Shtëpi muze në vendlindjen e Sterio Spases

27 Shkurt, 2020 || 557 views

Gollomboçi, fshati i pasur nga veprimtaria letrare e Sterio Spases do të ketë tashmë edhe një shtëpi muze në nder të veprimtarisë së këtij shkrimitari. Sterio Spase lindi në Gollomboç, një nga fshatrat maqedonisht-folës, në bashkinë e Pustecit.

Shkolla ku Sterio Spase ka marrë mësimet e para do të jetë së shpejti një shtëpi muze nga ku vizitorët do të shohin më shumë rreth jetës dhe veprës së tij.

 

 

Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterio Spase u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.

Drejtori i Drejtorisë rajonale i trashëgimisë kulturore, Gjergji Koki, pohon se ky projekt do të jetë gati për 2 vitet e ardhshme duke e kthyer dhe një ndër pikat turistike këtë fshat. Ai shton se vlera e këtij projekti do të jetë rreth 200 mijë euro.

“Do të kemi një banesë ku do të jetë një vend pelegrinazhi, në nderim të kujtesës historike por edhe të vendit ku është rritur Sterio Spase si një ndër njerëzit më të shquar që ka pasur zona e Pustecit. Kjo do të jetë një risi dhe destinacion turistik për vizitorët e Pustecit. Vlera e projektit që përllogaritet është 200 mijë euro”, tha Gjergji Koki.

Pritet që ky projekt do ta kthejë fshatin Gollomboc ndër më të frekuentuarit në në bashkinë e Pustecit. /Shqiptarja.com