Shqipëria, destinacion i turistëve gjermanë edhe në tetor

30 Tetor, 2019 || 424 views

Nga Adela Alla 

TIRANË- ATSH/ – Ditët me diell të muajit tetor dhe ardhja e stinës së vjeshtës ka bërë që vendi ynë të ketë një fluks turistësh të huaj të cilët po shijojnë gjatë këtyre ditëve bukuritë e peizazheve tona natyrore.

Mali i Dajtit është vizituar dje nga një grup i madh turistësh nga Gjermania të cilët kanë shijuar këtë vend. Gjithashtu ata kanë vizituar dhe qendrën e vizitorëve ku janë njohur nga afër me larminë e biodiversitetit që Mali i Dajtit ofron.

Turistët gjerman gjithashtu shijuan dhe ecjen në këmbë në shtigjet dhe bukuritë natyrore që kjo zonë ofron tani në stinën e vjeshtës.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Gjithashtu ky vend i përcjell turistëve një pamje spektakolare ku në perëndim ata shijojnë ngjyrat e qiellit që mbi 1000 metër lartësi, ofrojnë një spektakël të mahnitshëm.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë. /a.a/ /a.g/

 

Burimi: ATSH