Qendra historike Vlorë, që do t`i sjellë qytetit turistët e dimrit

December 29, 2020 || views

Qendra e re historike e Vlorës po pret vetëm sezonin turistik, që të marrë shkëlqimin që i takon dhe gjallërinë që do t’ia sillni vetëm ju të dashur pushues! Një projekt i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, projekt i cili meriton të lëvdohet e të evidentohet, Qendra Historike e Vlorës ose rruga “Justin Godard”, është i radhës, në listën e shumë projekteve që rijetëzuan copëza të harruara të Shkodrës, Beratit, Korçës, Gjirokastrës e Tiranës, kjo kartolinë qytetërimi, ju fton ta shijoni si një turist i vërtetë!

 

Vlora është pa asnjë dyshim qyteti më i vizituar i Jugut të Shqipërisë gjatë sezonit veror. Edhe sikur të jesh nisur për më poshtë në Rivierë apo edhe në Sarandë, është e pamundur të mos ndalosh në Vlorë për një kafe apo drekë, pa folur pastaj për fundjavat apo pushimet e gjata.
Por sapo mbyllet sezoni veror, qyteti qetësohet, rruget boshatisen dhe heshtja e tyre prishet vetëm nga vetë vlonjatët dhe kafenetë apo restorantet e “Lungomares” mbushen nga banorët e qytetit.


Pse Vlora nuk vizitohet gjithë vitin si Korça?
Ne besojmë se më në fund kemi jo vetëm përgjigjen por edhe zgjidhjen e këtij ngërçi të papranueshëm për një qytet kaq të madh, kaq turistik e kaq të rëndësishëm.
Vlora ka tashmë qendrën e saj historike, atë që dikur ishte identiteti i saj këtu e rreth një shekull më parë.
Prej disa vjetësh në proces, projekti i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe Bashkisë së Vlorës, më në fund u përmbyll me sukses, duke i kthyer qytetit pjesën e munguar, atë që besojmë se do të jetë edhe magneti që do të thithë grimcat jetëdhënse drejt tij gjithë vitin; turistët.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”. Ajo ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve dytësore të çojnë tek ish-Pazari, “Lagja e Hebrenjve”, Klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe Xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.
Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rei në Apoloni

Projekti me investimet e qeverisë përfshiu restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.
Në zonën qendrore të Vlorës ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, që e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.
Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë, por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera të qytetit nga pikëpamja arkitektonike.

Dallëndyshet e para

Dallëndyshet e para që do të mbushin qendrën, u dukën menjëherë pas përurimit dhe qytetthi mori jetë. Dyqanet e suvenireve, kafe-bistrotë, njësitë e vogla tregtare të shërbimit, bujtinat, bënë që nëpër rrugët e Qendrës të dukeshin menjëherë viztorët e parë.

Foleza

E para ndër të parat ishte “Foleza”
“Foleza” është një histori e bukur familjare, një takim i ngrohtë mes miqsh, një hapësirë ku brenda saj gjendet dashuria për historinë, artin, kulturën e traditën. Aty shpalosen grimca të kuzhinës vlonjate, pijeve e glikove të traditës së gjyshërve tanë, të cilat vijnë të shërbyera ngrohtë, së bashku me mikpritjen labe në dhomat e bujtinës ku zgjimi bëhet me pamjen më fantastike në zemër të qendrës historike.

 

“Foleza” për krijuesit e saj nuk është thjesht një kafe dhe një bujtinë, por një pikë takimi, ku jeni të mirëpritur përherë, pa orar fiks, ju presin si miq e si vëllezër, për të ndarë në harmoni gjërat që ju bashkojnë.

Vintage Lux

Vintage Lux Albania një dyqan suveniresh, me produktet artizanale më të bukura që mund t`ju kenë zënë sytë. Dyqani ofron jo vetëm relike, antikuare dhe objekte të llojeve të ndryshme por edhe produkte me elemetë të artizanatit , të ardhura në versionin modern, si çanta në ndryshme në punime leshi apo edhe plot produkte e objekte të tjera zbukurimi. Çdo ditë një fashion-show i vogël shfaqet në një copëz të rrugës “Justin Godard”, duke ju treguar një pjesë të vyer të trashëgimisë tonë popullore. Edhe për këtë “sfilatë” ia vlen ta vizitoni këtë dyqan suveniresh.

Vintage Coffee & Bistro

Një qendre historike i ka hije një Vintage. Po dy janë akoma më mirë. Prandaj dhe natyrshëm erdhi Vintage Coffee & Bistro, si një prekje perëndimore por me shije vlonjate, ku gjithçka që ofrohet, vjen gjithatu natyrshëm e plot shije. Mjediset e brendshme e të jashtme janë të kombinuara aq bukur saqë edhe në të ftohtë mund të shijosh diellin e, edhe në kohë të bukur mund të qëndrosh në freskinë e ngjyrave të çelëta të sallës së këndshme. Shijet tuaja gjejnë vend në të gjithë menunë e pasur të “Vintage”.

   

Një gotë verë e ngrohtë dimrit, apo birrë e ftohtë kurdo, mund të kthehen në refrenin më të dashur të takimeve tuaja me miqtë. Dhe ky vend do të bëhet pa dyshim stacioni juaj.

KOLONA Bistro & grill

Së fundmi Qendrës Historike i është bashkuar një emër jo i panjohur për Vlorën, KOLONA Bistro & grill e cila vjen në këtë zonë historike me produkte të reja, për të kënaqur shijet e gjithë familjes.

   

Tashmë KOLONA është një vend ku mund të shkohet me qejf të pihet një gotë verë me gështenja të pjekura (që i ofron shtëpia), një mish zgare për t`u mbledhur me miqtë, për tavat e larmishme te pergatitura në furrë druri etj. Të dyja katet e ndërtesës janë të arreduara me stilt ë ngrohtë e të këndshëm, madje keni edhe këndin e fotografisë, që ta merrni me vete si kujtim.
Vendi ideal per dreka e darka familjare, per nderthurrje te gatimeve tradicionale dhe ato te zgares e fast-foodit duke u shoqeruar me oferta te herepashershme per te kenaqur te gjithe klientet.
E përse të mos qëndrosh këtu kur viziton Qendrën?

Çdo qytet turistik ka zonën e tij historike, për t`i treguar vizitorëve të shkuarën e tij si pjesë e pandarë e identitetit. Kjo është një prej arsyeve më kryesore se pse një turist viziton një vend a një qytet tjetër. Tashmë edhe Vlora ka qendrën e saj historike e turistike, TID Vlora që besojmë se do të ndikojë fort në numrin e vizitorëve të ardhshëm por sidomos në kohështrirjen e ardhjes së tyre.
Vetëm se, shpresojmë që pjesa tjetër e njësive tregtare të jetë sa më e larmishme duke pranuar në gjiri e vet artizanë me punishtet e tyre, endës, gurgdhendës e qëndistare si Marigoja por edhe piktorë, artistë, muzikantë që do të duan ta mbushin me tinguj këtë hapësirë të bukur, që me siguri do të shndërrohet shpejt në mganetin turistik të Vlorës. Administrimi i këtyre qendrave nga AADF me shembujt e Krujës, Korçës, Beratit, Gjirokastrës, nën formulën TID dhe BID, ka dëshmuar me sukses se kjo mund të arrihet.
Dhe kur nëpër dyqannet e vogla të shohim artizanët, atelietë e piktorëve, dyqanet e fotografëve, veglave muzikore dhe antikuaret, atëhere po, mund të themi se Vlorës iu kthye shkëlqimi i dikurshëm.
Deri atëhere, bëhu ti, turisti i parë i qytetit tënd që viziton Vlorën dimërore!