Rivitalizimi i kalasë së Ali Pashës në Tepelenë

July 18, 2020 || views

Kryebashkiaku Peçi për ATSH-në: Me prishjen e rrethimeve pa kriter, fillon rikualifikimi i rreth 80 banesave

Nga Etleva Xhajanka 

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Bashkia e Tepelenës fillon zbatimin e planit të dytë për rikualifikimin e banesave në kalanë e “Ali Pashës” në hyrje të qytetit, pas prishjes së rrethimeve pa kriter të ngritura pa leje brenda dhe jashtë kalasë.
Kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi tha për ATSH-në, se “grupi i ekspertëve nga institucionet e linjës, ka nisur punën për të hedhur hapat e para të fazës së dytë mbi rivitalizimin dhe restaurimin e banesave familjare që gjenden brenda mureve të kalasë, për t’i kthyer në një destinacion turistik”.
“Paraprakisht janë rreth 60 deri 80 banesa në kalanë e “Ali Pashës” që do të rikualifikohen dhe integrohen në një projekt të restaurimit specifik, me vlera turistike duke ruajtur elementët historik, që do t’ju sjelli banorëve të kalasë standarde më të mira jetese dhe të ardhura nga turizmi”, – tha Peçi.
Sipas tij, krahas restaurimit të godinave, investime do të kryhen edhe për ndërtimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor, kanalizimeve dhe rikonstruksionin me kalldrëmeve të zonës.

Gjithashtu sipas këtij plani, parashikohet veshja me gurë dekorative si dhe unifikimi i tarracave me çati të kuqe sipas modelit të dikurshëm.
“Tashmë një kapitull i ri e pret qytetin tonë pas ndryshimeve të shumta infrastrukturore, që kanë pasuar 4-vjeçarin e fundit, por që nuk mbarojnë këtu, sepse të tjera punë dhe projekte janë duke u hartuar dhe zhvilluar në gjithë territorin e bashkisë Tepelenë”, – u shpreh Peçi për ATSH-në.
Kalaja e Ali pashë Tepelenës është listuar si monument kulturor i kategorisë së parë në 1963 dhe ndodhet në veri të qytetit Tepelenë.
Kalaja e ndërtuar nga Ali Pasha për të rrethuar sarajet e tij është monumenti më i rëndësishëm në Tepelenë. Me sipërfaqe 4.5 hektarë, ajo u ndërtua në vitin 1819 dhe sot është një ndër objektet më të rëndësishme historike me mjaft interes për tu vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.
Projekti për rivitalizimin e banesave e shndërron kalanë e Ali Pashës, në një destinacion me potenciale të madha turistike, jo vetëm për banorët e zonës por edhe për bashkinë Tepelenë.