Përse shumë agjenci turistike në Shqipëri rrezikojnë të falimentojnë?

April 30, 2023 || views

 

Enkeleda Memisha

Pedagoge, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

 

Ështe folur, trajtuar dhe analizuar shpesh në median e shkruar dhe atë televizive mbi problemet dhe vështirësitë me të cilat ndeshet çdo vit turizmi në Shqipëri. Por janë shumë pak ose aspak artikujt që kanë trajtuar problemet me të cilat ndeshen sot agjencitë turistike. Këtu do të trajtoj disa nga këto probleme, jo për t’i parë me syrin kritik sesa per t”i ndihmuar që të përmirësohen në disa pjesë të cilat duke mos u dhënë vëmendjen e duhur, do t`i cojnë në të ardhmen e afërt drejt falimentit.

Kam udhëtuar shpesh vitet e fundit para dhe pas pandemisë me agjenci të ndryshme që operojnë në Shqipëri.

Krahasuar me vitet e shkuara, mund të thuhet se ka pasur përmirësime veçanërisht këto 5-6 vitet e fundit. Nevoja për një turizëm cilësor është e një rëndësie primare, në kushtet e vendit tonë, i cili i ka të gjitha mundësitë për zhvillimin e tij. Shqipëria e ka potencialin për t’i ofruar turistëve një shumëllojshmëri turizmi: malor, balnear, kulturor, tranzit, gastronomik, fetar, rural, shëndetësor etj.

Infrastruktura është në kushte shumë më të mira sesa vite më parë. Biznesi privat ka investuar në përmirësimin e ndërtimeve dhe cilësisë së shërbimeve. Dëshira e turistit shqiptar për aventura të reja është në rritje dhe çmimet e paketave turistike janë në nivele normale për një pagë mesatare.

Gjatë udhëtimeve tërhiqesha shpesh nga grupe turistësh që vinin nga shtete te ndryshme. Të binte në sy organizimi, disiplina, interesi i gjithë secilit dhe ishte për t’u admiruar vëmendja e tyre për të dëgjuar informacionin që jepte guida turistike, duke bërë vazhdimisht pyetje, ata ishin të informuar përpara se të vinin në vendin tonë dhe e dëgjonin me shumë kuriozitet guidën.

E kundërta ndodhte me grupet shqiptare me të cilat udhëtoja, qoftë në destinacionet jashtë  ashtu edhe brenda vendit. Nuk shikoja asnjë interes nga shumica e bashkudhëtarëve për të marrë informacion mbi vendin ku po shkonin. Ndalesat do të ishin ose në qendrat tregtare, ose në ndonjë pikë karburanti për të kryer nevojat jetike..

Shumica  ishin shpërndarë dhe interesi ishte pothuaj vetiak. Për shumë të tjerë kjo mënyrë mund të ishte më interesante sesa të kishte pak më tepër organizim. Shpesh e gjenim veten duke pyetur kalimtarët sepse humbisnim nëpër rrugica.

Në këtë artikull ngrihen 4 çështje të cilat do dëshiroja t’i trajtoja këtu:

E para, konsiston në përzgjedhjen e guidës dhe domosdoshmërinë e trajnimeve ose kualifikimeve të nevojshme që duhet të ketë.

  • Justifikimi që i jepet sot kësaj çështjeje është periudha post covidi dhe mungesa e stafit, por, konstatimet i kam vënë re më parë dhe këtë artikull kam nisur ta shkruaj në atë periudhë ku edhe kam bërë udhëtime të shpeshta me agjencitë shqiptare.Gati në të gjitha rastet që kam udhëtuar me agjenci të ndryshme, jam habitur nga informacioni i paktë që jepet. Guidat, zakonisht në mosha shumë të reja, i ngatërrojnë më shumë turistët por edhe janë krejt të papërgatitur dhe të painteresuar të përballojnë kërkesën për informacione. Ndoshta, kjo vjen edhe nga kultura jonë sepse nuk shikoja as interes nga pala tjetër, anëtarët e grupit pjesë të udhëtimit. Ndërkohë, mahnitesha nga guidat po shqiptare të cilat drejtonin grupe të huajsh jepnin informacionin e plotë pranë çdo vendi ose ndërtese që përbënte interes, të gjithë e shikonin dhe dëgjonin me qetësi dhe drejtonin vazhdimisht pyetje. Tek e fundit, të udhëtosh përveç argëtimit, kryesisht përfshin edhe njohjen me vendin ku ti ndodhesh.

Guida, në mentalitetin tonë nënkupton dikë që të bën te argëtohesh. Ti nuk je aspak argëtues,- i tha nje turiste guidës sonë. U shokova nga konstatimi i saj….

Jap lëndën e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore dhe u shpjegoj studentëve të mi; një Guidë që të kryejë këtë profesion duhet të jetë i arsimuar, i trajnuar dhe të ketë disa aftësi si: njohja e gjuhëve të huaja, informacioni i bollshëm mbi destinacionin ku shkohet; lidhur me pozitën gjeografike, kulturën, zakonet, të jetë fleksibël, i shkathët, i durueshem në varësi të grupmoshave me të cilat punon duhet edhe ai të përshtatet. Guida  nuk nënkupton një person që të tregon stacionin dhe sa kohë duhet të qëndrosh aty, të vendosë muzikë me volum të lartë, të kërcesh në autobus kur është e rrezikshme ndërsa ecën dhe pjesën tjetër është inekzistent.

Në Shqipëri ende nënkuptojnë me guidë një person simpatik, alegro që duhet të argëtojë grupin, të tjerat nuk kanë rëndësi. Dhe, vërtet kjo u ofrohet në disa raste.

Problemi i dytë ka të bëjë me mungesën e organizimit

Shpesh, të ndodhur nën trysninë e ambientit në Shqipëri por edhe papunësisë që ofron tregu, agjentët për të qenë më simpatikë dhe për të marrë me shumë “review” pozitive pasi kështu mund të mbajnë vendin e punës, tregohen më tolerantë seç duhet në orare apo situata të tjera  dhe kjo sjell shpesh pakënaqësi. Të jesh pjesë e një turi, sigurisht nuk mund të ketë trajtime si në ushtri, por shpesh mungesa e disiplinës dhe organizimi i dobët sjell moskoordinimin e vizitave në vende të përcaktuara  si pjesë e programit të paketës.

Problemi i tretë lidhet me varfërinë e paketave turistike

Pothuajse në të gjitha agjencitë gjen të njëjtat paketa. Itinerari i udhëtimeve është po i njëjti dhe lojrat që zhvillohen gjatë udhëtimit po ato, që më tepër ngjasojnë me lojrat që zhvillohen tek nxënësit e fillores pavarësisht faktit që moshat janë të ndryshme.

Pavarësisht që paketat hartohen nga operatorët turistike shumëllojshmëria e tyre është një ndihmë për individin që dëshiron të udhëtojë në fundjavë. Këtu nuk po flas për turet individuale të cilat caktohen sipas dëshirës dhe çmimet përcaktohen nga momenti.

Problemi i katërt  lidhet me diversifikimin (ndarjen )e paketave

Shqipëria, një vend i dalë në vitet 90-të nga diktatura komuniste ka vuajtur përgjatë këtyre viteve nga keqmenaxhimi dhe ruajtja e siteve të Trashëgimise të cilat jane edhe baza e Turizmit. Disa prej këtyre siteve në periudha të caktuara këto tridhjetë vjet, sidomos në kohën e trazirave të shpeshta që vendi ka kaluar, nga mungesa e informacionit dhe ndërgjegjësimit të popullsisë kanë pësuar dëmtime, vjedhje të konsiderueshme dhe periudha e rikonstruksionit apo restaurimit ka qënë shumë e vështirë, në disa raste e pamundur.  Duhet t`i jepet një vend i rëndësishëm hartimit të paketave ku të përfshihen ture në sitet e UNESCO-s, të shoqëruara këto me një guidë të pajisur me informacionin përkatës. Kjo, për arsyen e  informimit të qytetarëve mbi sitet dhe ndërgjegjësimit të tyre për vlerat që ato kanë. Pra, duhet të ketë një ndarje të paketave. Kjo të mos jetë vetëm për turistët e huaj por domosdoshmërisht për turistët vendas, të cilët duke u njohur më mirë me vlerat dhe historinë e vendit ku jetojnë kriojnë edhe një vlerësim pozitiv për të. Shpesh, paketat që ofrohen duhet të kenë një kombinim  të shumëllojshmërisë së turizmit që vendi ofron. Kjo do ta bënte më interesantë edhe udhëtimin.

Si një destinacion turistik i njohur për  turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria në vitet e fundit tërheq vëmendjen dhe kureshtjen e shumë vizitorëve të huaj, të cilët rezervojnë paketa turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror e dimëror.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.