Piktogramet e Rubikut, simbolet 12-mijëvjeçare të jetës

4 Mars, 2020 || 1527 views

Ato janë shenjat e para të jetës. Cilësuar nga studiuesit si simbolet e njeriut parahistorik, piktogramet dëshmojnë zanafillën e lindjes së banesave të para. Dhjetëmijë vjet para Krishtit, simbolet e tyre përkufizonin Diellin, Ujin, Zjarrin, Zotin, Luftën, sipas besimeve pagane.

Këto gjurmë të hershme, janë zbuluar nëpër Shqipëri, në Lepenicë, në Reç, Xibër, Bovillë dhe në Matrizë, në zonën e Rubikut, në fshatin Bulshizë. Të dallueshme fare qartë dhe të lexueshme me gjuhën simbolike ndërkomëtare të piktogrameve, këto simbole nuk janë thjesht pasuri kombëtare por sipas studiuesve të huaj që janë njohur me to, janë potencial i fuqishëm për pasuri botërore, që tregon një zanafillë jete shumë më të hershme se Piramidat.

Piktogramet e Rubikut janë bërë disa herë fokus i studiuesve në dekadat e fundit. Informacionin e parë shkencor për pikturën e Rubikut e kemi nga profesor Dh. Shuteriqi, i cili pasi bën përshkrimin e pikturës, të shoqëruar me dy foto dhe një skicë, arrin në përfundimin se kemi të bëjmë me dy simbole: kryqin, domethënë feja, dhe harkun domethënë lufta, të cilat flasin për luftën fetare që bëhej midis kishave të Perëndimit e të Lindjes (revista “Monumentet”, nr. 18, 1979 fq. 65-71).

   
Shtimi në mënyrë të ndjeshme i pikturave shkëmbore të zbuluara në Shqipëri e bëri të nevojshme rishikimin e pikturës shkëmbore të Rubikut të publikuar tre dekada më parë, ndaj në pranverë të vitit 2007 u bë një dokumentacion i ri, vëzhgime të hollësishme, si edhe një sërë krahasimesh me pikturat e tjera të artit shkëmbor, të cilat çuan në një interpretim, në një datim të ri.
Piktura e Rubikut gjendet 3,5 km në perëndim të qytetit të Rubikut, në periferi të fshatit Bulshizë e Epërme, në vendin e quajtur Gryka e Xhudenjve.

Piktura është bërë në strehën e një shkëmbi me faqe të kthyera nga juglindja. Faqja e shkëmbit ku është pikturuar nuk është plotësisht e sheshtë, gjë që ka ndikuar në ndarjen e saj në dy pjesë. Në pjesën e majtë, me një sipërfaqe prej 4m², janë vizatuar dy rrathë me dy diametra , një kryq me krahë të barabarta, ekstremet e të cilit mbarojnë me pika dhe një figurë qendrore e komplekse që ka gjatësinë 33 cm dhe gjerësinë 27 cm. Në qendër ka një figurë antropomorfe, ku dallohet koka në formë pike, mbi të cilën qëndron një hark, kurse në dy anët e trupit janë vizatuar 12 ndarje të vogla me forma rrethore ose katrore jo të rregullta, që kanë pika në mes. Në pjesën e djathtë , në një sipërfaqe prej 2 m², janë vizatuar tri figura pranë njëra-tjetrës. Në qendër është figura antropomorfe me kokën në formën e një pike të madhe që mbulohet nga një vijë harkore, e cila bashkon dy rrathë të vegjël me pikë në mes. Krahët janë dhënë me një të vijë të gjatë e të trashë, që mbarojnë me dy harqe, të cilët gjithashtu në mes të ndarjeve kanë nga një pikë.

Në pjesën e poshtme figura ka dy ndarje pa pika në mes dhe përfundon me dy zgjatime të këmbëve dhe një zgjatim në mes. Figura tjetër ka formën e një rrethi me dy diametra në pjesën e sipërme të së cilit del një pikë e madhe me një vetullore sipër saj, e njëjtë me atë të figurës qendrore. Mbi figurën qendrore është vizatuar forma e një rrethi jo të rregullt, që ka tetë ndarje jo të barabarta, gjashtë prej të cilave kanë pikë në mes .

       

Figurat e pikturës së Rubikut janë bërë me vija të trasha 2-3 cm jo shumë uniforme, ku është përdorur bojë e bardhë. Më mirë jane ruajtur3 figura, kurse figurat e tjera janë të dëmtuara e mund të plotësohen mbi bazën e gjurmëve që kanë mbetur në faqen e shkëmbit. Figurat antropomorfe të shoqëruara me pika, si dhe figura në formë rrethi me shumë të ndara e pikë në mes, e venë në lidhje të drejtë pikturën e Rubikut me atë të Lepenicës, kurse rrathët dhe kryqi, si simbole të kultit të diellit, janë të njëjta me pikturën e Bovillës dhe me incizimet e Reçit e të Xibrit.
Ministria e Kulturës i ka marrë në mbrojtje këto simbole të lashta, për vlerat e jashtëzakonshme si pasuri kombëtare dhe botërore.

 

Më shumë foto: Kliko këtu