Ohri, mishërimi i natyrës vendase …

January 16, 2023 || views

Në këtë pjesë të botës, nuk thonë
“je nga Shqipëria” apo “vjen nga Shqipëria” por thonë “je e Shqiprisë” dhe unë mendoj se kjo është mrekullisht bukur!

 

 

Nuk e di përse më pëlqen kaq shumë të udhëtoj po në të njëjtat vende vazhdimisht. Madje shumicën e udhëpërshkrimeve i kam nisur pikërisht gjatë udhëtimeve të tilla. Më duket sikur s’kam të drejtë të rrëfej për një vend që nuk e njoh aq mirë, që kam vizituar vetëm një herë ose kam qëndruar për pak kohë. Nëse kalon ca kohë pa udhëtuar drejt një destinacioni të tillë, më duket sikur nuk shtyhet. Sikur kam lënë diçka mangut, diçka të papërfunduar dhe ndjej nevojën të rikthehem për ta çuar deri në fund. Kjo shkon përtej qejfit dhe dëshirës për të shëtitur, është më tepër si një domosdoshmëri…

Të gjithë entuziazmohen pas një udhëtimi të ri, rrëmbehen nga dëshira për të vizituar dhe zbuluar vende të reja…Por a keni përjetuar ndonjëherë mrekullinë e rizbulimit herë pas here të të njëjtit vend? Të rivizitosh të njëjtin vend, sidomos në stinë të ndryshme, duket sikur udhëton në kohë për të përjetuar ndjesi të reja që i njëjti vend të fal duke të prezantuar me qasje të ndryshme të të njëjtit realitet.

 

 

Ohri nuk është vendi i parë që kam vizituar, por është vendi që kam vizituar më shpesh dhe kam qëndruar më gjatë. Ndryshe, Ohri për mua është si një shtëpi e dytë, sepse shtëpi nuk është një vend i kufizuar në kohë dhe hapësirë. Shtëpi është aty ku ndihesh si në shtëpinë tënde, ku s’ke nevojë të kërkosh ndjesë për të qenë vetvetja, ku shpirti yt ndjen përkatësi. Shtëpi është ai vend ku nuk të duhet të heqësh shumë për t’u pranuar nga të tjerët.
Apo si një mik i vjetër, tek i cili ke gjithmonë mall të rikthehesh, e të zbulosh se koha nuk paska kaluar aspak, se çdo gjë ka mbetur mrekullisht ashtu siç e ke lënë. Pa shumë fjalë e bën gati shtrojën dhe të pret me gjithë atë thjeshtësinë që e karakterizon. Nuk të bën shumë pyetje, nuk të lodh me ankesa apo kritika, as nuk ka pritshmëri të mëdha prej teje, as ti prej tij. Nuk afeksionohesh dot shumë pas tij duke ditur se shumë shpejt do t’i thuash përsëri “lamtumirë” për deri kushedi kur…
Ohri ka aromë malli! E njëjta aromë pishash që të kujton aromën e vendlindjes. Netët poetike në majë të kodrës.. mbrëmjet e zhurmshme të zonës së qytetit.. kalldrëmet tipike të çarshive ballkanike.. Aroma peshkut të liqenit…aroma e një shëtitjeje me varkë (po, edhe kjo ka një aromë më vete që nuk shpjegohet por përjetohet) me det të qetë ose të egër, kjo sipas stinës.

 

 

 

Nuk ka ndonjë stinë të caktuar për ta vizituar atë, madje Ohri është stinë më vete! Dihet që pranvera dhe vera janë periudhat ideale të vitit por Ohrit nuk i mbet hatri nëse trokasim në kalldrëmet e tij edhe gjatë periudhave të tjera. Kjo qytezë e vogël buzë liqenit arrin ta shndërrojë edhe më të patalentuarin në një poet të vërtetë. Sepse liqeni, ndryshe nga deti, është më i qetë, pa drama dhe pa shumë komplekse. Valët përplasen me ritme rrahjesh zemre, dhe nuk janë aq të frikshme dhe gllabëruese sa të detit. Thuhet se njerëzit marrin nga natyra ku jetojnë, dhe banorët këtu janë një mishërim i vërtetë i kësaj natyre të qetë dhe të butë.

Me të mbërritur në Avtobuska Stanica (një ndër fjalët e para që kam mësuar para shumë vitesh), marrim një taksi duke hulumtuar, pa vetëdije, për ndonjë shofer me tipare shqiptare edhe pse fjala e parë që del nga goja instiktivisht është maqedonisht. Shoferi përgjigjet në të njëjtën gjuhë, pastaj e thotë një fjalë në Turqisht si për testuar nëse njohuritë gjuhësore na përputheshin, për një komunikim akoma më të lehtë. Më vonë, teksa na dëgjon të flasim shqip, plot entuziazëm brohoret “Ah be, të Shqipërisë jeni?!” Pyetje kjo që të kënaq shpirtin dhe të shkund në të njëjtën kohë. Kjo sepse të fal ndjesinë e përkatësisë, në një vend ku përkatësia është lluks, ku përkatësia është një plagë ende e hapur.

Në këtë pjesë të botës, nuk thonë “je nga Shqipëria” apo “vjen nga Shqipëria” por thonë “je e Shqiprisë” dhe unë mendoj se kjo është mrekullisht bukur!