Pas xhubletës, 4 pasuri të tjera shqiptare drejt UNESCO-s

26 Dhjetor, 2022 || 93 views

Lajmi i shpalljes së xhubletës si një pasuri e trashëgimisë jo materiale të mbrojtur nga UNESCO ishte një nga më të përgëzuarit dhe të bukurit në këtë periudhë të vitit.

 

Në një hapësirë të dedikuar xhubletës, me dy gratë që zotërojnë dijen për realizimin e plotë të saj, një ‘odë’ burrash me instrumente popullore, vajza e gra që punojnë me shtiza e krehër, “E diela shqiptare” në Tv Klan solli magjinë e kësaj tradite të veçantë përmes ekranit.

 

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpjegoi se kjo arritje jo vetëm do të ruajë dijen e procesit të realizimit të xhubletës, por është një shpresë se mund të sigurohet jetesa me anë të saj. Përveç xhubletës, ministrja rendit edhe 4 dosje që po përgatiten për t’u dërguar në UNESCO.

 

Ardit Gjebrea: A kemi ne asete të tjera kulturore për të shpëtuar? Cili është misioni i radhës?

 

Elva Margariti: Kemi përgatitur ndërkohë 4 dosje për dukuritë jo materiale. Kemi dorëzuar tashmë edhe kërcimin e Tropojës, ashtu siç po përgatisim tani edhe këngën me lahutë ose Eposin e Kreshnikëve me lahutë.

Ashtu siç jemi duke përgatitur transhumancën, që është shtegtimi i bagëtive, është dukuria e shtegtimit të bagëtive dhe barinjve që i ndjekin që nuk është thjesht po themi një dukuri që lidhet me blegtorinë, por edhe me gjithë zakonet. Ashtu siç po përgatisim dhe besoj se në Mars do të jetë gati, kjo është skadenca që i kemi vendosur vetes, edhe “Marubin” në listën e memories botërore./tvklan.al