“Salca e Shakullit”, mbretëresha e tavolinës për festën e Ditës së Tokës në Përmet

14 Dhjetor, 2019 || 1983 views

Nga Flora Xhemani Baba

Sot në Përmet u festua Dita e Tokës. Një aktivitet që bën bashkë bizneset turistike dhe prodhuesit lokalë të qytetit të vogël, i cili e përkujton çdo vit këtë aktivitet të rëndësishëm. Edicioni i sivjetëm shërbeu edhe si promovim i një strukture të re pritëse, ngritur mbi një shtëpi karakteristike përmetare. Vila Përmeti priti sot në oborrin e saj anëtarët e Convivium Slow Përmet, kryetarët e bashkive Përmet e Këlcyrë, vizitorët dhe mediat.

Përmeti është pa dyshim formula më e suksesshme turistike në Shqipëri, falë ndihmës së madhe të Cesvi Albania, që prej më shumë se një dekade, ka shrytëzuar çdo mjet të mundshëm dhe vlerë turistike për ta kthyer qytetin e vogël jugor në destinacion. Dhe ia ka dalë.

Shpeshherë e kemi sjellë në vëmendje Përmetin për bukuritë e shumta dhe vlerat e rralla por sot do të ndalemi tek njëra prej tyre; ajo që e bën të mbajë kurorën: gastronomia. Kuzhina me nam e Përmetit ka qenë e para që e ka përqafuar filozofinë “slow food”, duke bërë bashkë prodhuesit lokalë, të cilët sot kanë grupimin e tyre që quhet “Convivium Slow Food Përmet”, pjesëmarrës në shumë panaire ushqimi nëpër botë. Shumë prej ushqimeve të Përmetit janë pjesë e Arkës së Shijes, madje Glikoja e Arrës është çertifikuar ndërkombëtarisht si “ushqim i çmuar”.

 

Por një tjetër produkt po kaq i çmuar zbukuron tryezat përmetare. Sot edhe si Kryefjala e këtij edicioni ishte “Salca e Shakullit”, një produkt i çmuar i “Arkës së Shijes”, që synon të kthehet në “presidio slow food”, një markë botërore e vlerësimit të ushqimit, ku tashmë është përfshirë Glikoja e Arrës. Më shumë se pesëmbëdhjetë gatime mund të realizohen me Salcën e Shakullit, disa prej të cilave i kishin sjellë sot në festë amvisat përmetare.

 

Salca e Shakullit është një prej produkteve më të veçanta të kuzhinës përmetare, krenaria e ushqimeve baritore të staneve të Përmetit, të cilët e kishin pjesë të zahireve të dimrit. Formula e saj sekrete, mënyra e përgatitjes dhe koha e gjatë, e bëjnë ndër më të çmuarat e listës “slow food”.

 

Pasi përgatitet lart në stane, ajo futet në lëkurë qingji ose keci, të rruar, dhe lihet të stazhionohet për nëntë muaj. Shija e saj unike pasuron sot jo vetëm kulaçin e dikurshëm por edhe së paku pesëmbëdhjetë gatime të tjera, krijuar nga fantazia e amvisave.

Ky ushqim i vjetër mund të jetë një shtysë për të ofruar një tur të ri gastronomik. Turi i “Salcës së Shakullit”, mund të sjellë vizitorët në Përmet jo vetëm për ta shijuar atë si produkt por edhe për një tur nëpër stanet e shumta të zonave të mrekullueshme, ku ende mbretërojnë si dikur kullotat e bagëtive të imëta.