Shqiptaro-ukrainasja Albania Bajraktari triumfon edhe në Tbilisi në konkursin e talenteve “World Rising Star”

May 8, 2022 || views

Sapo është mbyllur në Tbilisi të Gjeorgjisë konkursi i talenteve nga e gjithë bota, “World Rising Star”, ku agjencia e spektakleve “Albania Event Production” bën të mundur përfaqësimin e Shqipërisë dhe Albana Bajraktari shqiptaro-ukrainasja që premton të jetë një yll i ardhshëm në muzikën operistike, ka rrëmbyer sërish çmimin e parë, shoqëruar madje edhe me çmime të kategorive të tjera, si për shembull “best dress of the evening” apo “best performance”

 

Emocionet e para të kësaj mbrëmjeje talentesh nga Tbilisi i largët, i morëm përmes prindërve të saj Bledi e Tatjana Bajraktari, që nuk e fshehin krenarinë për yllin në ngjitje të vogëlushes së tyre 14-vjeçare, shkëlqimin e të cilës po e kuron ndërkohë edhe sopranoja jonë me famë botërore Inva Mula.

Oranizatorja për Shqipërinë e këtij eventi, Albana Çakshiri, që ishte edhe njëra nga anëtaret e jurisë ndërkombëtare, pohon se pjesëmarrja e Albanës ishte një vlerë e padiskutueshme për Shqipërinë dhe kishte unanimitetin e plotë të të gjithë jurisë, për talentin e padiskutueshëm. Ata madje pohuan se e shohin vajzën shumë shpejt pjesë të skenave botërore dhe do ta ruajnë me kënaqësi këtë fitore të saj në historikun e tyre artistik.

 

Nuk na mbetet veçse t`i urojmë Albanës suksese të mëtejshme dhe të ndjehemi edhe ne sadopak krenarë, edhe për faktin që na e bën të njohur Shqipërinë nëpër botë, jo vetëm përmes talentit por edhe përmes emrit të saj.

Të presim në atdhe, bashkë me trofeun ALBANA!