Rrugëve të Shqipërisë së Jugut, nëpër Çajup, Butrint, Porto Palermo… nga ditari i Elitjona Dokos

28 Gusht, 2020 || 1120 views

Nga Elitjona Doko – Korrespodente/Gazetare A2 CNN

Ja përse duhet të shkosh në Çajup…  

Për të ngjitur  rrugën gjarpëroshe që të çon drejt malit të Çajupit, duhet të udhëtosh rreth 25 km nga Gjirokastra, në një terren malo, por të asfaltuar dhe  lehtësisht të përshkueshëm për makinat. Peizazhi që të ofrohet ndërkohë që vijon ngjitjen  për në mal, të qetëson sytë, mëndjen dhe mbush mushkëritë me ajër të pastër e të freskët, ku vështrimi nuk ngopet së sodituri atë çka të ofron kjo zonë! Sapo kalojmë mbi fshatin Erind, na shfaqet befas fusha e Lunxhërisë, aq e njohur për kulturën materiale e shpirtërore të banorëve të kësaj treve e jo vetëm.

Dhe ndërkohë që vijojmë udhëtimin, përballemi  me dhelprën dinake,   që në fakt ia prishëm qetësinë në habitatin e saj nga zhurma e mjetit por që u zhduk mes shkurresh në pak sekonda sa na e zunë sytë. Sapo mbaruam ngjitjen, në pikën më të lartë, rreth 1500 m mbi nivelin e detit, pamë që në malin pa borë, por plot gjelbërim, kishte jetë! Pllaja e Çajupit është vend i njohur për ujët e ftohtë të saj dhe klimën e shëndetshme dhe pikërisht këto dukuri i kanë vënë në funksion të tyre ky çift nga Tepelena të cilët kanë ndërtuar një vednbanim të përkohëshëm veror  në rrëzë të Çajupit.

Vendbanimin e tyre e kanë “ngulur” pranë një liqeni artificial të ndërtuar nga dora e njeriut,  të cilin e shfrytëzojnë për vaditje, pasi siç na treguan vetë ata,  kultura e prodhimit të patates  favorizohet së tepërmi në këtë anë. E   zonja  e “shtëpisë” na tregon se prej vitesh kanë zgjedhur të jetojnë mes Çajupit  dhe Tepelenës, për të siguruar jo vetëm ushqimet e dimrit për familjen e tyre por edhe të ardhura nga shitja e prodhimeve bujqësore   gjatë qëndrimit gati dymujor në këto anë. E gjetëm duke bërë petët e dimrit, duke tharë domate e duke u kujdesur për gjënë e gjallë që kishin rritur me mund e sakrificë. Por harmonia që karkaterizonte këtë çift, që jetonte mbi 1500 metra mbi nivelin e  detit, pasqyrohej qartë në mikpritjen dhe bujarinë për të pritur me buzëqeshje cilindo nga vizitorët e këtyre anëve, të njohur e të panjohur!

 

   

Rrugëtimin e vijuam mes për mes fushës së Çajupit e ndërsa gjoksin ta rrihte lehtë një fllad i freskët, që jo vetëm nuk të sëmur por të shëron shpirtin e trupin, sidomos kur afrohesh krojeve të ftohta për të qëndruar një copë herë. Të fundit që takuam në këto anë ishin fermerët e staneve të ngritura për gjënë e gjallë që verën e kalojnë në lëndinat e kodrinat e Çajupit, të zhveshur nga bimësia e lartë  të veshur nga petku i natyrës së egër. Aty qëndruam për të shijuar mishin e qingjit të rritur me petale, që jo vetëm nuk të rëndon por të fton ta shuash etjen në burimet e zonës që kundërmojnë aromë trëndeline. E shijuam atë rrugëtim e qëndrim në Çajup, për të mbyllur me aromë lulesh ditën e dytë të qëndrimit tonë në Gjirokastër, mes çajrave e bimësisë së Çajupit. Dy ditë në Gjirokastër duken shumë, por nuk janë asgjë, madje nuk mjaftojnë, nëse gjezdis zonën mbarë e prapë e sodit natyrën e saj të stolisur mbi gurë e drurë!

Nga kepat e maleve në ato të deteve

Të nesërmen zgjohemi herët për të vijuar me destinacionin e radhës, Sarandën. Kemi prenotuar tur  ditor për të eksploruar të fshehtat e gjireve të Sarandës.

Mbërrijmë herët në mëngjes në liman për të vijuar me një tjetër ditë intensive, paketa e lundrimit ditor kushton 25 euro, ndërsa bukën duhet ta merni me vete. Lundrimi mbi detin Jon, të zhyt në kaltërsinë e tij, për ta shijuar ditën e nxehtë të këtij fundgushti. Kepi i Qefalit, Gjiri i Kakomesë dhe ai i Krorëzit, janë pjesë e turit tonë ditor, ku magjia e detit dhe qiellit bëhen një me natyrën ende të virgjër të këtyre anëve,në të cilat nuk është e pranishme dora e njeriut. Natyra rregullon vetë gjithçka dhe mirë është që askush të mos matet me forcën e saj. Dalja në det na ndryshoi ndjesinë e këtij udhëtimi, por jo magjinë që përjetuam ndërkohë që zhyteshim herë pas here në thellësinë e kristaltë të ujërave të joniane.

Deti ientifikohet më së shumti  me stinën e verës dhe ku më mirë se jugu i Shqipërisë deti merr kuptim, pavarësisht tentativave sporadike për ta zhbërë vlerën e turizmit të vërtetë, në disa prej njësive turistike verore,  Saranda ka arritur të ruajë identitetin e të bërit turizëm të ndershëm e ku mund të mbetesh i kënaqur. Askush nuk pretendon që nga pushimet të mos harxhojë para, por pret që ato harxhime t’i kthehen në shërbim, në cilësi të mirë ushqimi, në ambient të pastër e komod, që të mos të duken sikur t`i “vjedhin” ato pak para që ke planifikuar të harxhosh, por të marësh pas kënaqësinë  e një dite të kaluar cilësisht! Dhe kështu ndodhi me turin tonë për të zbuluar pak nga shumë që ofron bregdeti i Sarandës, me shpresën që zbulimi masiv i gjireve të mos kthehet në abuzim nga të babëziturit për të “pushtuar” çdo rrip toke a deti që u del para syve!

Por nëse zgjedh Sarandën nuk mund të mos vizitosh Butrintin, Kalanë e Lëkurësit, që na shtyjnë një ditë tjetër qëndrimi në këtë qytet magjik!

Parku Kombëtar i Butrintit, krenaria e arkeologjisë shqiptare

Teksa morëm rrugën drejt Parkut Kombëtar të Butrintit, më erdhi në mëndje që në të vetmen mundësi që kam patur për ta vizituar ishte ekskursioni i fundit i maturës, kur ishim më të rritur dhe ku mbyllja e rrugëtimit 4-vjeçar të gjimanzit finalizohej me një udhëtim në skajin më të largët të Shqipërisë jugore dhe unë fatkeqësisht nuk e kisha patur këtë mundësi atëherë.

Por, erdha sot, për ta vizituar nga afër historinë që fle brenda këtyre mureve historike, që kanë skalitur e ruajtur një pjesë të mirë të antikitetit shqiptar. Shpirti i të bërit biznes kishte mbërritur edhe në këto vende, ku jashtë hyrjes të ofrohej një mundësi për të shkuar te Kalaja e Ali Pashës me një skaf, që kishte 3-fishin e çmimit të biletës së vendosur për të vizituar Butrintin dhe natyrisht zgjodhëm më ekonomiken, siç u munduam të bëjmë përgjatë gjithë këtij udhëtimi.

Morëm biletën për të hyrë Brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, i shpallur monument kulture që në vitin 1948, ndërsa zona e pyllëzuar më  1981.  Eksplorimin e zonës e bëjmë duke u orientuar në një hartë me të cilën u pajisëm që në hyrje, e cila na orientonte  se duke marrë në të djathtë dhe duke ndjekur rrugicat e ngushta, mbërrin në rrënojat që i përkasin banjos romane dhe një kulle veneciane dhe pastaj një seksion tjetër muresh që datojnë në shekullin e IV, pas Krishtit. Pas pothuaj 400 metrave të tjera, të shfaqen rrënojat e një qendre të krishterë kulti dhe pastaj një pishinë në formën e kryqit që mund të ketë qenë pjesë e kishës mesjetare.

Në të djathtë të hyrjes sheh një pamje shumë të këndshme të zgjerimit të kanalit, që më pas të çon tek liqeni. Më tutje vazhdon një seksion tjetër, tepër i gjatë i mureve të jashtme, edhe këto i përkasin antikitetit të mëvonshëm, ndërsa një shëtitje në pyllin e dendur në veri të ishullit është me të vërtetë tepër e këndshme. Në të majtë, ndërsa afrohet fundi i kësaj rrugice, shihen muret e një bazilike mesjetare afër pikës ku bashkohen muret lidhëse të fortifikime të jashtme.

 

Midis pemëve dhe shkurreve gjendet baza e akropolit, me muret e vjetra fortifikuese, të cilat datojnë në shekullin VI para Krishtit. Ky fund i akropolit është i hapur, me një kishë të krishterë në qendër e rrethuar me pemë. Kjo është ndërtesa më e vjetër e krishterë në Butrint. Sapo kalon akropolin dhe ngjitesh në kompleksin qendror të ndërtesës mund t’i gëzohesh parkut qendror. Nga rrugicat, duke ecur nga kahu perëndimor, gjenden rrënojat e një shtëpie të madhe romake që daton në shekullin e 2-të viti i Krishtit. Qendra e tij ishte e hapur e shtruar me gurë, me 12 shtylla të gurta që ngriheshin mbi një bazament. Aty pranë ndodhet edhe një teatër roman, i cili ngrihet në pjesën shkëmbore të akropolit. 22 rreshtat me ndenjëse kanë akomoduar 2000 njerëz.
Në anën e kundërt me kanalin, në kepin përmbi det, gjendet fortesa e vogël e ngritur nga Ali Pasha  për të mbrojtur anijet nga flota franceze. Histori që fle dhe është e gdhendur në çdo gur, në çdo skaj të Butrintit, që të përfshin për një rrugëtim, i cili zgjat mbi dy orë e gjysmë qëndrimi brenda tij.

Teksa dalim nga qyteti antik i Butrintit, mbrëmjen e ditës së fundit të qëndrimit tonë e mbyllim me pamjen spektakolare që të ofron Kalaja e Lëkurësit, një vlerë e shtuar e trashëgimisë sonë. Disi më “rrëmujshëm” kjo kala që e gjemë të mbipopulluar por jo për ta vizituar por për tu argëtuar në ambientin që shfrytëzohej nga privati. Nëse kjo është formë për ta ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët, dyshoj që mund t`i kemi për shumë gjatë në këmbë këto mure. Por pa dashur t`i prish ngjyrat magjike qëndrimit dhe pamjes që të ofrohet nga kjo pikë e qytetit, nga Kalaja e Lëkurësit nuk mora mbresat më të mira të mundshme, nëse ishte nata apo mënyra e (keq) menaxhimit, këtu jam paksa e dyzuar!

Dhe kthimin për në shtëpi, që shënon dhe ditën e fundit të pushimeve e bëjmë nga Llogoraja, duke prekur pak e nga pak të gjithë relievin e bukur të bregdetit të Jonit, ku dita nis me pasqyrimin e dritës ndër male, e mbi det, aty ku deti dhe qielli janë një! Të vetmen ndalesë gjatë rrugëtimit tonë të gjatë, e bëmë në Porto Palermo.

Kalaja e Porto Palermos – kurora e bukurisë së Vasiliqisë

Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e mbledhur  tektonik të Porto Palermos, mes fshatrave Qeparo dhe Himarë, një tjetër perlë që “fle” mes detit dhe legjendës! Nuk ngurrojmë që të kujtojmë e  këndojmë këngën e Vasiliqisë: “Po Vasiliqia ë’e do bukurinë, ia mori Veziri, ia peshoi në Janinë!..” dhe në fakt, gjatë këtij rrugëtimi kam kuptuar që unë nuk jam me origjinë vetëm nga Skrapari, por nga gjithë jugu i Shqipërisë, pasi ndërkohë që udhëtonim a ndalonim në ndonjë qytet, kisha një këngë në memorien time që e kisha dëgjuar e fiksuar në muhabetet alla jugore që kemi shtruar mes të afërmish.

Për Leskovikun e gurin e thatë, për Gjirokastrën, ku dhe guri flet me gjuhën e zemrës, për Sarandën dhe Delvinën dhe bukurinë e tyre, tani dhe për Vasiliqinë e Ali Pashës! E ku më mirë mund t`i këndosh e kujtosh këto këngë se brenda mureve të Kalasë! Mes bujarisë së natyrës, gjurmëve të historisë dhe dallgëve kaltëroshe të Jonit, udhëtimi ynë përfundoi këtu!

Duke shpresuar në rikthim, me të tjera ndalesa që do donim të bënim, si për shembull Përmetin për më gjatë, Himarën e vjetër, Vunoin, Qeparoin e Dhërmiun e rinuar, por edhe që t`ju kem shtuar sado pak kuriozitetin për t`i parë nga afër gjithçka syri im pa gjatë këtyre ditëve, uroj që ta vizitoni Shqipërinë në çdo anë të saj, jug a veri, baltën ku kemi lerë! Pushimet nuk janë “tagërllik” i shfrenuar,  janë kujtime që njeriu dashuron bashkë me çdo udhëtim që bën në jetën e tij!