Samiti Ndërkombëtar i Tiranës me moton “Turizëm për Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”

January 15, 2020 || views

Tiranë, 14 Janar 2020

Samiti Ndërkombëtar i Turizmit, me fokus kryesor turizmin shqiptar pas tërmetit, ku të ftuar ishin dymbëdhjetë ministrat e turizmit të Ballkanit dhe Rajonit adriatiko-jonian si dhe operatorë dhe aktorë të fushës së turizmit shqiptar, u zhvillua më datë 14 Janar, në mjediset e Hotel Plaza. Paraqitja e situatës aktuale dhe nxjerrja në pah e Shqipërisë, si vendi që tregoi edhe njëherë se mikpritjen e ka virtytin më të çmuar, ishte kryefjala e gjithë samitit, i cili synon të mbajë të paprekur ofertën turistike.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi  se “është në traditën e shqiptarit që ‘Shtëpia të jetë e Zotit dhe e Mikut’, përtej humanizmit, industria e turizmit dëshmoi se është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së Shqipërisë”.

Në fjalën e tij në samitin ndërkombëtar “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, ku morën pjesë Shqipëria, Greqia, Italia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, Klosi theksoi se “organizojmë këtë samit për të treguar se Shqipëria ka tashmë një ofertë turistike të konsoliduar, të qëndrueshme dhe në çdo kohë. Mijëra familje gjetën dyert e hapura dhe dorën e mikpritjes së strukturave akomoduese hoteliere shqiptare. Ata u hapën dyert dhe strehuan në sofrën e madhe shqiptare, siç Kanuni e përcakton, mijëra qytetarë në ditën e tyre më të keqe”.

Klosi tha se “e kemi shumë të nevojshme të kemi një ofertë të përbashkët të rajonit më të klikuar mbase në industrinë turistike të rajonit në botë, të rajonit që e ka suksesin të garantuar në botë”.

“Ky samit unikal mbi një ngjarje unikale, u realizua në pak kohë. Industria iu përgjigj duke qenë prezente e duke i dhënë mbështetje të dëmtuarve nga tërmeti në Durrës”, tha Klosi.

Më tej, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë të Sllovenisë, Zdravko Počivalše, ndërsa mori pjesë në Samiti  u shpreh: “Jam i kënaqur që ne iu përgjigjem nevojës shqiptare dhe dhamë gjithë mbështetjen e mundshme për të mbuluar nevojat bazë të viktimave. Dua të theksoja këtu se ne po punojmë për opsione të tjera, mundësi të tjera për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në këtë kontekst. Ne nuk do të flasim për rezultate që u arritën në një periudhë të shkurtër kohore. Sinqerisht besoj se komuniteti ndërkombëtarë do të ndihmojë në fushën e ristrukturimit të mëtejshëm dhe në fushim e turizmit. Në fund të fundit siç thotë dhe shprehja popullore “një mik i mirë duket në kohë të vështira”. Ne kemi një traditë të gjatë. Kemi treguar asistencë për Shqipërinë në momente që ka patur nevojë dhe kjo tregon për marrëdhëniet e mira dhe të ngushta mes dy vendeve tona.”

“Bashkëpunimi i ngushte mes Shqipërisë dhe Sllovenisë është në fakt modest që do të thotë që kemi shumë mundësi për ta fuqizuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe këtë mund ta bëjmë përmes investimeve të përbashkëta në fushën e turizmit, përmes studimeve të ndryshme, përmes seminareve, konferencave si dhe përmes nxitjes së aktiviteteve të ndryshme turistike në të dyja vendet”, tha ndër të tjera ministri Počivalše.

“Shqipëria është një histori e suksesshme e turizmit, është një destinacion unik i cili është bekuar me brigje bregdetare të mrekullueshme po aq me male mahnitëse dhe sigurisht e mbi të gjitha populli i ngrohtë dhe mikpritës”, thaDrejtori Ekzekutiv i Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO ) Zhu Shanzhong.

“Ky tërmet ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Shpreh solidaritetin e Organizatës Botërore të Turizmit për popullin shqiptarë dhe gatishmërinë tonë për t’ju mbështetur në rimëkëmbjen e sektorit turistik”, tha ai.

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, i bëri apel sot në Tiranë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera, që “pas ngjarjeve të tilla , si ajo e tërmetit të 26 nëntorit, edhe më shumë ta vizitojnë bregdetin e Shqipërisë”.

“Serbia është e gatshme për bashkëpunim rajonal duke krijuar produkte të përbashkëta dhe duke mbështetur iniciativat e përbashkëta rajonale”. Kështu deklaroi sot në Tiranë Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Serbisë, Renata Pindzo, në fjalën e saj në samitin ndërkombëtar.

“Qytetarët nga Mali i Zi vizitojnë gjithnjë e më shumë bregdetin e Shqipërisë”, theksoi zëvendësministri i Turizmit dhe Zhvillimit në Mal të Zi, Qamil Hoxhiç. Sipas tij, edhe Mali i Zi këtë vit kishte një rekord historik me turistët dhe shpresojmë që në vazhdimësi Shqipëria dhe Mali i Zi të kenë suksese të vazhdueshme.

Samiti “Turizmi, Solidariteti dhe Qendrueshmëri”, i zhvilluar të martën në Tiranë, kishte si qëllim t’i paraprinte sezonit të ri turistik për të mos patur ndikime negative nga tërmeti që preku vendin tonë më 26 nëntor 2020.

Klikoni këtu për më shumë foto: