Sa coool Prishtina për festaaa… !!!

22 Dhjetor, 2019 || 1405 views

Nga Flora Xhemani Baba

Është dhjetor. Gjysma e dytë e dhjetorit. Atmosfera e festave ka fazën e saj kulmore e megjithëse diku në sfond të gjithçkaje rri trishtimi i këtij viti fatkeq për ne, njerëzit kanë dëshirë të harrojnë e të gëzojnë. Neve që udhëtojmë na pëlqen të prekim çdo qytet nga pak, edhe për ta shijuar vetë por edhe për t’ua përcjellë atmosferën sadopak atyre që nuk udhëtojnë dot kudo.
Prishtina ishte në planet tona të vjeshtës por siç ndodh shpesh kur udhëton shumë, jo të gjitha planet përmbushen. Pra le t’i kalojmë pak kufijtë administrativë të Shqipërisë dhe të hidhemi një vrap atje. A nuk është koha më e bukur tani për festa?

Kështu pra, me shijen e mirë e ngrohtësinë e Llogora Tourist Village në shpirt, zbritëm poshtë e u nisëm për Prishtinë. Shiun e lamë pas dhe teksa përshkonim Autostradën e Kombit e më pas një vizitë të shkurtër në Kukës, u përpoqëm që shija e hidhur e postbllokut plaçkitës të xhepave të shqiptarëve pa u kthyer asgjë në këmbim dhe e Kukësit të boshatisur nga ikjet masive, të mos na helmonte gjendjen shpirtërore.

 

Hyjmë në Prishtinë rreth orës 4.30. Për forcë zakoni kafen e parë do ta pijmë patjetër te njëri prej lokaleve të NewBorn-it. Ëmbëlsirat përveçse të mira, ishin aq të freskëta, saqë dukeshin sikur sapo kishin dalë nga furra aty në Bar Pastiçeri Piano, ku vendosëm të uleshim.

 

 

Dhe pasi u çlodhëm disi nga rruga e gjatë Llogora-Prishtinë, drejt e te sheshi “Ibrahim Rugova”.
Uauuuuuuuu….
Sa e bukur ishte bërë Prishtina!
Tuneli i gjatë i dritave nga fillimi deri në fund të bulevardit, që kufizohej si segment në të dy anët me sheshe të vogla rrethuar me shtëpiza, pemën e madhe dhe instalacione festive, ushqehej edhe nga dekorimet e ndërtesave publike dhe private, baret e tejndriçuar e zbukuruar dhe gjithfarëlloj lodrash e tollumbacesh vezulluese, që të ngatërroheshin nëpër këmbë kudo.

Gjithë qyteti ishte derdhur në rrugë, sikur ishte Nata e Krishtlindjes! Të rinj e të reja të bukur si drita, fëmijë pa fund me prindërit përdore, të moshuar të qeshur, miq e shokë bashkë, mbushnin bulevardin me atmosferë e gëzim, i cili ushqehej nga birra e ftohtë, gështenjat e ngrohta, kokoshkat, ëmbëlsirat dhe copëzat e muzikës që dilnin nga baret anash rrugës.

 

Dikush na tha se kjo atmosferë ishte e përnatshme, qyshse ishin ndezur dritat. Siç duket prishtinalinjtë e kishin përqafuar plotësisht sloganin që printe kolonën e gjatë të dritave, ku shkruhej “Prite n’Shesh”. Dhe nuk po prisnin hiç që të vinte nata e festës ose dy netët e shënuara por po e prisnin mbrëmjen n’Shesh çdo ditë. Dhe moti pranverë!

 

Edhe ne e gjetëm atmosferën tonë, jo vetëm n’Shesh por gjatë të gjithë kohës që makina vinte qark Prishtinës. Duke kërkuar muzikë të bukur, dora gjeti frekuencat e KFOR Radio ku luheshin këngë Krishtlindjesh. Jonet e ajrit u mbushën me tinguj të ngrohtë, që duke të mbetur në mendje edhe gjatë lëvizjeve në këmbë, kishin krijuar tashmë kolonën zanore të udhëtimit. Epo, faleminderit KFOR radio!

Nga festa në shtëpi
Në zemër të qytetit, në pjesën më INN të Prishtinës, në një qoshe të ngrohtë e intime, përmbytur nga dritat e festës, i vogël e i çmuar si një xhevahir, siç na pëlqen gjithmonë që në qytetet e mëdha të zgjedhim hotelet e vogla, këtu e gjetëm strehën për sonte.

 

 

CITY INN është hoteli më i ri në Prishtinë, fringo fare, ndërtuar në Korrik 2019 dhe ne do t’jua rekomandonim fort fort, nëse nga një hotel doni t’i merrni të gjitha!

Po restoranti?

Ka pije që të bie në kokë po ka edhe ushqim që të bie në kokë. Nuk e kemi mbajtur asnjëherë veten për zotërues shijesh të rafinuara, që sot kanë parasysh atë lloj kuzhine që emërtohet me termat “fusion”, “gourmet”, “kuzhinë kreative”, “fantazia e shefit” apo shprehje të tjera të kësaj natyre. Ama shijen që të shkrin në gojë, e kuptojmë që ç’ke me atë punë. Le që s’ka nevojë, e kupton gjuha vetë.

 

Ne zakonisht këto lloj gatimesh, i quajmë vepra arti. Kush e njeh kuzhinën e Otium në Tiranë, e ka parasysh se për çfarë e kemi fjalën. Veçse këtu jemi tek Seasons by Otium në Prishtinë. Shërbimi na la pa fjalë por ofruar nga një vajzë me emrin Visare, nuk habitemi që ishte kaq i patëmetë.

Mëngjesi erdhi me shi. Po si kështu? Kishim planifikuar një city tour! Edhe pse shiu e bën më intim qytetin e Prishtinës, nuk është e këndshme të lagesh e të vizitosh katedralet, xhamitë, muzetë, bibliotekën me arkitekturën unike, le pastaj Parkun e Gërmisë apo atë të Sllatinës, që kishim përfshirë në listë…

Duket sikur shiu po na thotë: mjaftohuni me atmosferën e Festave këtë herë se për atë erdhët. Prishtinën ejani ta vizitoni sërish në pranverë. Atëherë bëhet edhe më e bukur.
Edhe ne po ia dëgjojmë këshillën.

 

Nisemi të përshëndesim pak edhe të bukurin Prizren.
Mirupafshim Prishtinë! Mirë të gjetshim në pranverë!