Shpella e Kusarit, atraksion unik në Gjakovë

March 2, 2020 || views

Gjendet vetëm 1km larg fshatit Kusar, thënë më mirë në brendësi të këtij fshati, me pamje thuajse pyjore.

Bëhet fjalë për Shpellën e Kusarit, e cila ndodhet në një terren rrëzë Maleve të Pashtrikut.

Kjo shpellë, ka një oborr karakteristik shkëmbor e të shkallëzuar, që mundëson ecjen e vizitorëve që duan të hulumtojnë brendësitë e kësaj shpelle.

Ekzistenca e saj thuhet të jetë e lashtë. Duke qenë e tillë, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në Gjakovë, ka investuar për ta shndërruar në një atraksion turistik.

 

Shpella paraqet njërin nga atraksionet unike të Gjakovës, prandaj është menduar që të shfrytëzohet edhe si ambient i vizitave të organizuara nga shkollat.

Ndonëse e hapur të kohët e fundit, Shpella e Kusarit nuk ka një ciceron, por Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik ka menduar edhe për këtë pjesë.

Me gjithsej tri hyrje, në këtë shpellë mendohet se mund të zbulohen edhe hyrje të tjera.

Vetëm disa metra në lindje të Shpellës së Kusarit, ndodhet Shpella e Qirave e cila bashkë me të parën, përbëjnë një atraksion më vete.

Këtë vend atraktiv, e ka vizituar edhe fotografi Arben Llapashtica.

Ai i ka realizuar fotografia kësaj shpelle, me ç‘rast ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm edhe te vetë banorët e Gjakovës për të mësuar vendndodhjen e saj.

Veç tjerash, Llapashtica sugjeron të vizitohet sa më shumë bukuritë e vendit dhe të promovohen ato./koha.net