Shqipëria dhe Kosova nderohen me çmime në Balkan Awards of Tourism Industry “BATI 2021” në Sofje të Bullgarisë

December 9, 2021 || views

Në datën 2 dhjetor në Sofje të Bullgarisë u mbajt edicioni i VII-të i Çmimeve Ballkanike të Industrisë së Turizmit (BATI), një event i kompanisë prestigjoze vendase Vip Comunication, e cila në portofolin e saj profesional përfshin një sërë aktivitetesh të përmasave ndërkombëtare e kombëtare, që evidentojnë subjektet më të spikatura në industrinë e turizmit, ne sektorin e pronave të patundshme, bizneseve “luxury”, sipërmarrjeve mjekësore e atyre të shëndetit etj.

 

Në eventin e rëndësisë së veçantë, ishin të pranishëm autoritete të larta të turizmit vendas, kryetarë të shoqatave të turizmit, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës dhe gazetarë të mediave të njohura në vend.

E rëndësishme për t`u theksuar është prania për herë të parë e Shqipërisë në këtë ngjarje të rëndësishme, duke ia shtuar larminë ballkanike festivalit dhe duke e bërë shumë më interesante të gjithë ceremoninë, bashkë me Kosovën.

Vlerësimi i subjekteve më të spikatura të turizmit në Ballkan, kandidate të këtyre çmimeve, u shoqërua me një fushatë në media, ku u nxorën në pah secili prej tyre, me veçoritë dhe vlerat përkatëse në tregun turistik, duke u kthyer në një reklamë shumë të mirë në mjedisin ballkanik, interesi për të cilin është shtuar mjaft vitet e fundit.

Dy ambasadat shqiptare në Sofje, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, u angazhuan fuqimisht në këtë aktivitet, duke dhënë një kontribut të vyer në mbarëvajten e tij dhe duke ndihmuar subjektet pjesëmarrëse të vendosnin kontaktet me organizatorët.

Ambasada e Kosovës madje u nderua edhe me çmimin “Misioni për partneritet dhe zhvillim në Ballkan”, duke e tërhequr këtë çmim përmes ambasadorit të saj Z. Delfin Pllana.

Në eventin e rëndësishëm u nderuan me çmime edhe Hotel Emerald në Kosovë dhe G Hotel në Shkup, Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu prani e rëndësishme në event ishte edhe kantina e njohur e Kosovës “Stone Castle”, e cila akordoi produkte të saj në çantat e dhuratave, që të pranishmit morën me vete në vendet e tyre. Në këtë çantë-dhuratë, si pjesë e ceremonialit të ofruar nga organizatorët me dhurata të bizneseve vendase zuri vend edhe revista Travel, bashkë me produkte të tjera promovuese nga paketa turistike e Shqipërisë.

Ambasadorja e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë Znj. Donika Hoxha, përcolli të gjithë ceremoninë e ndarjes së çmimeve me praninë se saj dhe të stafit të saj duke i dorëzuar  personalisht çmimin fituesve shqiptarë, secilit me një dedikim në gjuhën angleze, duke treguar integritet të lartë dhe dëshirë bashkëpunimi konkret me tregun bullgar, i cili duhet theksuar se nuk ka shumë njohje për Shqipërinë turistike por ka një interes të lartë për të.

 

Edhe sipërmarrjet që nuk ishin të pranishme për arsye të angazhimeve të tjera, si Morina Palace apo Znj. Nevila Dudaj nga Adriatik Hotel, patën prezencën e tyre përmes prezantimit të ngrohtë të ambasadores Hoxha.

Ambasada e Shqipërsië ne Sofje, duke e konsideruar të rëndësishëm këtë event, i kushtoi edhe një hapësirë zhvillimit të tij në faqet e saj zyrtare në rrjetet sociale, me tekstin e mëposhtëm, ku janë listuar edhe bizneset që u nderuan me çmime.

Teksti në faqet e ambasadës:

Në eventin e ndarjes së çmimeve Ballkanike në Industrinë e Turizmit 2021, organizuar nga Vip Communication në #Sofje, kompanitë dhe një sipërmarrëse shqiptare u vlerësuan për punën e palodhur dhe përpjekjet e tyre për të sjellë më të mirën te të ftuarit:

🔹️Morina Palace – Hoteli Detar më i mirë me 5 yje;

🔹Te Stela Resort  – Turizmi Familjar 2021;

🔹Pinea Hotel Resort and Spa – Hoteli më i mirë luksoz me 5 yje;

🔹️Revista Travel Magazine – Albania  – Promovimi i Qëndrueshmërisë në Turizëm;

🔹️Nevila Dudaj (Adriatik Tours LLC & Hotel Adriatik Durres) – Sipërmarrësja e vitit në fushën e turizmit dhe mikpritjes.

Le të ruajmë këtë frymë pozitive dhe të vlerësojmë punën e palodhur të kompanive të tjera #shqiptare në edicionet e ardhshme. Falenderojmë Vip Communication për organizimin e eventit dhe shpresojmë për një bashkëpunim të mëtejshëm më të ngushtë për të rritur #partneritetin midis kompanive #shqiptare dhe #bullgare. 🇦🇱🤝🇧🇬