Shëtitjet në Ohër – Më në fund një traget për linjën Pogradec-Ohër-Strugë

17 Nëntor, 2019 || 626 views
Pas shumë vitesh përpjekje, mbërrin në Pogradec një traget turistik, i cili do të kryejë linjën Pogradec – Ohër – Strugë, por edhe shëtitje turistike në liqenin e Ohrit.Me kapacitet prej 150 vendesh, ky është trageti i parë turistik shqiptar i cili do të lundrojë përgjatë vijës liqenore nga Pogradeci në Tushemisht, por edhe matanë kufirit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut.

 

Sjellja e tragetit në Pogradec është mundësuar nga Bashkia e Prefektura në bashkëpunim me operatorët privatë, ndërkohë që marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për transportin ndërkufitar dhe vendosjen e linjës së trageteve është lidhur që nga viti 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar plotësisht.

Për disa muaj ka funksionuar një linjë maqedonase e trageteve nga Ohri në Pogradec, ndërkohë që vetëm tani është bërë i mundur funksionimi i kësaj linje me nisje nga Pogradeci, ndërsa bashkia synon rritjen e numrit të trageteve që do të lundrojnë në liqenin e Ohrit në varësi edhe të kërkesës së tregut.

Trageti me emrin “Tina Turist” do të ofrojë edhe shërbimin e barit dhe restorantit gjatë shëtitjes në liqenin e Ohrit, duke mos mbetur vetëm në kuadrin e transportit ujor.

Sezoni turstik veror apo edhe më parë në varësi të kushteve të motit do e gjejë tragetin në funksion të plotë në shërbim të turistëve dhe vizitorëve të shumtë që popullojnë Pogradecin.

Burimi: https://meganews.al/