Për një kafe me dylbi te “Kërculla” në Gjirokastër

Tetor 19, 2020 || 264 views

 

Me siguri që çdo turist i huaj që vjen në Gjirokastër dhe ka lexuar më parë “Kronikën”, ndihet as më pak e as më shumë por si një turist që shkon në Stamboll dhe ka lexuar “Muzeun e Pafajësisë” apo si një tjetër turist që ka lexuar Zafonin dhe shkon të vizitojë Barcelonën. Dhe dashur pa dashur e gjen veten duke kërkuar qoshet për të cilat ka lexuar apo duke dashur të bëjë të njëjtat veprime me personazhet.

Nëse edhe ti turist shqiptar, që ke lexuar Kadarenë, e gjen veten nëpër sokakët e Gjirokastrës dhe përveçse të kërkosh shtëpitë e Hankonatëve, Sokakun e të Marrëve, apo të përpiqesh të nxjerrësh nga palat e viteve fytyrat e rreshkura të plakave të jetës, të kërkosh gjëkundi një palë dylbi për të pirë kafen e për të parë qytetin nga ndonjë dritare, dije se mund të bësh secilën nga këto ose edhe të gjitha bashkë.

Këtu le të ndalemi pak.

A ju kujtohen plakat që mblidheshin pasdite në odanë e madhe, pinin kafen dhe vështronin qytetin e gurtë me dylbi, ndërkohë që bisedonin me njëra-tjetrën për ngjarjet e ditës? Kjo është ndoshta pjesa më emblematike që asnjë qytet tjetër nuk e ka e nuk ka si ta ketë. Sepse një kafe e tillë “me dylbi” nuk mund të pihet në një asnjë qytet horizontal kudoqoftë. Ajo mund të shijohet vetëm në një qytet si Gjirokastra, ku “themelet e një shtëpie, ngrihen bash mbi çatinë e shtëpisë tjetër dhe qyteti zbret thikë nga mali drejt ultësirës, duke u shpalosur para teje fiks për ta parë me dylbi.

E pra, nuk ka vend më të përshtatshëm për ta pirë këtë kafe me dylbi sesa Resorti Kërculla, i cili ka zënë vend krejtësisht në krye të qytetit, duke e lënë gjithë pjesën tjetër mbi pëllëmbën e dorës tuaj, ose në “syrin” e dylbisë. Edhe çfarë kafeje! Turke, me ajkë, me fajancat gjithë sharm aristokratik, që të ndiheni tamam sikur ishit brenda faqeve të “Kronikës”.

A ia vlen të ngjiteni për një kafe deri këtu lart? Ia vlen që ç`ke me të. Edhe vetëm për kaq.

Por kuptohet kafja është “sebepi”. Sepse gjithë ky resort nuk është ngritur vetëm për t`ju ofruar juve “një kafe me dylbi”.

   

Është ndërtuar si një muze i gjallë, ku çdo element përfaqëson një aspekt të jetës qytetare gjirokastrite, duke filluar që nga trashëgimia, etnografia, mobilimi, e deri tek mënyra e jetesës dhe zakonet e të përditshmes e duke përfunduar tek ushqimi. Pa dyshim që një resort i ngritur në shekullin XXI, do të përfshijë në ofertën e vet edhe elementët modernë, siç kanë bërë në kohën e ndërtimit të qytetit edhe aristokracia e tij, duke ndërtuar me metodat e kohës dhe duke ndjekur ritmin e zakoneve të shekujve të ardhshëm, pa humbur traditën. Njëjtë edhe tek Kërculla. Sepse vërtet resorti është arreduar me fjalën e fundit të teknologjisë së akomodimit, ama, rreth e qark sundojnë motivet gjirokastrite, në arkitekturë, detaje dekori, elementë të shërbimit, madje në hyrje  ju pret statuja e Argjirosë dhe Gjin Bue Shpatës.

Gërshetimi i këtyre të dyjave, pozicioni, hapësirat, bënë që me të hapur dyert, Kërculla të rreshtohej në vijë të parë të zgjedhjes, ndonëse qyteti tashmë ka një listë të pasur me hotele të vendosura në shtëpi të vjetra me elemetë të mrekullueshëm të arkitetkturës dhe mobilimit, pa folur për mikpritjen dhe ushqimin, që Gjirokastra i ka të pangatërrueshme.

 

Prandaj edhe nuk po ndalojmë shumë në këtë pjesë, sepse përjetimi personal është tjetër gjë nga ajo që mund të tregojmë ne, sado të zotë të jemi.

Por jo se nuk do të ndalemi edhe tek shërbimet e pakrahasueshme të Kërculla Resort. Në një artikull tjetër, në të ardhmen e afërt. Dhe ndoshta do ta shkruajmë pikërisht atje, në verandën e Kërcullës. Duke shijuar kafen me dylbi.