“Queen Teuta”, një tempull i artë luksi e mirëqenieje mbushur me simbolikë antikiteti

July 7, 2020 || views

Trendi i zhvillimeve turistike në Shqipëri ka sjellë shumë nuanca të shërbimeve që më parë nuk kanë qenë pjesë e këtij sektori. I tillë është edhe sektori i estetikës, që në fillim ofrohej brenda salloneve të para të bukurisë duke u rekomanduar nga hotelet e mëdha si një shërbim ekstra e që më vonë u quajt i mirëqenies, sepse rriti numrin e shërbimeve dhe e kaloi në një nivel tjetër, nga estetika në shërbime të mirëfillta të të mirave fizike të jashtme e të brendshme për trupin. Më pas, kur ky sektor u bë i domosdoshëm, hotelet e mëdha apo resortet turistike e përfshinë brenda ambienteve të tyre, duke e kthyer në një armë të fortë konkurence. Aq të fortë, sa shumica e tyre e kanë vendosur krah emrit të hotelit edhe siglën SPA, për t`u treguar pushuesve se aty do të gjejnë një oaz relaksi, i cili shpeshherë është i përfshirë brenda pagesës dhe si i tillë, shumë i përdorur.

 

Kështu nëse ti shkon me pushime apo për qëllime biznesi në një hotel apo resort, kohën e lirë që nuk di si ta shpenzosh, sidomos atë para darkës apo pas darkës, mund të shfrytëzosh këto shërbime mirëqenieje, që përfshijnë palestra, qendra fitnesi, pishina të brendshme, sauna, banjo turke ose hamam, aparatura të ndryshme për marrje rrezesh ose shërbime estetike me pagesë si trajtime fytyre, trupi, masazhe, shërbime parukerie etj..
Sot, çdo hotel i madh apo resort turistik e ka shërbimin SPA & Wellness pjesë të pandarë të tij, madje quhet mangësi serioze mungesa e tij. Dhe siç ndodh me zhvillimet, sfida ka kaluar në nivele të tjera.

Cilësia, veçanësia, origjinaliteti.
Çfarë duhet të keni ju që nuk e kanë të tjerët?
Dhe kësaj sfide nuk kishte sesi të mos i përgjigje i pari Adriatik Hotel, hoteli historik i viteve të komunizmit, që sot është një prej emrave vendosmërisht më të spikatur në fushën e hotelerisë turistike. Pra, nuk bëhej fjalë për një shërbim SPA por duhet diçka që ta dallonte e njëkohësisht t`i shtonte vlerë kësaj sipërmarrje turistike me gjashtëdhjetë vjet histori.
Kështu, duke ideuar e duke kërkuar më të mirën, duke “gërmuar” thellë në histori, ashtu si arkeologët kërkojnë për thesare, lindi Queen Teuta Spa. Në një qytet me histori tremijëvjeçare si Durrësi, nuk kemi pse të kërkojmë për Kleopatra. Ne kemi mbretëreshat tona, që sot meritojnë të kenë tempullin e tyre.

 

“Queen Teuta SPA”, një tempull i mbushur me simbolikë antikiteti
Dhe vërtet kur hyn në ambientet e Queen Teuta Spa, ndjehesh tamam si në një tempull, ku që në zbritje të shkallëve të shoqërojnë parzmoret e mbërthyera në mur, tonet klasike të një tempulli antik me nuancat e arta dhe pllakat e mermerta, dekori i përshtatur si tremijë vjet më parë, dominuar nga mozaikët dhe kapitelet, e sidomos hapësirat e mistershme.
Dhomat e ndryshme të masazhit, teke, dyshe, hapësira e gjerë e palestrës, duken krejt të zakonshme por në fakt nuk janë aspak të tilla, jo vetëm prej dekorit elegant por edhe sepse po t`ju themi që për trajtimet e lëkurës përdoret industria estetike japoneze e Forlled (shih forlled.com), ju me pak informacion që do të merrni, do të kuptoni se nuk bëhet fjalë thjesht për trajtime estetike po për kura të vërteta mjekësore, ku nuk përmirësohet vetëm lëkura juaj por gjithë sistemi i qarkullimit të gjakut dhe muskujve.
Por le të shkojmë pak më tej e të futemi në hamam, që ndonëse emri i vjen nga mesjeta otomane, rrënjët i ka thellë në antikitet, tek banjat romake apo le të themi edhe ato që përdorte aristokracia e lartë ilire dhe një mbretëreshë si Teuta. Hapësira magjike dhe e gjerë e relaksit është ajo që ju duhet pas një dite të gjatë udhëtimi, ekskursioni, plazhi, apo shëtitjeje në ditën tuaj të pushimeve. Shumë pak njësi, hotele apo qendra estetike e ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri. Por në hotel Adriatik është tashmë i pamungueshëm.
Dhe qershia mbi tortë, ajo që e ka veçuar tempullin e mirëqenies, duke iu bashkangjitur edhe emrit, është pishina e brendshme, krejt e veçantë, jo vetëm në dekorin me nuanca të magjishme, simbolikën e kudogjendur, që nga pllakëzat e arta të veshjes e deri tek tavani, llampadari i të cilit ka formën vezake të unazës ilire, por sidomos tek përbërja e saj me ujë të filtruar deti e ngopur me kripëra ushqyese për lëkurën, që i kanë dhënë emrin “thalasso” e që në gjuhën greke do të thotë “trajtime me ujë deti”. Thalassoterapia është një risi që po aplikohet kudo në botën e estetikës, si një prej kurave më efikase për shëndetin e lëkurës.
Nuk dimë nëse në një hotel me pesë yje ka më të mirë shërbim se Queen Teuta Thalasso & Wellness Spa por dimë t`ju themi që ky nuk është thjesht një vend ku të relaksoheni pas ditës së gjatë apo në mëngjes herët, apo kur të doni, në çdo orë të ditës. Ky është një tempull i vërtetë jo vetëm i mirëqenies por edhe i kulturës sonë të lashtë që flet me gjuhën e simbolikës dhe që i rri si kurorë mbi kokë një brandi turistik si Adriatik Hotel, duke plotësuar më së miri mozaikun e një marke të patjetërsueshme dhe me vlerë absolute në fushën e biznesit turistik shqiptar. Prandaj një vizitë këtu është gjithashtu edhe një kthim në kohët e dikurshme të lavdisë tonë ilire.