipas këtij dokumenti, Sarda ekzistonte si seli ipeshkvnore që më 431. Objektet e kultit në ishullin e Shurdhahut Ndër objektet më të rëndësishme në ishullin e Shurdhahut janë kishat. Më e rëndësishmja, ajo e Shën Mërisë, ngritur mbi murin e rrënuar të rrethimit të sipërm të qytetit, në skajin lindor. Kisha, sipas arkeologëve Hëna Spahiu dhe D. Komata, ishte e vendosur mbi muret e një kishe të vjetër. Në përgjithësi kishat e Sardës janë të ngjashme me ato të Sapës dhe Danjës. Ipeshkvi i Sapës, Frang Bardhi, në relacionin e vitit 1641 dërguar Selisë së Shenjtë, shënon emrat e 11 kishave të Sardës, si dhe një numër kishash të tjera të paidentifikuara me emër. Arkeologët pohojnë se Shurdhahu shërben si një shembull tipik i lindjes, zhvillimit dhe i vazhdimësisë së jetës qytetare në mesjetën e hershme shqiptare.