Sa gënjeshtare kjo vera! Na thotë që po ikën dhe është akoma këtu!

27 Tetor, 2019 || 1064 views

Nga: Flora Xhemani Baba

Shqipëria- një copëz parajse vere në zemër të vjeshtës
Zakonisht në këtë periudhë të vitit – jemi me 27 Tetor sot – fundjavat na gjejnë ose në Alpe, ose në Juglindje ose në Pukë e në rastet më të shpeshta, në fshat por sidoqoftë, diku pranë natyrës, ku të kemi mundësi të shijojmë në mënyrë të plotë e të thellë penelatat e vjeshtës. Peisazhet në mijëra ngjyrat e nuancat e të verdhës, nga limoni i thellë i blirit e deri në okrën e ahut, mund të shijohen vetëm aty ku ka natyrë, Valbonë, Theth, Vermosh, Lëpushë, Dardhë, Leskovik, Pukë, Dibër, Dajt e kudo ku natyra na ka bekuar me pyje. Por ne e thyem “rutinën” e vjeshtës sepse temperaturat tridhjetë gradë e sidomos njerëzit që ende lahen në det, nuk janë një detaj i vogël e që mund të anashkalohet lehtë nga ne, që e kemi shpallur veten njerëz të dashuruar me detin. Dhe duke qenë se “kurrë nuk i dihet”, dhe çantën e plazhit, ende nuk e kemi kyçur në dollapin e rrobave verore, kuturisëm të shijojmë sërish një copëz parajse bregdetare.

Vjeshtë përmbi valë
Kështu që ja ku jemi, nën diellin e Dhërmiut, që nxeh po nuk të djeg, në shoqërinë e jo pak të tjerëve që e kanë menduar si ne, duke shijuar një det “për ta pirë në kupë”, që ka raste edhe gushti nuk ta dhuron dot. Është vjeshtë e thellë po kush do ta dijë për këtë? Të gjithë janë në det, duke u larë.

Vetëm ne dhe deti
Ata që vijnë të shijojnë bregdetin në këtë periudhë janë dashuruesit e detit, që nuk kanë nevojë as të tregojnë kostumet e markës, as veshjet dhe syzet shtrenjta, as drekat e pasura me krudo. Sepse tani nëpër plazhe nuk ka mbetur askush. Edhe hoteli i fundit ka kohë që i ka ngritur çadrat. Guriçkat janë shezlloni i pushuesve dhe diellit nuk ka nevojë t’i mbrohesh me çadër. Dhe po, të gjithë e kanë ushqimin me vete dhe nuk kanë turp ta nxjerrin nga çanta. Sa e bukur është thjeshtësia! Sa na mungon!

Surprizat e bukura të vjeshtës
E ndonëse bregdeti zakonisht nuk ka bimësi që mund ta tregojë vjeshtën, prapëseprapë akaciet e Dhërmiut na i dhurojnë ne dy foto të bukura mbi det, që ta kuptojmë se nuk jemi në gusht por në fund të tetorit. Dhe pa shiko sa bukur! Deizi e vogëli paska marrë penelat me vete dhe i ka dhënë kaq ngjyra të bukura Dhërmiut! Deti i shpërblen gjithmonë me dhurata të bukura ata që vijnë ta vizitojnë në tetor.
Kështu pra, një përshëndetje me shumë dashuri nga Dhërmiu në këtë fund të vjeshtës së dytë.

 

Për më shumë foto, klikoni këtu