Salcë në Shakull nga Stanet e Trebeshinës

Mars 15, 2020 || 596 views

Tringëllimat e zileve që vijnë nga tufat e deleve dhe dhive në kullota apo stanet pranë. Ajri i pastër, burimet me ujë, aromat fantastike të rigonit, çajit të malit, sherebelës e luleve plot jetë, nuk janë të vetmet që mund të gjesh në malin e Trebeshinës.

Një traditë e lashtë, që zë fill me ngritjen e staneve të para në Trebeshinë vijon edhe sot jo vetëm të jetë pjesë zakonore e barinjve që mbajnë kullotat e bagëtive, por nga stanet e tyre po zbret në dyqanet organike dhe restorante gjithashtu.

Është salca në shakull. Një produkt unik, me një shije të veçantë, të përsosur dhe e përgatitur me një mjeshtëri të pafjalë nga barinjtë në mal.

Tradita e Përdorimit të Shakullit

Përgatitja e salcës në shakull, është traditë e moçme shqiptare e barinjve të cilët qendronin me ditë të tëra në male pranë staneve që kishin ngritur për bagëtitë.

Me kalimin e kohës dhe sidomos me nisjen e emigrimit masiv të banorëve dhe boshatisjes së fshatrave kjo traditë u zbeh dhe gati u la në harresë.

Për fat, ky produkt fantastik jo vetëm në shije por edhe në vlera tradicionale vijon të prodhohet në Trebeshinë, e prej andej shitet në sasi të limituara për disa restorante dhe baxho.

Shakulli është një zgjidhje e mençur e barinjve, e krijuar në pamundësi për të ruajtur qumështin të freskët.

Të detyruar nga mungesa e kushteve, ata përdorën lëkurën e thatë të bagëtive, të pastruar mirë dhe të qepur në formën e një torbe me grykën e hapur e cila qepej gjithashtu pasi futej qumështi.

Nga tundja e shakullit krijohet një salcë e freskët, me një shije me të vërtetë unike.

Produkti më unik Shqiptar
Në hambaret e çdo shtëpie në fshat, salca në shakull ishte një prej produkteve që gratë e shtëpisë e mbronin plot fanatizëm.

Ato e nxirrnin si pjesë të mezeve në sofrën e shtëpisë sa herë që miq e mysafirë i vizitonin.

Për t’i nderuar sa më shumë, gratë kujdeseshin që të kishnin përherë salcën e shakullit në sofër dhe madje edhe kujdeseshin që t’i ftonin miqtë ta provonin me patjetër.

Sot, salca në shakull po shndërrohet në një produkt me potencial për të ardhmen e produkteve tipike shqiptare.

Disa restorante e porosisin atë direkt në stanet e Trebeshinës e ndërsa disa të tjerë kanë nisur ta prodhojnë vetë atë, një pikënisje e mirë kjo jo vetëm për ruajtjen e traditës zakonore por edhe për promovimin e produkteve autentike shqiptare./AgroWeb.org