Parku Kombëtar i Thethit – aty ku vjeshta është dashuri…

3 Nëntor, 2019 || 827 views

Thethi, kreshniku i bukur i Alpeve

Një bukuri tronditëse me të cilën nuk mund veçse të biesh në dashuri me shikim të parë, të dytë, të njëqindtë. Nëse Valbona është një vajzë e bukur lozonjare si Orët e Malit që freskohet mes stërkalave të bruzta, Thethi është një djalë hijerëndë e i hijshëm si kreshnikët e Eposit, fshehur mes malesh e mjegullash misterioze të cilit është e pamundur t`i rezistosh…

Kur merr rrugën për të bërë një udhëtim në Theth, natyrisht që ke përpara shumë bukuri të tjera natyrore, ku është e pamundur të mos ndalesh një copë herë, ashtu siç, për të shijuar një pjatë të parë gatuar me mjeshtëri nga një artist kuzhine, duhet së pari të provosh njëherë antipastat. Ndoshta krahasimi është i pashijshëm por duhet të kihet një ide sado e zbehtë, se çfarë është Thethi, në krahasim me të gjithë segmentin natyror që haset rrugës për tek Ai, gjithmonë e kemi fjalën këtu për ata që ende s`kanë qenë asnjëherë në Theth.

 

Sot, rruga nga Kopliku nëpër Luginën e Bogës e deri në Qafë Thorë, është shtruar dhe gjarpërimi i asfaltit të zi përmes të kuqes portokalle të aheveve, blireve, e pemëve të tjera që formojnë peisazhin vjeshtor këtyre anëve, duket si një fjongo e bukur. Pak pa shkuar në Qafë, kanë ndërtuar edhe një ballkon të bukur me xham (pse të mos ishte vetëm me dru?) për të shijuar panoramën që hapet sa të ha syri dhe të mbush gjoksin me ajër e me kënaqësi po aq të pamatë sa shtrirja e luginës. Ndonëse rrugën e ke bërë me lëvizje koke njëqindetetëdhjetëgradëshe, për të mos humbur asnjë gjeth të ndezur e asnjë pamje magjike në të dyja krahët, e kupton pak më vonë se gjithçka ke parë deri tani, ka qenë vetëm një aperitiv, për festën e mëvonshme të syve e të mendjes.

E kur më në fund lemë pas metrat e fundit të asfaltit të zi dhe ngjitemi aty në sheshpushimin ku kanë zënë vend tabelat e bujtinave të Thethit e ku të zotët e bujtinave presin zakonisht grupet e turistëve, pamja ndryshon kryekëput; jo vetëm rruga, që fillon e ashpërsohet nga çakulli por edhe çfarë ti sheh para syve. Tufa të mëdha resh të bardha përzier me mjegull të dendur, mbulojnë me xhelozi malet e veshura me bimësi të përzier pishë e zezë përherë e blertë dhe ahe tashmë të portokallta, duke u lënë jashtë tek-tuk vetëm majat.

 

 

 

Dramatike! Kjo bukuri duhet ta ketë shushatur edhe Edit Durhamin kur kalonte këndej pari, sepse dihet, natyra është e përjetshme dhe peisazhi do ketë qenë po ky, një ëndërr e mjegullt, e pakapshme, ndjellëse, tronditëse, që në fakt nuk di ç`emër t`i vësh por që e ndjen se si ta merr frymën e tek-tuk të bën të lëshosh vetëm pasthirrma. Një bukuri tronditëse me të cilën nuk mund veçse të biesh në dashuri me shikim të parë, të dytë, të njëqindtë. S`di pse më vjen në mend një krahasim i tillë por kur ndërmendem për udhëtimet e bëra në Alpe,  Valbona më përngjet me një vajzë të bukur e lozonjare si Orët e Malit që freskohet mes stërkalave të bruzta të burimit të saj, kurse Thethi më duket si një djalë hijerëndë  i hijshëm e i ashpër, si kreshnikët e Eposit, që nuk mund t`i latosh aq kollaj por që edhe e ke të pamundur t`i rezistosh….

 

 

 

Ja dhe djemtë e grupit Discover Albania. Valbonë, Theth, Dhërmi, Lurë, Prizren, Bogë, Rugovë…. Kudo që të shkosh e të kudogjendur. Është kënaqësi e madhe tek sheh se sa të papërtuar janë këta djem e vajza për të udhëhequr të tjerët nëpër shtigjet e Shqipërisë, në çdo stinë e në çdo situatë atmosferike. Besojmë se me njerëz të tillë të pasionuar, turizmi do të bëhet. Ja edhe tani, rrugës për tek Ujvara e Grunasit, takojmë Ismailin, pikërisht në urën e bukur me skelet hekuri, lyer me të kuqe, që kanë mundësuar çekët, për të lehtësuar kalimin për tek shtegu i Ujvarës.

 

Kemi folur kaq e kaq herë për Thethin dhe duket sikur nuk ke më se çfarë të thuash, e, është në njëfarë mënyre kështu, sepse përcaktorët e gjuhës shqipe janë të kufizuar, me gjithë laminë e saj të pashoqe. Por sidoqoftë ka gjithmonë diçka për të thënë, bie fjala, se si Kulla e Gjeçajve këtë herë na priti si një nuse me petka të reja, por jo vetëm petkat por e gjitha e rinuar, sipas stilit e traditës së kullave shekullore. Petriti, djali i familjes së Gjeçajve, Babë Ndocit e Nana Lules, thotë se investimi është marramendës, për familje me të ardhura mesatare modeste siç janë ata që merren me turizëm bujtinash. Mirëpo duhet, nëse don të bësh turizëm të mirë. Sepse tjetër gjë është të ruash traditën e tjetër të ofrosh cilësinë. E nëse ai këmbëngul se për të përballuar cilësisht shtimin e fluksit që për fat të mirë ka qenë vazhdimisht në rritje, Nana Lule nuk pranon kurrsesi që turistët të hanë diçka që nuk e ka gatuar dora e saj. Në mos po, le të vijë kush të dojë t`i japë një dorë për t`i përgatitur a ndihmuar në kuzhinë por jo të lërë në duar të dikujt tjetër saçin, apo mazën, gatimet në dukje të thjeshta por që sekretin e kanë pikërisht tek dora e saj. Kjo na gëzon pa masë kur e dëgjojmë, e shpresojmë se rezistenca do të jetë e gjatë, për shkak se fluksi i madh sjell gjithmonë rrjedhje, sidomos në cilësi.  Madje sidoqë thethjanët mërziten, edhe ne ashtu si të huajt, mendojmë se ato 12 kilometra rrugë nuk duhen asfaltuar, përndryshe do t`i prishin bukurinë e ashpër Thethit.

 

Ata që do vijnë për ta shijuar këtë bukuri duhet të lodhen. E nëse nuk duan të lodhen le të mos vijnë. Thethi do sy për të parë, zemër për të ndier, e këmbë të forta për ta shëtitur cep më cep. Thethi është shpirti i Alpeve, ka qenë aty gjithmonë, e ka hyrë herët në listën e turistëve që e dashurojnë.

 

 

 

 

 

 

 

 

A, se mos harrojmë. Do dhe dritë. Atë po. E ka patur çentralin e tij edhe atëherë kur edhe qytetet e jo më fshatrat nuk e kishin. E sot, mëkat i madh, gdhin ditët e freskëta e netët e ftohta që kanë nevojë për ngrohtësi, nën dritën e qiriut ose të një llampe që nuk ia kalon atij.

 

 

Për më shumë foto, kliko këtu