“Shkodra Official Tourist Brand”, risi në tregun e turizmit shqiptar

18 Nëntor, 2019 || 1281 views

“Shkodra Official Tourist Brand” vjen si një risi absolute në tregun e turizmit shqiptar, kur për të parën herë një territor i mirë identifikuar siç është Bashkia Shkodër, sjell edhe brandin turistik të territorit të saj.

Në qytetin tonë, turistët që vijnë, marrin produkte të quajtura “suvenire” të cilat shpeshherë nuk janë as prodhim vendas, apo i përkasin temave e motiveve mbarë shqiptare, pra ka “fare pak Shkodër në to” apo të themi, nuk e përfaqësojnë siç duhet qytetin e Shkodrës.

 

Këtu fillon dhe kreativiteti i sjellë nga OJF Mandarina Project për Bashkinë Shkodër, me brandin e ri turistik, të quajtur LULEBORE, e cila është një lule e mirënjohur për të gjithë, por në territorin shkodran Lulebora është esenca apo shpirti fisnik i shkodranit, është kolona zanore e qytetit, është embrioni i bukurisë i çdo shtëpie, është freskia dhe aroma e çdo oborri, është mikpritja dhe bujaria e çdo familje shkodrane, ndaj dhe u propozua të ishte BRANDI TURISTIK i këtij qyteti.

Brandi merr zanafillën nga petali i luleborës, i cili simbolizon në vetvete secilën nga bukuritë, vecoritë, atraksionet apo elementët e kulturës së këtij qyteti dhe gjen formen e tij finale në emblemën e qytetit.

I frymëzuar nga freskia dhe i interpretuar me një stil bashkëkohor, plot me ngjyra, pop art, ai kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut nga më i riu tek më i moshuari, duke ruajtur origjinalitetet e objekteve dhe elementëve të cilat simbolizon.

Në këtë stil kreativ u risollën në vëmendje disa nga elementët më të bukur të jetës qytetare shkodrane, duke ia filluar nga biçikleta apo tingulli i ziles së saj; truma e ujit apo rrezja trokitëse e dyerve; pusi shkodran apo mrrela (çadra) që nuk i ndahet nga dora; që nga krapi e deri tek Dugajtë e Reja apo Kafja e Madhe, si dhe shumë elementë të tjerë, të cilët janë ruajtur për të dalë në vijim.

Nuk mungojnë thëniet shkodrane, proverbat, batutat dhe humori qytetar, ndër të cilat mund të citojmë njërën, të risjellë me autoironi dhe humor: “Boll me ken shkodran, se tana i ban”.

Brandi LULEBORË është një brand zyrtar, i ruajtur me të gjitha të drejtat e rezervuara.

Suvenirët e “Shkodra Official Tourist Brand” janë të prodhuar me shumë mjeshtëri e pasion, kryesisht nga artizanë dhe prodhues modern industrial, artistë apo fotografë vendas.  Përmes tyre qyteti i Shkodrës përfiton njëherazi shumë gjëra, jo vetëm rritje ekonomike, por edhe një seri produktesh turistike të kuruara në çdo detaj të cilat mbartin dhe përcjellin vlerat e territorit dhe të kulturës qytetare shkodrane, përmes një brandi unik, i cili i karakterizon, i bashkon dhe i promovon në mënyrën më të mrekullueshme në mbarë botën.

Risia tjetër që solli ky projekt ishte dhe mënyra e prezantimit të tij dhe ambienti ku suveniret janë të ekspozuara. I quajtur ConTemporary Project Shop, hapësira është një kontenier i riarreduar, transparent tej për tej, pa humbur detajet e formës industriale të tij. Kontenieri I cili ne vetvete lëviz produktet në të gjithë botën, kthehet në pikë takimi dhe ekspozimi ndaj turistëve, udhëtarë edhe ato vetë, të produktit turistik të Shkodrës, suvenirit shkodran. Është kontemporan, që do të thotë, modern por edhe i përkohshëm, nuk betonohet, por qëndron aty, ku më mirë e kryen funksionin e tij, promovimin e qytetit.

Mandarina Project, nën drejtimin kreativ të Entoni Jubani, e mirënjohur në këtë fushë edhe për eksperienca të tjera të suksesshme të marketingut territorial, ku përmendim atë të Qarkut të Vlorës  South Albania me sloganin Inspires You, atë të Bashkisë Vlorë: Vlora – Ju bëjmë të ndiheni numër 1 dhe më vonë Vlora – Është e lehtë të dashurohesh; Pro Përmet; BID Shkodra; BID Korca; TID Kruja; TID Berat janë disa nga projektet kreative të brandimit turistik dhe territorial, raste suksesi të mirënjohura në vendin tonë.

Një falenderim i veçantë i takon Bashkisë Shkodër, BE dhe UNDP, të cilët e  vlerësuan dhe e mbështetën projektin tonë.

Pa harruar të falenderojmë edhe të gjithë stafin kreativ dhe organizativ që mundësuan arritjen e këtij projekti: Eltoni, Suela, Xhina, Marsela, Esmeralda etj.

ConTemporary Project Shop “Shkodra Official Tourist Brand” ndodhet momentalisht ne pedonalen e qytetit.